Një koncert në Los Anxhelos me një program tërësisht bullgar, kushtuar festës kombëtare 3 mars, do të mbahet më 21 mars. Këtë e bëri të ditur në një intervistë për Radio Bullgarinë kompozitorja e njohur e filmit Penka Kuneva.
Përveç dy veprave dhe orkestrimeve të saj për kuartet harqesh, flaut dhe piano të realizuara prej saj për gjashtë këngë nga repertori i korit me famë botërore "Misteri i Zërave Bullgarë", në koncert do të shfaqen vepra të Petko Stajnov, Marin Goleminov, Panço Vlladigerov, Milen Kirov dhe Petër Hristoskov. Publiku do të ketë mundësinë të shikojë edhe trailerin e filmit më të ri të regjisorit Millko Llazarov - "Kopeja" . Penka Kuneva e kompozoi muzikën për të, si dhe për filmin e mëparshëm të regjisorit - "Aga" (2018):
"Iniciativa po zbatohet me ndihmën e Konsullatës Bullgare në Los Anxhelos. Ideja ishte që të zhvillonim një koncert në të cilin do të performonim vetëm vepra bullgare me qëllim që të prezantojmë publikun dhe trupin diplomatik me muzikën tonë klasike amtare. Antonín Dvořák, Bedřich Smetana dhe Edvard Grieg janë emra me famë botërore, por ne nuk kemi kompozitorë më pak të gjenialë, si Ljubomir Pipkov, Marin Goleminov, emrat e të cilëve nuk dihen jashtë vendit”, tregon Penka Kuneva.
"Për mua folklori dhe përrallat tona popullore kanë qenë gjithmonë një burim i madh frymëzimi. Kompozimi im i parë, i zgjedhur për t'u përfshirë në një film, është ndikuar nga të ashtuquajturat tinguj dhe tonalitete joperëndimore. Kjo e bëri atë shumë të suksesshëm dhe kuptova që rrënjët dhe kultura ime janë shumë të forta dhe duhet ta theksoj këtë për të ecur përpara", ndan kompozitorja dhe shton:

"Kështu ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve. Albumi im më i famshëm, i cili doli para 10 vitesh, i quajtur “Gruaja astronaute” (The Woman Astronaut) , është ndikuar shumë edhe nga identiteti dhe kultura ime bullgare, të cilën e mbaj brenda vetes. Do të thoja se unë dhe Milen Kirov shquhemi këtu sepse po shkelim në rrënjët tona shumë të forta".
Pas 26 vitesh përvojë profesionale në Los Anxhelos, përveçse në titullin e fundit të një sërë serialesh televizive dhe hitesh filmike, emri i Penka Kuneva është gjithashtu pjesë e një parku tematik të NASA-s:
"Imagjinoni një muze që është shumë interaktiv. Ekspozitat në të janë kryesisht raketa dhe anije kozmike, por përveç tyre mund të shikoni edhe shumë filma, për të cilët duhej ta kompozoja muzikën."
"Unë punoj me njerëz që kanë një vizion dhe janë krijues dhe më duket shumë interesante të komunikoj me njerëz të tillë. Një artist duhet të ketë gjithashtu aftësi shumë të mira organizative, sepse ndërtimi i një karriere është shumë i vështirë, është si një maratonë. Këtu, unë kam qenë në Los Angeles për 26 vjet dhe sa zhanre kam provuar - televizion, kinema, video lojëra të reja, parqe tematike... Çdo punë si kjo kërkon aftësi të reja, të mësosh stile të reja muzikore, të menduarit shumë fleksibël, të punosh me njerëz nga vende të ndryshme, me personalitete të ndryshme. Më ndihmoi që kam qenë gjithmonë shumë intuitive, fleksibël dhe e gatshme për të mësuar gjëra të reja.”
Foto: arkivi personal i Penka Kunevës
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
“Një libër plot humor, por edhe me të vërteta që mund të jenë të dhimbshme” – Peter Georgiev Ray hapi perden drejt romanit të tij të ri "Dita kur më morën virgjërinë", premiera e të cilit u zhvillua më 6 tetor në galerinë “Bullgarë” në kryeqytet...
Më 15 tetor, në Bibliotekën Rajonale "Dora Gabe" në qytetin Dobriç do të hapet Ekspozita Filatelike “Dobriç Fileks 2025”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 17 tetor dhe i kushtohet 85-vjetorit të rikthimit të Dobruxhës së Jugut në..
Në zemër të Sofjes, në ndërtesën prestigjioze të Universitetit “Shën Kliment Ohridski”, u shpalos një copëz shpirti shqiptar. Bëhet fjalë për prezantimin e romanit “Gërsheti i prerë” nga shkrimtarja e njohur Majlinda Bregasi – një zë i fuqishëm i..