Më 4 shkurt, në qytetin Bllagoevgrad (Bullgaria Jugperëndimore) do të mbahet një ritual i vendosjes së luleve për të shënuar 153 vjetorin e lindjes së revolucionarit bullgar Goce Dellçev.
Nuk do të ketë festë të përbashkët të përvjetorit me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria nuk ka marrë ftesë për të festuar së bashku këtë ditë me fqinjin tonë, njoftoi ministri i jashtëm bullgar Georg Georgiev. Tradicionalisht, ambasadori bullgar në Shkup dhe diplomatët e misionit do të vendosin kurora me lule para sarkofagut të vojvodës në Manastirin “Shën Spas” në kryeqytetin maqedonas.
Goce Dellçev lindi më 4 shkurt (23 janar, sipas stilit të vjetër) 1872 në Kukush, qyteti i sotëm Kilkis në Greqi, si fëmija i tretë nga gjithsej nëntë fëmijët e familjes së Nikolla dhe Sulltana Dellçevi.
Pas vitit 1888 ai studioi në Gjimnazin Bullgar të Selanikut, ku mori pjesë në një rreth të fshehtë revolucionar. Më pas studioi në Shkollën Ushtarake në Sofje. Dy vjet ishte mësues ekzarku në Shtip, ku u tërhoq në Organizatën e Brendshme Revolucionare të Maqedonisë dhe Edrenesë - VMORO. Punoi në përfaqësinë jashtë shtetit të VMORO-s në Sofje dhe si kryeinspektor i çetave. Me ndihmën e oficerëve bullgarë, ai ndërtoi forcën e armatosur të çetave të VMORO-s në rajonet historike të Maqedonisë dhe Trakisë së Edrenesë.
Në Bullgari, Goce Dellçev nderohet si apostull revolucionar i VMORO-s, bullgar etnik dhe hero kombëtar. Ai vazhdoi luftërat nacionalçlirimtare dhe punën e komiteteve të nisur nga Apostulli i Lirisë Vasil Levski.
Goce Dellçev është përkrahës i idesë së autonomisë së Maqedonisë në situatën politike të fillimit të shekullit të 20-të.
Së bashku me Dame Gruev dhe figura të tjera revolucionare, ata arritën të shtyjnë shpalljen e një kryengritjeje kundër sundimit osman në të dy rajonet deri në verën e vitit 1903. Më 3 maj të po këtij viti, ai vdiq në një betejë me ushtrinë turke në fshatin Banica, në territorin e Greqisë së sotme. Eshtrat e Goce Dellçevit u transferuan gjatë Luftës së Parë Botërore në Institutin Shkencor Maqedonas në Sofje. Në vitin 1946, me urdhër të komunistëve në pushtet në Bullgari, eshtrat e vojvodës iu dorëzuan autoriteteve jugosllave në Shkup.
Në Maqedoninë e Veriut, gjithashtu nderohet Goce Dellçev, por mohohet origjina e tij etnike bullgare. Vetë Goce Dellçevi e cilëson veten kategorikisht si bullgar dhe bashkatdhetarët e tij në Maqedoni i quan bullgarë. Emri "maqedonas", sipas terminologjisë së atëhershme, përdorej për bullgarët etnikë, turqit, grekët, shqiptarët, vllahët, romët, hebrenjtë nga rajoni gjeografik i Maqedonisë dhe kur u referohej sllavëve vendas, nënkuptohej një identitet rajonal bullgar.
Në shekullin e 21-të Bullgaria i ka propozuar shumë herë Maqedonisë së Veriut një festë të përbashkët të heronjve të përbashkët historikë dhe ngjarjeve të nderuara në të dyja vendet, përfshirë festën e Goce Dellçevit. Propozimet u refuzuan nga Shkupi me arsyetimin se kjo e kërcënon identitetin maqedonas.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto : arkiv, BGNES (arkiv)
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Në vitin 2025 shënohen 80 vjet nga bombardimi atomik mbi qytetin japonez Hiroshima. Sipas traditës, në shenjë solidariteti me viktimat e sulmit, çdo vit më 6 gusht shoqëria bullgare ka mundësi të shohë një relikte unike – “Guri nga Hiroshima”. Ai..
Më 6 gusht, Kisha Ortodokse Bullgare kremton një nga Dymbëdhjetë Festat e Mëdha të Zotit – Shpërfytyrimin e Zotit tonë Jezu Krisht. Kjo festë lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme ungjillore – shfaqjen e Jezu Krishtit në lavdinë e Tij qiellore..
Në zonën Predella, më 2 gusht, do të shënohet 122-vjetori i shpërthimit të Kryengritjes së Ilindenit me një ceremoni vendosjeje kurorash dhe lulesh para monumentit “Ilindeni”. Bashkia e Razllogut njofton se ceremonia do të mbahet me pjesëmarrjen e një..