Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Regjisori shqiptar Robert Budina: Shikuesit duhet të shohin thellë

Pjesëmarrje e fuqishme shqiptare në Sofia Film Fest

Regjisori Robert Budina
Foto: Sindi Nikollofski

Vitet e fundit është forcuar bashkëpunimi mes kinemasë bullgare dhe asaj shqiptare. Prodhimet shqiptare gjithnjë e më shumë po gjejnë vend në festivalet bullgare dhe anasjelltas. Kjo tregon ndërveprimin artistik në rritje mes dy vendeve tona, i cili sjell histori të fuqishme në ekranin e madh.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sofje Sofia Film Fest është një mundësi e shkëlqyer për kinemanë shqiptare që të depërtojë në tregun ndërkombëtar. Edicioni i 29-të i Festivalit paraqiti nga 13 deri më 31 mars një program të pasur me premiera, retrospektiva dhe takime me kineastë të njohur – 171 filma nga 58 shtete. Ndër to, pati një takim me publikun në Sofje edhe prodhimi kinematografik shqiptar "Pikë Uji" ("Waterdrop"). Filmi shqyrton tema të thella sociale dhe psikologjike, duke vënë në qendër të vëmendjes realitetin bashkëkohor shqiptar.

Lexoni më tepër:

Historia: Aida, një grua biznesmene e fortë që jeton në një qytet shqiptar në brigjet e Liqenit të Ohrit, punon në një punë fitimprurëse si planifikuese urbane, përgjegjëse për alokimin e subvencioneve të BE-së. Ndërsa një pjesë e madhe e këtyre fondeve përvetësohet nga shefi i saj i korruptuar, Aida nuk përshtatet me marrjen e ndonjë ryshfeti herë pas here, për të ruajtur vendin e saj në një botë ultra-maskiliste dhe patriarkale.

Jeta e saj e rehatshme shkatërrohet kur djali i saj adoleshent, Marku, akuzohet për sulm seksual nga një shoqe klase. E bindur për pafajësinë e djalit të saj, Aida fillon të hetojë vetë kundër dëshirës së bashkëshortit dhe policisë. Gjatë kërkimit të së vërtetës, ajo haset me një mur heshtjeje, zilie dhe paragjykimi të thellë – dhe në fund duhet të pranojë një realitet rrëqethës.”


Historia e filmit është e provokuar nga ngjarje reale jetësore, mësoi Radio Bullgaria nga regjisori Robert Budina gjatë shfaqjes së filmit më 19 mars në kinema Odeon në Sofje. Sipas tij, ky film është introspektiv, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si fëmijët rriten dhe formohen në një shoqëri që shpesh shmang përgjegjësinë.

I provokuar nga reagimi shoqëror ndaj historive delikate, ai shqyrton në thellësi psikologjinë e një nëne të fuqishme, e cila përballet me sfidat e një sistemi të korruptuar. Dhe inspirimi vjen nga një ngjarje e ngjashme me shokët e fëmijëve të tij:

 “Në fundin e vitit 2018, fillimin e 2019, ndodhën 2-3 ngjarje që kulmuan me një specifike, që nuk dua ta përcaktoj se do bëja të njëjtën gjë siç bën media, e cila më frymëzoi. Po ajo që ishte më domethënësja, ishte se si opinioni publik dhe mediat u sollën me këtë ngjarje, të cilat vunë në pah viktimën dhe u përpoqën të fshihnin arsyet e vërteta pse ndodhi kjo histori dhe madje vetë qyteti bëri çdo të mundur që kjo histori mos të dilte në pah. Dhe pjesa tjetër është që dy fëmijët e mi rastësisht luanin me dy nga këta djemtë që ishin të akuzuar dhe erdhën ma sollën në shtëpi dhe thanë që ishte faji i vajzës, nuk ishte faji i tyre, mbasi ata u arrestuan. Së bashku me bashkëshorten, që është producente e kompanisë që ne punojmë së bashku, menduam që mbase ishte momenti për të bërë një anatomi për mënyrën si funksionon shoqëria, cilat janë raportet e individit, familjes, pushtetit? Si sillemi ne me njëri tjetrin. Ndonjëherë ti mendon se je larg këtyre gjërave, por në fakt, nga mënyra si sillet shoqëria, një ditë ajo do të vijë tek dera e shtëpisë. Nuk donim të bënim film për viktimën, por për arsyet pse ngjarje të tilla ndodhin.”

