Me manifestime përkujtimore në Sofje dhe Ruse, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, administratës shtetërore, studiuesve akademikë, qytetarëve dhe organizatave hebraike, Bullgaria i bashkohet kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. 27 janari u zgjodh nga OKB-ja si ditë përkujtimi, sepse në të njëjtën datë 80 vjet më parë u çlirua kampi i përqendrimit Aushvic-Birkenau. Nga viti 1940 deri në vitin 1945, vetëm në këtë kamp të vdekjes naziste u vranë 1 milion hebrenj. Mësimet e këtij gjenocidi, i cili mori jetën e mbi 6 milionë njerëzve, nuk duhet të harrohen, për të parandaluar përsëritjen e këtij krimi kundër njerëzimit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Bullgaria, me përpjekjet e të gjithë shoqërisë, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e shtetit, arriti t'i shpëtojë hebrenjtë nga kufijtë e saj të paraluftës dhe Dobruxhës Jugore. Për këtë arsye, vendi ka datën e tij, në të cilën, përveç se kujtohet vdekja tragjike e 11 343 hebrenjve të vdekur në rajonin e Detit Egje dhe Maqedonisë së Vardarit, që atëherë ishin nën juridiksionin e Gjermanisë naziste, kujtohet gjithashtu dhe shpëtimi i mbi 48 000 hebrenjve bullgarë.
10 marsi është dita bullgare e Holokaustit dhe e viktimave të krimeve kundër njerëzimit. Në këtë datë të vitit 1943 , pas një proteste të qytetarëve nga qyteti i Kjustendilit (Bullgaria Jugperëndimore), një grup deputetësh të udhëhequr nga nënkryetari i Kuvendit Popullor Dimitër Peshev dorëzoi në parlament një letër proteste të nënshkruar nga 43 deputetë të cilët kundërshtuan deportimin e hebrenjve bullgarë në kampet e vdekjes të kërkuara nga Rajhu i Tretë.
Në një deklaratë për shpëtimin e hebrenjve bullgarë, Asambleja e 41-të Kombëtare deklaroi: “...Ne e konsiderojmë shpëtimin e hebrenjve bullgarë në vitin 1943 si një ngjarje të jashtëzakonshme, që tregon humanizmin dhe tolerancën e popullit bullgar, si dhe vullnetin e tij për drejtësi...
Pavarësisht politikës pro-naziste të qeverisë së Bogdan Fillovit dhe politikës së gjenocidit në Evropë, Bullgaria jep një shembull fisnik të kundërshtimit të suksesshëm të përpjekjeve për të shfarosur hebrenjtë. Falë përpjekjeve të deputetëve të Asamblesë së 25-të Kombëtare, qëndrimit kategorik të Kishës Ortodokse Bullgare, veprimtarisë së figurave publike dhe intelektualëve, diplomatëve bullgarë, organizatave profesionale, përfaqësuesve të rezistencës zyrtare dhe antihitleriane, qytetarëve të thjeshtë, sjelljes së komunitetit hebre, i cili e konsideronte Bullgarinë atdheun e tij, kreu i shtetit Mbreti Boris III u pajtua me presionin publik dhe refuzoi të dërgojë më shumë se 48 mijë hebrenj - shtetas bullgarë, në kampet e vdekjes...
Diplomatët bullgarë lëshuan viza për Palestinën për hebrenjtë nga vendet evropiane që nuk ishin shtetas bullgarë, duke shpëtuar kështu akoma disa mijëra njerëz të tjerë...
Sot ne vajtojmë thellë për të gjitha viktimat e Holokaustit, për secilin prej hebrenjve të dëbuar në territoret e pushtuara nga Hitleri dhe shprehim respektin tonë të thellë për kujtimin e tyre. U bëjmë thirrje që të mos përdoret fati i tyre tragjik për spekulime politike.”
Mësoni më shumë mbi temën nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: bulgarianhistory.org, BTA, EPA/BGNES, Administrata Rajonale - Ruse, kingsimeon.bg
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Kisha Ortodokse kremton sot ngjizjen e Shën Anës – nënës së Virgjëreshës. Joakimi dhe Ana nuk kishin fëmijë për një kohë të gjatë, pavarësisht nga jeta e tyre e drejtë. Përveç pikëllimit të tyre personal, ata duruan edhe qortim publik, pasi mungesa e..
Sot festojmë 80-vjetorin e lindjes së këngëtares popullore Bojka Prisadova. Lindur më 5 dhjetor 1944 në fshatin Vërbovo në malin e Rodopeve, ajo ishte ndër këngëtaret e para në Ansamblin Folklorik "Rodopa", ku këndoi për shumë vite. Pas diplomimit në..
Çdo vit më 4 dhjetor Kisha Ortodokse Bullgare nderon dëshmorin e madh të shenjtë Varvara - një vajzë nga një familje fisnike, së cilës iu pre koka për besimin e saj të krishterë në fillim të shekullit të IV-të. Kjo ditë quhet edhe Krishtlindjet e..