Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

100 vjet nga akti më brutal terrorist në historinë bullgare

Prof. Veselin Jançev: Sulmi në katedralen "Shën Nedelja" është pjesë e një kursi të përgjithshëm politik, i ndjekur nga Partia Komuniste Bullgare në atë periudhë

Foto: BTA-arkiva

Sulmi në kishën katedrale "Sveta Nedelja" më 16 prill 1925 është akti më i përgjakshëm terrorist në historinë e Bullgarisë. Për nga brutaliteti dhe qëllimi i tij – në të Enjten e Madhe, nuk i afrohet asnjë akti tjetër. 

Gjatë Javës së Shenjtë, një shekull më parë, në kishë humbën jetën 134 persona, por në ditët në vijim numri kaloi mbi 200, pasi një pjesë nga 500 të plagosurit gjithashtu vdiqën. Dita e sulmit nuk është e rastësishme edhe për një arsye tjetër – më 14 prill është vrarë paraprakisht gjeneral Konstantin Georgiev. Shërbesa përkujtimore e përfaqësuesit të pushtetit sjell në kishë elitën ushtarake dhe politike të vendit. Pritej që në mesin e tyre të ishte edhe Madhëria e Tij, mbreti Boris III. Por monarku vonohet, pasi në të njëjtën ditë është në varrimet e shokëve të tij, të vrarë gjatë një sulmi të pasuksesshëm ndaj monarkut gjithashtu më 14 prill në kalimin Arabakonak. Qëllimi i atentatorëve ka qenë të eliminojnë sa më shumë figura politike me ndikim.

Cilat janë parantezat historike që çuan në këtë akt të përgjakshëm?
Prof. Veselin Jançev
„Partia Komuniste Bullgare e kuptonte shumë mirë se në Bullgari nuk kishte kushte për veprim të menjëhershëm revolucionar dhe i rezistonte presionit të Kominternit për të filluar një luftë të armatosur – kujton historiani dhe pedagogu i Universitetit të Sofjes, prof. Veselin Jançev. – Në fund të fundit shpërthen e ashtuquajtura Kryengritje e Shtatorit (1923), e cila tregon qartë se në atë moment partia komuniste nuk është në gjendje të ndryshonte pushtetin ekzistues. Ajo nuk kishte potencial njerëzor, organizativ apo ushtarak për ta bërë këtë dhe logjikisht kërkonte rrugë të tjera për zhvillim të mëtejshëm politik. Por këtu ndërhyjnë Vasil Kollarov dhe Georgi Dimitrov, të cilët janë udhëheqës të kryengritjes dhe vendosin që kursi i luftës së armatosur dhe marrjes me forcë të pushtetit përmes një kryengritjeje të re duhet të vazhdojë.

Që kjo të ndodhte, kishte dy rrugë të mundshme – krijimi i një organizate ushtarake ilegale dhe mbajtja e një lëvizjeje partizane-banditeske, e cila do të destabilizonte pushtetin. Pikërisht në këtë drejtim u përqendruan përpjekjet e të gjithë partisë dhe ajo ndaloi së qeni një forcë politike, duke u shndërruar në një organizatë të paligjshme, të fshehtë“ – kujton historiani prof. Veselin Jançev.
Policia shoqëron të burgosurit politikë të arrestuar pas Kryengritjes së Shtatorit të vitit 1923.
Pas shtypjes së Kryengritjes së Shtatorit, që shpërtheu në të njëjtin muaj të vitit 1923, partia komuniste u ndalua dhe pushteti e shtoi presionin dhe represionin ndaj anëtarëve të saj. Nga ana e tyre, ata fillojnë të planifikojnë sulme kundër përfaqësuesve të pushtetit ose policisë. Më 16 prill 1925, në orën 15:23, atentatorët ndezin fitilin e bombës dhe pas shpërthimit, një re e zezë ngrihet mbi kishë. Kambana kryesore e tempullit shembet dhe poshtë saj humbin jetën shumë njerëz të pafajshëm. Mes viktimave janë 12 gjeneralë, 15 kolonelë dhe oficerë të tjerë që kishin mbijetuar dhe kishin luftuar në mënyrë heroikë për atdheun e tyre në tre, katër luftëra. Tragjedia është e madhe, shkaktohet kaos.
Dëmet në kishë
Sipas prof. Jançev, përpjekjet për ta konsideruar pushtetin legjitim dhe organet e rendit si përgjegjës për atë që ndodhi në katedrale, nuk janë diçka e re.

