Pashkët e vitit 2020 mbetën në histori për dy arsye. E para ishte gjendja e jashtëzakonshme, për shkak të Covid-19 që po shpërthente atëherë dhe që na imponoi një sërë kufizimesh, pasojat e të cilave ende po i përballojmë. E dyta, për fat të keq, është përsëri pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Por ajo vazhdon edhe sot, madje pa shpresë për përfundimin e saj të afërt. Bëhet fjalë për luftën në rrugë, e cila, në 19 prillin e tmerrshëm të vitit sfidues 2020, i mori jetën një gazetari bullgar. Milen Cvetkov ishte nga ato personalitete të forta që nuk bënin kompromis kur bëhej fjalë për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe denoncimin e padrejtësive shoqërore e politike. Ai nuk lejonte që pyetjet e rëndësishme të heshteshin për shkak të presionit të qarqeve me ndikim dhe këmbëngulte që të thuhej e vërteta, edhe nëse kjo nënkuptonte përballje me interesa të fuqishme. Pikërisht ky qëndrim i tij pa kompromis – në emër të gazetarisë objektive dhe të pavarur – e shndërroi atë në simbol të luftës kundër abuzimeve sistematike nga të fuqishmit e ditës. Dyshimet nëse vdekja e tij ishte një përpjekje për vrasje apo një aksident i zakonshëm i fatkeq vazhdojnë të mbeten.
Regjisori Veselin Dimanov dhe redaktori Dimitër Stafidov, me mbështetjen e fëmijëve të Milenit – Kalina dhe Bojan, filluan punën për skenarin e filmit “Milen”, i cili e paraqet gazetarin e dashur pa maskë – ashtu siç ishte gjatë gjithë jetës së tij. Filmi bazohet në mbi 40 intervista, qindra orë arkiv televiziv dhe arkivin personal të gazetarit. Premiera u mbajt më 20 shkurt në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NDK).
“Mbi 40 intervista, secila prej tyre nga 1 deri në 3 orë, kryesisht me kolegë të Milenit. Filmi përfaqëson 90% rrëfim për karrierën e tij në të gjitha shfaqjet dhe ngjyrat e saj dhe 10% jetë personale, përmes syve të fëmijëve të tij, sepse ata vetë duan të tregojmë çfarë gazetari ishte Mileni” – shpjegon Dimitër Stafidov.
Ndër kolegët që flisnin për punën dhe miqësinë e tyre me Milen Cvetkov, spikasnin emrat e gazetarëve Llora Krumova, Georgi Millkov, Kamen Vodeniçarov dhe të tjerë.
Dimitër pranoi se të prekësh në këtë mënyrë botën e Milenit dhe të bësh film për të është një nder i jashtëzakonshëm, pasi prindërit e tij kanë qenë shikues të të gjitha emisioneve të Milenit ndër vite, gjë që e ka lejuar ta dëgjojë zërin e tij çdo ditë nga ekrani.
Filmi për Milen Cvetkov nuk është i pari i realizuar nga tandemi profesional Dimanov – Stafidov. Në vitin 2022, në ekran u shfaq filmi “Morali është e mira”, i dedikuar një tjetër personaliteti emblematik të skenës sonë shoqërore-politike – juristit Kristijan Takov, i cili ndërroi jetë nga kanceri në vitin 2017. Megjithëse kanë fat të ndryshëm, ka diçka që i bashkon këta dy bullgarë:
“Tranzicioni që nuk ndodhi dhe mbeti në kujtesën e bullgarëve si diçka që është e keqe, nuk ka ndodhur dhe, sigurisht, dikush ka përfituar prej tij. Këto janë personalitete që i qëndruan përballë ndryshimeve të këtij tranzicioni dhe për ta ia vlen të tregohet” – është i bindur Veselin Dimanov.
Morali në Bullgari po përballet me gjyqe çnjerëzore, tha avokati Kristijan Takov gjatë jetës së tij, i cili u shndërrua në simbol të përpjekjes së një të tërë brezi bullgarësh për një shoqëri më të drejtë. Ndoshta kjo është një nga arsyet për suksesin e jashtëzakonshëm që filmi pati edhe mes komuniteteve bullgare jashtë vendit:
“Unë u përpoqa që gjithçka në film të ishte perfekte, por nuk mendoja se një sukses i tillë, si ai që pati jashtë vendit, ishte i mundur për një film të këtij lloji. Ai është specifik, nuk është i destinuar për publik të gjerë, megjithëse u përpoqëm ta paraqesim në një gjuhë të kuptueshme. Sipas mendimit tim, nevoja e njerëzve për të besuar në diçka me vlerë është ajo që tërheq vëmendjen e publikut si ndaj filmit të mëparshëm, ashtu edhe, shpresojmë, ndaj filmit të tanishëm. Njerëzit thjesht kanë nevojë për diçka që t’u tregojë drejtimin e duhur” – thotë Stafidov.
Të dy shpresojnë se, njësoj si “Morali është e mira”, edhe filmi i tyre “Milen” do të përfshihet në përzgjedhjen e kanaleve televizive ndërkombëtare për filma.
Fotografi: BGNES, Tanja Millusheva (Horizont), afflatus.bg, Facebook /MILEN - Dokumentar
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Dita e Evropës apo Dita e Fitores? 8 apo 9 maj? Përballemi vazhdimisht me tema që na ndajnë shoqërisht. Data aktuale, 9 maji – fitorja mbi Gjermaninë naziste më 1945 në Luftën e Dytë Botërore, gjithashtu shkakton debate çdo vit. Duhet të..
Urime Papës së ri Leo XIV! Le të punojë me mençuri dhe përkushtim për një botë më paqësore dhe dialog midis të gjithëve, shkroi kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov në "X" me rastin e zgjedhjes së kreut të ri të Vatikanit dhe të bashkësisë..
Ndërkohë që para 20 vitesh në shkollën bullgare "Danubi" në Linz, Salzburg dhe Vels kishte vetëm 6 fëmijë, sot në tre filialet e saj shtatë mësues mësojnë 140 fëmijë. Ashtu si dhe qendra të tjera arsimore bullgare nëpër botë, edhe "Danubi" që nga krijimi..
Konkursi ndërkombëtar i komunikimit shkencor FameLab synon të zbulojë, trajnojë dhe t'u ofrojë një platformë shkencëtarëve më të shquar në botë...
Parlamenti Evropian miratoi me shumicë të madhe raportet mbi Serbinë dhe Kosovën, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të drejtave të komuniteteve..
Urime Papës së ri Leo XIV! Le të punojë me mençuri dhe përkushtim për një botë më paqësore dhe dialog midis të gjithëve, shkroi kryeministri bullgar..