Përderisa Bullgaria po përjeton krizën e radhës politike, ndjenja e të qenit të humbur po thellohet, dhe ndarja dhe pakënaqësia në shoqëri mbizotërojnë, ka një sektor që arriti të thyejë këtë kontekst të errët - turizmi. Në vitin 2024, vendi ynë jo vetëm u rikuperua nga pasojat e pandemisë, por edhe befasoi me rezultate rekord në industrinë e tij turistike. Ministria e Turizmit shkoi deri aty sa e shpalli vitin “historik” për industrinë. Por a ka një arsye për një ekzaltim të tillë?
Vendi ynë mirëpriti gjithsej 10.7 milionë turistë të huaj në 9 muajt e parë të vitit 2024, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave. Për të njëjtën periudhë, në vendet e kategorizuara për akomodim qëndruan 7.5 milionë të ftuar, që është një rritje prej 3.9% krahasuar me vitin e kaluar dhe 9.4% krahasuar me vitin para pandemisë 2019. Të ardhurat nga fjetjet nga janari në shtator 2024 gjithashtu shënuan rritje të konsiderueshme prej 15.4% në krahasim me vitin 2023.
Por si ndodhi e gjithë kjo dhe pse të dhënat optimiste nuk duhet të na përgjumin? - komentoi Konstantin Zankov, ekspert nga Instituti për Analiza dhe Vlerësime në Turizëm:
“Mund të themi patjetër se po shohim rritje në sfondin e këtyre viteve të vështira, duke filluar me Covid-in, më pas situata me Ukrainën, kriza financiare dhe të gjithë këta faktorë. Po, është një vit rekord, por kjo nuk duhet të na qetësojë, sepse kjo është për shkak të shumë faktorëve. Nuk po flasim vetëm për marketing, dhe gjithçka që lidhet me reklamat, komunikimet etj., por edhe për faktorë të tillë si disponueshmëria e më shumë fluturimeve drejt Bullgarisë, si dhe çmimet më të larta në krahasim me vitet e mëparshme, duke përfshirë vitin 2019, me të cilin krahasojmë. Thjesht, çmimet e çdo gjëje në vendin tonë u rritën dhe është normale që të ardhurat nga turizmi të rriten.
Nuk mund të mos kemi parasysh numrin më të madh të hoteleve në resorte dhe në qytete. Pavarësisht rezultateve të mira për industrinë, zënia mesatare vjetore e hoteleve në vendin tonë vijon të jetë e ulët. Ne duhet të përpiqemi të rrisim këtë zënie në mënyrë që gjatë gjithë vitit ata të mirëpresin mysafirë. Kjo vlen si për hotelet në vendpushimet tona të skive, ashtu edhe për ato në komplekset tona detare, në mënyrë që të mos kemi probleme me personelin dhe të imponojmë një produkt turistik konkurrues me cilësi të lartë, këstu që realisht të fillojmë të zhvillojmë turizmin në katër sezone, që të mos flasim vetëm për verën dhe dimrin.”
Rezulton se në një kohë kur çdo gjë tjetër në vend duket se është në pauzë apo po shkon prapa, sektori i turizmit po ecën përpara, ndonëse ngadalë dhe në mënyrë të pasigurt.
“Nuk mund të themi se është e lehtë - thotë Zankov. - Kjo pasiguri politike, ndryshimi i tarifave të TVSH-së në sektor, problemi me personelin, me rregulloret... Mund të ankohemi shumë, por le të shohim pozitivisht dhe të themi se industria është e adaptueshme, bën përpjekje të shumta. Ajo po përpiqet të jetë proaktive përmes transformimit digjital, duke kërkuar udhëtarët e saj në internet dhe duke mos pritur që ministria apo bashkitë të bëjnë diçka për t'i sjellë turistë. Pra, po, biznesi turistik u dëshmua se është i zhdërvjellët, por ka ende shumë për të dëshiruar. Dhe gjëja tjetër që na ndihmon është se njerëzve u pëlqen të udhëtojnë shumë pas pandemisë dhe kjo çoi në këtë valë turizmi në Bullgari” - tha në përfundim Konstantin Zankov.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Ministria e Turizmit, bulgariatravel.org, freesofiatour.com
Historia e veprimtarisë muzeale në Pazarxhik fillon që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur me idenë e Stefan Zaharievit në bibliotekën popullore “Videlina” formohet një koleksion prej sendesh të vjetra, monedhash, dorëshkrimesh kishtare. Gjatë viteve..
Nuk ka njeri që ka thithur ajrin e Rodopëve dhe të mos ketë mbetur i mahnitur nga pamjet piktoreske dhe legjendat e malit. Ditët nga 4 deri më 10 gusht na japin shumë arsye për të zgjedhur Rodopët Perëndimore, dhe veçanërisht rajonin e qytetit Ardino..
Numër rekord plazhesh në bregdetin bullgar të Detit të Zi janë vlerësuar me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Flamuri Blu”, që dëshmon për ujërat detare të pastra dhe brezat bregdetarë. Ai jepet pas vlerësimit nga Agjencia Evropiane për Mjedisin, e cila..