„Ajo u gjenerua automatikisht gjatë rrjedhës së ngjarjeve, madje edhe para se të ndodhte ajo që ndodhi, me justifikimin se shteti ushtron terror, të cilit duhet t’i përgjigjesh. Megjithatë, fakt është që kjo politikë, e ndjekur nga udhëheqja e Partisë Komuniste për ngritjen e një kryengritjeje të re të armatosur, nuk pranohej në mënyrë të njëzëshme as brenda vetë radhëve të partisë, sepse disa prej tyre e kuptonin që kjo do të ishte fundi i plotë i partisë, pasi pas atentatit filloi një proces largimesh masive nga partia dhe zemërim për këtë akt jo vetëm jokrishterë, por çnjerëzor.“
Kisha pas sulmit - kartolinë
Edhe pse nga kjo datë e zezë për Bullgarinë ka kaluar një shekull, ende mbeten zbrazëti në histori mbi atë që ndodhi. Ndër to është edhe përgjigjja për pyetjen: cilat ishin qëllimet konkrete të autorëve të tij?

“Për fat të keq, shpjegimet që kemi në dispozicion janë dhënë pas faktit. Ato janë nga ata veprimtarë që mbetën gjallë dhe të interesuar të paraqiten të pafajshëm. Organizatorët kryesorë u vranë menjëherë pas atentatit dhe synimet e tyre vështirë se do t’i mësojmë ndonjëherë. Për më tepër, tingëllon plotësisht e palogjikshme që njerëz që janë ushtarakë dhe merren me veprimtari politike të mendojnë se pushteti politik mund të përmbyset përmes zhdukjes fizike të udhëheqjesve. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, sepse një parti në pushtet nuk përbëhet vetëm nga dhjetë ministra. Ideja që duke eliminuar udhëheqjen politike do të krijohet panik që do të përhapet në të gjithë shtetin dhe ai do të bllokohet, sipas mendimit tim, është më tepër se naive,” – është i bindur historiani.
Një pllakë përkujtimore për viktimat e vendosur në murin e kishës
Foto: BTA-arkiva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Muzeu Historik – Batak

Batak është një simbol i një historie të shkruar me gjak dhe kocka

Batak është një emër që çdo bullgar e shqipton me respekt dhe dhimbje, sepse fati i qytetit të vogël malor është shënuar nga një nga ngjarjet më të përgjakshme në kujtesën tonë kombëtare - Masakrat e Batakut. Dhe nuk ka asnjë bashkatdhetar, i cili..

botuar më 25-03-03 8.10.PD

Mitropoliti Antonij mbi Ortodoksinë si një urë shpirtërore midis kulturave

Gati 40 vjet më parë, Komunitetet e Kishës Ortodokse Bullgare në Evropën Perëndimore dhe Qendrore u ndanë në disa qytete - Budapest, Mynih, Vjenë, Stokholm, Malmö, Oslo dhe Paris. Pas hyrjes së vendit tonë në Bashkimin Evropian, me zgjerimin e..

botuar më 25-02-25 7.30.PD

Blloku i shënimeve të Levskit është një univers - aty zbulohen fytyrat e shumta të Apostullit

Vasill Levski ishte një revolucionar dhe hero kombëtar bullgar që luftoi për çlirimin e Bullgarisë nga Perandoria Osmane. Ai është ideolog, themelues dhe organizator i Organizatës së Brendshme Revolucionare, për të cilën bullgarët mirënjohës e quajnë..

botuar më 25-02-18 7.30.PD