Shkolla Kombëtare për Artet Folklorike "Filip Kutev" nuk është një shkollë e zakonshme, por një fabrikë e vërtetë për talente. Kjo është shkolla e parë jo vetëm në Bullgari, por edhe në Ballkan për studimin profesional të folklorit. Ndodhet në zemër të qytetit të bukur rilindas Kotell, i shpallur rezervat arkitekturor dhe historik. Aktualisht, në këtë shkollë mësojnë 280 fëmijë nga e gjithë Bullgaria në lëndët: instrumente popullore bullgare, fyell, gajde, gadulka, tambura si dhe këngë popullore, valle popullore bullgare dhe fizarmonikë.
Marija Gradeshlieva tashmë prej 25 vitesh drejton këtë institucion arsimor, i cili është shndërruar në një shtëpi për talentet nga rajone të ndryshme të vendit. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ajo ndan se si shkolla arrin të tërheqë gjithnjë e më shumë të rinj drejt folklorit, t'i ushqejë ata me dashuri për traditat dhe dëshirën për të ruajtur identitetin tonë bullgar.
"Shkolla është krijuar në vitin 1967, ku në fillim u pranuan 27 fëmijë të talentuar nga e gjithë Bullgaria, të cilët mësonin instrumente popullore. Klasa e parë e këngëtareve popullore u pranua në vitin 1977, por me kohën shtuam edhe drejtime të reja, si lutierë, valle popullore dhe fizarmonikë etj." – tregon Marija Gradeshlieva për zhvillimin e shkollës. Në ditët e sotme ajo ofron arsim për nxënësit nga klasa e 5-të deri në të 12-ën.
Deri tani më shumë se 2 300 persona kanë përfunduar shkollën – këto janë katër breza bullgarësh, pohon drejtoresha. Shumë prej tyre tashmë punojnë në ansamble profesionale, shkolla muzikore dhe japin mësim në shkolla folklorike në Bullgari. Ndër ish-nxënësit e shkollës janë muzikantë të njohur si fyelltari i famshëm Teodosij Spasov, kompozitori dhe dirigjenti i orkestrës folklorike të BNR-së Dimitër Hristov, dirigjenti kolonel Radi Vasilev etj. Tani fëmijët dhe nipërit e tyre gjithashtu janë të apasionuar pas ritmeve bullgare dhe vijnë në Kotell për t'iu përkushtuar atyre.
Në shkollë mbizotëron një atmosferë bashkimi dhe bashkëpunimi krijues, pohon Marija Gradeshlieva, dhe shton:
"Ne kemi një konvikt me 120 vende dhe kështu formohet një cikël i mbyllur. Konvikti dhe shkolla janë në një ndërtesë. Kemi një mensë, ku të gjithë hanë së bashku. Dhe krijohet një mjedis shtëpiak dhe njëkohësisht krijues, sepse në mbrëmje fëmijët mblidhen. Lidhja mes tyre është jashtëzakonisht e fortë – gjatë gjithë ditës komunikojnë, luajnë së bashku dhe bëjnë art, që është më shumë se një proces mësimor – është një mënyrë jetese," – thotë Marija Gradeshlieva.
Pavarësisht përparimit të internetit dhe teknologjive moderne në botën tonë bashkëkohore, të rinjtë vazhdojnë të zbulojnë magjinë e folklorit dhe traditave bullgare. Sipas drejtores së shkollës, një nga gjërat kryesore që i tërheq ata është vazhdimësia, sepse fëmijët shohin se si brezat ndryshojnë, por folklori mbetet i pandryshuar dhe me të njëjtin ndikim.
Një nga specialitetet më të kërkuara për momentin janë vallet popullore dhe fizarmonika, për shkak të shumimit të klubeve dhe shkollave të kërcimit në të gjithë vendin dhe nevojës për koreografë dhe fizarmoniçistë. E nderuar mes muzikantëve të ardhshëm profesionistë është gjithashtu dhe gajdja:
"42 gajde kemi në shkollë, interesi më i madh është për këtë instrument. E shpjegoj këtë gjë me faktin se shtetasi bullgari e do gajden t'i bjerë për raste të bukura, për dasma, për pagëzime, në tryezë. Dhe prindërit preferojnë të kenë një gajdexhi në shtëpinë e tyre, kur fëmija i tyre është i talentuar. Ky është një instrument më i fuqishëm në tingull, i cili dëgjohet larg."
Çdo muaj në shkollë organizohen produksione – një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që të tregojnë aftësitë e tyre para publikut. Ish-nxënësit e saj marrin rregullisht pjesë në koncerte dhe turne jashtë vendit, fitojnë çmime prestigjioze ndërkombëtare dhe përhapin famën e folklorit bullgar në mbarë botën.
Lexoni më tepër:
Mali i Ballkanit, qeramika dhe fruti i kumbullës janë simbol i rajonit të Trojanit . Banorët vendas dinë si t’i ruajnë traditat e tyre. Këtë e dëshmon edhe ngjarja që shënon fundin e vitit bujqësor në fund të çdo shtatori – Festivali Bullgar i Kumbullës..
Edhe këtë vit, adhuruesit e lutenicës së sapopërgatitur do të kenë mundësinë ta shijojnë këtë kryevepër të shijshme kulinarie në veprimtarinë tradicionale ku ajo është në qendër të vëmendjes – “Festivali Kurtovo Konare”. Programi përfshin një repertor..
Edicioni i gjashtë i Festës së Bukës, Këngës dhe Vallëzimit, me një ekspozitë bukësh dhe prodhimesh të bukës nga Vatrat e Kulturës në komunën e Silistrës, do të mbahet më 12 shtator në orën 18:00 në sheshin “Liria” të qytetit. Programi përfshin..