Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Dhjetëra njerëz humbën jetën nga zjarri në resortin malor turk Kartalkaya

78 persona humbën jetën për shkak të zjarrit në një hotel në vendpushimin turk të skive Kartalkaya, provinca Bolu, në veriperëndim të Turqisë. Në mesin e të vdekurve ka familje të tëra dhe persona të famshëm, si dhe dhjetëra të plagosur, raportoi BTA. Hoteli shumëkatësh me fasadë druri në resortin e njohur mori flakë natën e 21 janarit, kur në ndërtesë kishte 238 të ftuar. Për shkak të incidentit në Turqi është shpallur ditë zie kombëtare. Në këtë rast ka disa të arrestuar, përfshirë pronarin e hotelit, nënkryetarin e bashkisë Bolu dhe zëvëndës shefi i zjarrfikësve. 

Dyshohet se zjarri ka rënë në restorantin e hotelit me katër yje. Në atë moment nuk kishte asnjë zjarrfikës në resort. Makina e parë e zjarrfikësve mbërriti 45 minuta pas shpërthimit të zjarrit. Gazeta Hurriyet shkruan se pas shkaqeve të tragjedisë qëndron një "zinxhir neglizhence". Sipas dëshmitarëve, sensorët e alarmit të zjarrit dhe tymit nuk funksionuan dhe shkallët e emergjencës në hotel nuk përmbushnin standardet.

Greqia kryeson betejën kundër varësisë së adoleshentëve ndaj telefonave 

Mbi 16,000 nxënës janë përjashtuar nga shkollat në Greqi për shkak të përdorimit të celularëve në klasë. Masa e rreptë është pika kryesore e politikës së Ministrisë së Arsimit për vitin shkollor aktual. Pavarësisht rezistencës së dukshme të nxënësve ndaj tij, ai do të zbatohet me rigorozitet, siguroi ministri i Arsimit Kyriakos Pierrakakis. Për shkeljen e parë nxënësi përjashtohet nga klasa për një ditë dhe njoftohen prindërit e tij, për shkeljen e dytë vijon përjashtimi dhe transferimi në një shkollë tjetër, raporton korrespondentja e BNR-së Katja Peeva nga Greqia. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis përdorimit të celularëve dhe shëndetit mendor të adoleshentëve, mendojnë psikologët. Shumë nxënës janë të varur nga kontaktet e tyre sociale në internet. Për më tepër, “ngacmimi bashkëjeton me celularin”, theksoi Pierrakakis në një intervistë televizive për ANT1. Mësuesit pretendojnë se fëmijët përqendrohen dhe mësojnë shumë më lehtë pa celularët e tyre.

Megjithatë, numri i madh i nxënësve të përjashtuar vë në pikëpyetje arsyeshmërinë e masës së vendosur, komenton botimi grek “Ta Nea”.

Në Kroaci bënë thirrje për bojkot të dyqaneve për shkak të çmimeve të larta rekord

Thirrja për të bojkotuar dyqanet në Kroaci më 24 janar u përhap në rrjetet sociale dhe si mesazh në telefonat celularë. Arsyeja për këtë janë çmimet e larta, raportoi BTA. Sipas të dhënave nga Enti i Statistikave Kroate në dhjetor 2024 inflacioni në Kroaci ka arritur në nivelin më të lartë në 8 muaj. Thirrja është mbështetur edhe nga dy ministra të qeverisë së Andrej Plenkoviç. Njëri është Branko Baçiç, zëvendëskryeministër dhe ministër i Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Pronës Shtetërore, ndërsa tjetri është Ministri i Ekonomisë Ante Susnjar, i cili personalisht në fund të vitit 2024 u bëri thirrje qytetarëve që të sanksionojnë ata tregtarë që i rrisin çmimet në mënyrë të paarsyeshme.

Qeveria e Plenkoviçit po përgatit një listë me 50 produkte "të mbrojtura" për të lehtësuar buxhetet e familjeve. Tregtarët dhe prodhuesit, nga ana e tyre, pohojnë se ndër arsyet e çmimeve të larta është fakti se vendi ka një nga normat më të larta të TVSH-së në Evropë - 25%.

Sipas të dhënave të Eurostat për muajin dhjetor 2024. Kroacia është ndër tre vendet anëtare me inflacionin mesatar vjetor më të lartë. Ajo renditet e treta me 4.5% pas Rumanisë dhe Hungarisë, me një normë mesatare inflacioni në BE prej 2.4%.

Serbia me makina fluturuese nga viti 2027?
Mjet fluturues i Archer Aviation
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi nga resorti zviceran Davos, ku shkoi për takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, se nga viti 2027 në vendin e tij do të përdoren makina fluturuese. Vuçiq ka folur për këtë temë me përfaqësuesit e kompanisë amerikane Archer Aviation, raporton agjencia serbe “Beta”. Presidenti theksoi se kjo është një nga kompanitë më të njohura që merret me makinat fluturuese dhe dronët. “Ne kemi filluar negociatat për blerjen e të paktën tre automjeteve të tilla”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia është duke negociuar edhe me “miqtë tanë kinezë”, të cilët, sipas tij, kanë bërë përparime të konsiderueshme në këtë fushë dhe kanë makina fluturuese në disa qytete, qëllimi është që deri në vitin 2026 të bëhen ndryshimet e nevojshme rregullatore "që të mundemi në vitin 2027 të përdorim makinat fluturuese dhe dronët". Vuçiq theksoi se në ekspozitën e specializuar ndërkombëtare Expo-2027, e cila do të mbahet në Beograd, Serbia dëshiron të tregojë se është "vendi që po modernizohet më shpejt dhe po rritet më shpejt në Evropë".

Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: AP, Diana Gllasnova/BTA, Reuters, Unsplash
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Ivan Kondov (majtas) dhe Peter Szijjártó

Bullgaria është mirënjohëse për mbështetjen hungareze për Shengenin

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjártó, Presidenti Rumen Radev shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Bullgarisë në zonën Shengen. Në një deklaratë nga zyra e shtypit e kreut të shtetit..

botuar më 24-12-13 5.22.MD

Përfunduan konsultimet e formacioneve politike të përfaqësuara në parlament me presidentin

Konsultimet e presidentit Rumen Radev me forcat politike të përfaqësuara në parlament përfunduan para dorëzimit të mandatit të parë eksplorues. Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit zhvillon konsultime me përfaqësues të grupeve parlamentare të formacioneve..

botuar më 24-12-12 6.17.MD

Bullgaria dhe Rumania bëhen anëtarë të plotë të zonës Shengen

Këshilli i BE-së vendosi të hiqen kontrollet në kufijtë tokësorë të Shengenit të Bullgarisë dhe Rumanisë nga 1 janari 2025, njoftoi Presidenca hungareze e Këshillit. Në vitin 2024 Inspektimet në kufijtë e Shengenit ajror dhe detar të të dy vendeve u..

botuar më 24-12-12 11.53.PD