Krijimi i radhës prej sheqeri i Marija Oztjurk – një maket i Bazilikës “Shën Pjetri” në Romë – na provokoi ta kërkojmë bashkatdhetaren tonë pikërisht në këto ditë të ndritura festive. Edhe pse prej vitesh jeton mes Bullgarisë dhe megapolisit turk Stamboll, ajo nuk ndalon së lavdëruari vendin tonë në mbarë botën si pjesëmarrëse dhe si juriste në konkurse prestigjioze të dedikuara dekorimit të tortave me sheqer. Aty ajo njeh dhe shkëmben përvojë me shumë krijues nga e gjithë bota, krijon kontakte dhe miqësi të çmuara që e frymëzojnë.
“Ajo që më frymëzoi të bëj të gjitha ndërtesat deri tani, përfshirë edhe Bazilikën 'Shën Pjetri' në Vatikan, e cila me shumë gjasë është një nga vendet më të vizituara nga turistët në të gjithë botën, është një ftesë për pjesëmarrje në bashkëpunime ndërkombëtare mes artistëve të sheqerit nga vende të ndryshme. Jam shumë e lumtur, sepse shpesh më ftojnë në ngjarje të tilla, dhe organizatorja e fundit ishte kolegia ime nga Italia – Katja Guida. Ajo kishte zgjedhur temën – 'Roma', qyteti i lashtë, që mbledh kaq shumë vlera historike dhe arkitekturore. Meqë unë kam një afinitet ndaj ndërtesave prej sheqeri – kam bërë tashmë kishën bullgare 'Shën Stefan' dhe kishën time të dashur – 'Shën Sofija' në Stamboll. Bazilika 'Shën Pjetri' në Qytetin e Përjetshëm është projekti im i fundit i përfunduar.”
Familja e Marijas është "e pasur me fe" – bashkëshorti i saj është mysliman, por të gjithë së bashku respektojnë si festat myslimane, ashtu edhe ato të krishtera. Në këtë frymë është edukuar edhe djali i tyre, Atila. Maria është e bindur se ura midis feve, njohja e një feje të ndryshme mund të na bëjë vetëm më të pasur dhe të zvogëlojë ndarjen mes nesh, të paktën për arsye fetare, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme në kohën e vështirë në të cilën jetojmë.
Ndërsa krijimi i maketit të katedrales “Shën Pjetri” në prag të Pashkës së Ringjalljes, të cilën këtë vit katolikët dhe ortodoksët e festojnë në të njëjtën datë – 20 prill, ndoshta është rastësi, por mbart një mesazh të rëndësishëm:
“Shumë shpesh ndodh një përkim i tillë i datave, madje më kujtohet që disa vite më parë përkuan si data një nga Bajramet me Pashkën katolike dhe ortodokse. Atëherë një nga kompanitë e mëdha që tregton kafe në Turqi, kishte bërë postera të mëdhenj me të cilët uronin njerëzit për këto festa. Së bashku apo veçmas i festojmë, gjëja e rëndësishme është një – të jemi të mirë dhe të përulur. Në kohët që jetojmë, me jashtëzakonisht shumë sfida si politike, ashtu edhe financiare e fetare, ne duhet të jemi të përulur. Sepse pikërisht agjërimet dhe Pashka janë për këtë gjë. Kur shpirtrat tanë janë të qetë, kjo ndikon në veprimet, fjalët dhe marrëdhëniet tona me njerëzit, qofshin ata të afërmit tanë apo njerëzit me të cilët komunikojmë dhe punojmë çdo ditë.”
Përveçse pjesëmarrëse dhe juriste në gara ndërkombëtare, Marija është edhe organizatore e një ngjarjeje të ngjashme në vendin tonë, në të cilën garojnë artistë të sheqerit nga vende të ndryshme. Emri i saj është “Bullgaria ime”, dhe mikpritës kanë qenë Zllatogradi, Momçillovci dhe vende të tjera të vendit tonë. Edicioni i sivjetshëm do të jetë në qytetin e saj të lindjes, Gabrovo. Administrata komunale e Qytetit të humorit dhe shakave, i njohur gjithashtu si vendlindja e "Rockefeller-it bullgar" (industrialisti nga gjysma e parë e shekullit XX, Penço Semov), i ka bërë ftesë Marija Oztjurkut të organizojë një “festival sheqeri” me rastin e përvjetorit të qytetit.
“As pandemia nuk arriti të na ndalojë dhe që nga themelimi i tij para 9 vitesh e deri tani, çdo vit, përveç një prezantimi virtual, ne bëjmë edhe një ekspozitë reale. Këtë vit tema është 165-vjetori i themelimit të Gabrovos. Do të ekspozohen shumë projekte interesante të dekoratorëve vendas të sheqerit të njohur dhe të shpërblyer. Do të ketë ndërtesa, do të përfshijmë diçka nga humori i Gabrovos, si dhe figura të qytetarëve emblematikë. Ekspozita do të jetë shumë interesante dhe do të jetë pjesë e një festivali të artit prej sheqeri. Ai do të fillojë më 3 korrik me punëtori dhe me edicionin e dytë të Asamblesë së Sheqerit për fëmijë 'Bullgaria ime'. Më 4 korrik do të jetë hapja e ekspozitës, e cila i kushtohet përvjetorit të Gabrovos, dhe më 5 korrik do të jetë darka gala, në të cilën finalistët e garës online Cake Art Bulgaria do të shpërblehen në një atmosferë solemne dhe festive” – zbulon paraprakisht mjeshtrja e artit të sheqerit Marija Oztjurk.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Universitet i Ri Bullgar shpall fillimin e nismës “Ditët Pranverore të Arteve” – një festë e krijimtarisë dhe kulturës. Nga 22 prill deri më 5 qershor, do të mbahen mbi 30 aktivitete kulturore dhe artistike me pjesëmarrjen e studentëve, profesorëve..
Një koleksion unik i paneleve të tekstilit të Evropës Perëndimore (goblenë) prezantohet për herë të parë në Galerinë Kombëtare - Kuadrat 500 në sheshin "Aleksandër Nevski" në Sofje. Eksponatet janë dorëzuar nga Banka Popullore Bullgare në vitet..
Për herë të 32-të, Festivali i Fëmijëve për Pashkë do të bashkojë fëmijë bullgarë nga vende të ndryshme në qytetin serb të Bosilegradit, në mënyrë që ata jo vetëm të tregojnë mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e vezëve më të bukura dhe origjinale të..
Universitet i Ri Bullgar shpall fillimin e nismës “Ditët Pranverore të Arteve” – një festë e krijimtarisë dhe kulturës. Nga 22 prill deri më 5..