Regjisori Robert Budina me Sindi Nikollofski nga Redaksia e Gjuhës Shqipe e Radio Bullgarisë

Filmi i tij "Pikë Uji" është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Çmimet "Oscar" të 97-ta në kategorinë për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar. I pyetur se çfarë do të donte z. Budina që shikuesit të merrnin me vete pas shikimit të këtij filmi, ai thekson:

Shikuesit duhet ti shohin thellë. Të rrisësh fëmijë në ditët e sotme është shumë e vështire dhe ky film, më shumë se çdo gjë tjetër, i drejtohet këtyre grupmoshave, të cilat mendojnë se duhet të ndërtojnë një familje. Ne kemi pasur dy fëmijë dhe unë gjithmonë kam pasur kompleksin që jam larg tyre, që nuk po shpenzoj kohë, që nuk po rri shpirtërisht me ta dhe gjithmonë kam qenë i trembur se kjo largësi mund tu krijoj atyre një boshllëk emocional, i cili mund të ndërtojë një personalitet ndryshe nga çdo doja unë që ata të kishin. Dhe është një lloj kërkimi falje edhe ky film. Kështu që shikuesit duhet të marrin këtë lloj energjie, për mënyrën si ne i rrisim fëmijët dhe si sillemi me ta. Është shumë e rëndësishme ti qëndrosh pranë shpirtërisht fëmijës tënd.”

Regjisori shqiptar, megjithatë, nuk e mendon se filmi i tij mund të sjellë ndryshime në mënyrën se si trajtohen çështjet e korrupsionit dhe dhunës.

“Jo, nuk mendoj se do sjellë ndryshime. Ma kanë bërë shpesh edhe në Shqipëri këtë pyetje, nuk ndodh në mënyrë konkrete, absolutisht. Çfarë bën një film? Një film lë një gjurmë të fortë emocionale. Një emocion që nuk të shqitet. Dhe sa herë ty të vijnë në mendje ngjarje të tilla, ty ta sjell kujtesa jote emocionale këtë emocion që ke përfituar dhe njëkohësisht je i ndërgjegjshëm për pasojat që sjellin mungesa të caktuara të reagimit. Kështu që nuk e ka reagimin konkret, pragmatik, aktual por e ka gjallë në kohë. Pra ne duhet të ndërtojmë shtyllat e brendshme emocionale të shoqërisë tonë dhe mbasi të kemi ndërtuar këto, nuk e di sa vjet mund të marrë, atëherë ne do të bëjmë një shoqëri më të mirë, por kanë dhe një gjë tjetër: që nuk janë të dukshme, të prekshme, por ndryshimet emocionale janë shumë të fuqishme. Thjesht mund të lexohen. Nuk është se njerëzit do shohin një film dhe do ngrihen në protestë. Ata reflektojnë.”

Projekti i ardhshëm i z. Budina – "Pasuesi i Padukshëm" – është një film i frymëzuar nga periudha e komunizmit – vetëvrasja e Mehmet Shehut – një ngjarje që përmbledh në vetvete çështje të pushtetit, marrëdhënieve familjare, dashurisë dhe urrejtjes.

Që të dëgjoni intervistën e plotë me regjisorin shqiptar Robert Budina, klikoni mbi ikonën:

Foto: Sindi Nikollofski, Sofia Film Fest

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Javor Millushev me IKAR për kontributin e jashtëzakonshëm në teatrin bullgar

Në Ditën e Teatrit - 27 Mars, Lidhja e Artistëve në Bullgari tradicionalisht dorëzoi Çmimet Kombëtare IKAR për Artet Performuese. Çmimin për kontribut të jashtëzakonshëm në teatrin bullgar e mori aktori Javor Millushev personalisht nga presidenti..

botuar më 25-03-28 3.43.MD

Bullgaria merr pjesë në Panairin e Librit në Lajpcig me një program të pasur kulturor

Autorë dhe figura kulturore bullgare përfaqësojnë vendin tonë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Lajpcig. Mes tyre është poeti, shkrimtari, kompozitori dhe muzikanti Emanuill Vidinski, i cili sot, 28 mars, do të marrë pjesë në diskutimin "Midis..

botuar më 25-03-28 10.22.PD
Georgi Grozev

Georgi Grozev studion trumbetë në Gent dhe e bën të njohur Bullgarinë në mbarë botën

“Muzika më gjeti vetë”, thotë Georgi Grozev dhe, duke qeshur, fillon të tregojë një ngjarje nga kopshti i fëmijëve, kur kishte shkuar vetë të regjistrohej për mësime në piano. Dhe kështu, në fakt, filloi rruga ime në muzikë. Krejt pa ndonjë..

botuar më 25-03-23 7.30.PD