Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tre vjet më vonë - për luftën në Ukrainë, paqen dhe të ardhmen

Ne u rritëm me historitë e Luftës së Dytë Botërore ndërsa brezi i tanishëm i fëmijëve gjithashtu do të jetojë me idenë dhe do të kujtojë se kanë përjetuar luftën, na tregon këngëtarja e operës Anastasija Alltuhova

Foto: BGNES

Pikërisht 3 vjet më parë, më 24 shkurt, filloi pushtimi rus i Ukrainës - një ngjarje që zgjoi Evropën 77 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vuri në pikëpyetje një nga synimet kryesore të BE-së - parandalimin e një konflikti të ri në kontinent. Me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe dialogun e tij të tensionuar me BE-në, po vërehen hapat e parë diplomatikë për t'i dhënë fund konfliktit ushtarak, por shumë analistë mbeten skeptikë ndaj veprimeve të administratës së re amerikane. Pavarësisht takimeve si ai mes Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Riad dhe telefonatës mes Trump dhe Vladimir Putin, ekspertët theksojnë se nevojiten garanci të qarta për një paqe të arritur në mënyrë të drejtë për të dy palët dhe mbi të gjitha të qëndrueshme jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën.

A është e mundur të arrihet një paqe e drejtë në Ukrainë - me këtë pyetje, dhe me marrëveshjen se mendimi i dhënë nuk është një mendim ekspert, iu drejtuam Anastasija Alltuhovës, një këngëtare opere në Operën e qytetit Stara Zagora, e lindur në qytetin lindor të Ukrainës, Zaporozhye?
Anastasija Alltuhova
"Për mua, e vetmja paqe e drejtë do të ishte që Rusia të tërhiqej dhe të kthehej në kufijtë e saj që kishte para 3 vitesh. Unë jam nga Ukraina Lindore dhe njësitë ruse janë 50 kilometra larg qytetit tim, ndërsa gjysma e të afërmve të mi që jetojnë në fshatrat atje janë aktualisht në zona të okupuara. Nëse Rusia ka ndërmend të qëndrojë në këto territore, kjo nuk është një paqe e drejtë për mua, sepse do të thotë se unë nuk do të mund t’i shikoj më kurrë. Unë nuk do të shkoj në Rusi, nuk do të kem kontakt me këtë shtet."

Asaj i kujtohet se si në javën e parë të pushtimit, nëna dhe gjyshja qëndruan në vilën e disa të afërmve, duke mos menduar se konflikti do të thellohej. Pothuajse menjëherë pas kësaj, megjithatë, ata arritën të niseshin për në Gjermani për të jetuar me tezen e Anastasijas, e cila i ndihmoi të shpërnguleshin dhe të fillonin një jetë të re atje. Edhe pse mendon se tingëllon shumë patetike, Anastasija thotë se çdo herë që shfaqet në skenën e Operës së Stara Zagorës performancat e saj ia kushton Ukrainës.

"Po bëj më të mirën, duke shpresuar se Zoti do të më dëgjojë dhe do t'i japë paqe Ukrainës. Ndoshta tingëllon shumë emocionale, por unë e besoj. Gjithmonë sigurohem që posterat të shkruajnë se jam nga Ukraina, në mënyrë që njerëzit ta dinë se po vijnë të dëgjojnë një këngëtare nga Ukraina. Përpiqem të performoj muzikë ukrainase në çdo rast, në mënyrë që njerëzit të dinë se Ukraina ekziston edhe në botën kulturore."

Çfarë gjurmë do të lërë lufta në Ukrainë në kujtesën e brezave të ardhshëm? –Anastasija përgjigjet:

"Fakti që ka pasur një luftë në Ukrainë do të ruhet në nivelin gjenetik tek fëmijët që rriten atje sot. Ne u rritëm me histori për Luftën e Dytë Botërore dhe brezi aktual i fëmijëve do të jetojë gjithashtu me idenë se ata e përjetuan luftën dhe do të kenë kujtime për të. Kështu që nuk mendoj se është e mundur në 100 apo 200 vjet që ne të jemi përsëri miq me Rusinë."

Anastasija Alltuhova është jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj drejtorit të Operës Stara Zagora, Ognjan Draganov, i cili si mësues i saj në Akademinë e Muzikës në Sofje, e ftoi atë ta ndiqte dhe së bashku me disa kolegë të saj nga viti 2021 për t'u bërë pjesë e kastit të operës.

Bashkatdhetarja e saj Oksana Harkiv, avokate nga Kievi, ka një fat jo kaq të mirë profesional në Bullgari. Ukrainasja ka ardhur në vendin tonë në fillim të luftës, por nuk mund ta ushtrojë profesionin e saj dhe aktualisht është një shtëpiake. Oksana është mjaft skeptike në lidhje me përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit ushtarak në atdheun e saj dhe beson se zgjidhjet vështirë se do të jenë në favor të bashkatdhetarëve të saj:
Oksana Harkiv me vajzën e saj
"Ukraina nuk ishte e përgatitur për luftë. Qeveria jonë do paqe nga Putini, por nuk mendoj se Ukraina do të jetë në një pozicion të fortë gjatë negociatave. Ndërsa qytetarët ukrainas nuk do të kuptojnë gjithçka që vendi ynë ka arritur të negociojë në negociata të tilla, sepse politika e sotme në Ukrainë po zhvillohet pothuajse tërësisht në errësirë."

Megjithatë, të dyja gratë shpresojnë që kur të jetë e mundur, të kthehen sërish, pa frikë, nën qiejt e qetë të atdheut të tyre të lirë. Deri atëherë, shtëpia e tyre do të mbetet Bullgaria.

Lexoni më tepër:
Foto: BGNES, arkiva personale
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ivajllo Naçev

Shkencëtarët bullgarë në Antarktidë analizojnë aktivitetin diellor dhe ndikimin e tij në Tokë

Në bazën bullgare të Antarktidës “Shën Kliment Ohridski” janë instaluar pajisje matëse që mbledhin të dhëna të vlefshme për aktivitetin diellor dhe lidhjen e tij me fushën magnetike të Tokës për dy muaj. Studimet po kryhen në kuadër të projektit të..

botuar më 25-02-23 7.25.PD

74% e mjekëve të rinj zgjedhin Bullgarinë

Për të tretin vit radhazi, numri i mjekëve të rinj që duan të qëndrojnë në Bullgari pas diplomimit po rritet. Këtë e tregojnë rezultatet e një sondazhi mes 224 të diplomuarve bullgarë në vitin 2024 në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e..

botuar më 25-02-23 6.15.PD
Kompleksi arkeologjik

Jeta e trakëve dhe zbulimet e shkencëtarëve vendas – në fokus në "Lugina e mbretërve trakë"

“Trakët, vera dhe kultura” është tema e seminarit në kompleksin arkeologjik “Lugina e mbretërve trakë” pranë Kazanllëkut, i cili do të mbledhë së bashku shkencëtarë dhe studiues nga e gjithë Bullgaria më 22 shkurt. Ky është edicioni i nëntë i..

botuar më 25-02-22 7.30.PD