Është e Diela e të Lidhurit të Djathit. Sipas traditës ortodokse, dita kremtohet çdo vit në prag të Kreshmës së Madhe, kur të krishterët falin njëri-tjetrin. Kjo është dita e fundit para kreshmës, në të cilën besimtarët mund të konsumojnë bulmetra prej nga vjen edhe emri - E Diela e Të Lidhurit të Djathit. Kjo ndodh pasi të dielën e mëparshme, kur bie E Diela e Të Lidhurit të Mishit, është dita e fundit para Kreshmës, kur mund të hahet mishi dhe produktet e mishit.
Në shërbesën e mbrëmjes, besimtarët i drejtohen njëri-tjetrit me fjalët “Më fal!” dhe “Të faltë Zoti!” dhe përqafohen në shenjë dashurie vëllazërore. Në këtë ditë mblidhen familjet dhe fëmijët me përulësi kërkojnë falje nga prindërit e tyre, të vegjlit nga më të mëdhenjtë dhe anasjelltas.
Për Kishën tonë Kreshma e Madhe është më e rëndësishmja nga të gjitha, sepse ajo i përgatit shpirtërisht besimtarët për festën më të ndritshme - Ngjalljen e Krishtit. Në këtë kuptim, falja perceptohet si një kusht i domosdoshëm për bashkimin me Zotin.
Sipas fjalëve të At Kliment Harizanov nga kisha "Shpërfytyrimi i Zotit" në kryeqytet, "një i krishterë nuk pret që dikush t'i kërkojë falje, ai është i pari që shtrin dorën dhe kërkon falje, edhe nëse e kanë ofenduar. Kjo është ajo që na mëson Shpëtimtari ynë, i cili thotë: "Falni dhe do të faleni", "Me atë masë që matni, do t'ju matet edhe juve", "Nëse ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja."
Kështu, Kisha i inkurajon besimtarët që të çlirojnë shpirtrat e tyre nga fyerjet e grumbulluara dhe të përmbushen me dashuri, butësi, përulësi, të pajtohen me armiqtë dhe të ndjejnë mëshirë e dhembshuri për të gjithë.
Dhe e gjithë kjo arrihet me kreshmimin. Privimi nuk është vetëm nga ushqimi, por edhe nga komoditetet dhe argëtimet e ndryshme që ushqejnë “egon”. Dhe kur egoizmi tërhiqet, njeriu më lehtë fal dhe sheh cilësitë e veta negative.
Prandaj, kreshmimi shoqërohet edhe me ndërgjegjësimin për gabimet dhe pendimin e sinqertë për veprimet e nxitura nga krenaria.
Kështu, nëpërmjet pastrimit të shpirtit dhe trupit, besimtarët përgatiten për bashkim me Zotin nëpërmjet Kungimit të Shenjtë.
Lexoni më shumë për traditat e festës në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova, BTA, BGNES, FreepikJava e Madhe ose java e pësimit të Zotit Jezu Krisht është e fundit para Pashkëve. Kjo javë është gjithashtu më e rrepta në fund të Kreshmës së Madhe të gjatë, e cila i përgatit besimtarët për Ngjalljen e Krishtit. Fillon pas së dielës në të cilën të..
Me aromë pranvere dhe me pritjen për Ringjalljen e madhe të Krishtit, Dita e Dafinave (Cvetnica) është një nga festat më të dashura në Bullgari. Që në mëngjes herët, njerëzit mbushin kishat për të nderuar këtë ditë të shenjtë dhe për të ndarë gëzimin e..
Sot bëhen 46 vjet nga fluturimi i kozmonautit të parë bullgar Georgi Ivanov. Më 10 prill të vitit 1979 në orën 20:34, sipas orës së Moskës, anija kozmike “Sojuz-33” u hodh në orbitë rreth Tokës. Në bord, së bashku me komandantin e fluturimit Nikollaj..