Ndërsa dimri e ngrin natyrën jashtë, të fshehura në strehëzat e tyre, të mbrojtura nga i ftohti dhe kërcënimet jashtë, breshkat flenë gjumin e tyre dimëror. Por çfarë ndodh me to gjatë kësaj periudhe? Ku ndihen më të sigurta dhe kur duhet të presim që të zgjohen? Në fshatin Banja, jo shumë larg nga qyteti i Detit të Zi, Nesebër, ndodhet e vetmja Qendër e Shpëtimit të Breshkave Tokësore në Bullgari – një shtëpi komode për më shumë se 200 kafshë që lëvizin ngadalë. Banorja më e vjetër është një breshkë femër 75-vjeçare me shpinë gjemba (Testudo graeca). Е quajnë Gjyshja, edhe pse ajo ende bën vezë dhe është e moshës mesatare - përfaqësuesit e kësaj specie jetojnë mbi 120 vjet. Breshka më e vjetër në planet, Xhonatan, është 190 vjeç dhe jeton në ishullin e Shën Еlenës në Sejshelle.
Gjyshja dhe "motrat e saj" nga Qendra e Shpëtimit banojnë në një oborr të gjerë me zona me diell dhe hije, strehimore, shtëpi të vogla dhe pika uji - një "kompleks strehimi" i vërtetë për zvarranikët e lezetshëm. Përveç kësaj, këtu funksionon një spital i specializuar, ku kafshët e lënduara nga e gjithë Bullgaria marrin kujdes mjekësor para se të kthehen në natyrë - mësojmë nga Iva Llallovska, menaxhere e qendrës.
“Që nga viti 2007, kjo qendër ndihmon breshkat në vështirësi, ato janë kafshë të egra, por shumë shpesh gjenden mes njerëzve dhe kur kanë nevojë për ndihmë, për shembull janë të plagosura, ose gjenden në gjendje ankthi ose në një situatë atipike për ato sillen në qendrën tonë. Ne i ndihmojmë, pastaj i lirojmë. Ndërsa ato janë këtu, mund të bëjnë vezë nga të cilat çelin breshkat e vogla. Atyre gjithashtu u gjendet një shtëpi e re duke u lëshuar në natyrë, por duhet të jenë të shëndetshme."
Bullgaria është një nga vendet e pakta në Evropë ku gjenden ende breshka tokësore. Bëhet fjalë për dy lloje të rrezikuara - breshkën me shpinë gjemba (Testudo graeca) dhe breshkën me bisht gjembak (Testudo hermanni). Më shumë breshka ka në Rodopet Lindore, por edhe në Bullgarinë Jugperëndimore – përgjatë lumit Struma. I hasim edhe në pjesë të tjera të vendit, pohon Iva Llallovska dhe shton:
"Të gjitha speciet në vendin tonë - si ato ujore, ashtu edhe ato tokësore - janë të kërcënuara me zhdukje dhe janë në shkallë të ndryshme mbrojtjeje. Në përgjithësi, njeriu nuk ka të drejtë t'i kapë ato, t'i prekë vezët, ose foletë e tyre, të lëvizë breshkat dhe të ndërhyjë në çfarëdo mënyre në jetën e tyre. Për shkak se janë të ngadalshme, më së shpeshti ato bëhen viktima në rrugë. Por janë edhe viktima të mbarështimit të keq nga njerëzit që i marrin si kafshë shtëpiake. Ne marrim rregullisht breshka që vuajnë nga rakiti, të cilat janë rritur për një kohë të gjatë pa rrezet e diellit dhe ushqimin e duhur. Shumë shpesh bien edhe viktima të qenve, makinerive bujqësore, zjarreve etj.”
Qendra e shpëtimit punon në mënyrë aktive me fëmijët përmes kampeve të saj verore vjetore. Pjesëmarrësit e vegjël mësojnë detaje interesante për jetën e breshkave dhe ndihmojnë kafshët e shëruara të kthehen në natyrë. Përveç kësaj, ekipi organizon rrugë interesante në afërsi të fshatit për turistët që duan të eksplorojnë natyrën dhe të shohin këto krijesa të buta në mjedisin e tyre natyror. Por tani është ende dimër dhe Gjyshja, së bashku me "koleget" e saj, janë në një gjumë të thellë, duke pritur që të vijë prilli, kur do të zgjohen, gati për një cikël të ri jete dhe aventurash.
Lexoni më tepër në arkivin tonë:
Foto: Qendra e Shpëtimit të Breshkave Tokësore
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Patriku bullgar Daniill ndodhet në Tiranë, Shqipëri, për ceremoninë mortore të Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastasi në Katedralen “Ngjallje e Krishtit” në kryeqytetin shqiptar. Së bashku me Shenjtërinë e Tij është edhe Mitropoliti i Vracës Grigori. Me..
Historia e Emisioneve në Gjuhë të Huaja të Radios Kombëtare Bullgare, transmetimet e të cilëve me valë të shkurtra filluan në vitin 1936, vetëm një vit pas themelimit të Radios Bullgare, është e mbushur me fakte interesante dhe pothuajse të panjohura..
Shkencëtarët e Akademisë Bullgare të Shkencave kanë hedhur poshtë me fakte spekulimet në Serbi që kundërshtojnë identitetin kombëtar të bullgarëve në Krahinat Perëndimore. Në mesin e janarit, bashkatdhetarët tanë atje i dërguan një letër presidentit serb..
Nuk ka statistika të sakta për numrin e bullgarëve në Izrael. Vlerësohet se hebrenjtë bullgarë të shpërngulur nga vendi ynë janë rreth 50 000. Pavarësisht..