Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Iva Hölzl-Nikolova – bullgarja në Orkestrën e njohur Austriake Bruckner

Foto: ivahoelzlnikolova.at

Iva Hölzl-Nikolova është një interpretuese me një individualitet të veçantë dhe një repertor të pasur. Ajo përkufizohet nga kritikët si "një muzikante jashtëzakonisht e talentuar dhe inteligjente me interpretimin e saj të termit "vjenez". E lindur në Sofje, mësimet e para të violinës i filloi në moshën 5-vjeçare dhe në moshën gjashtë vjeçare ajo u shfaq tashmë në skenë. Mësuesi i saj i parë ishte legjendari Trendafill Millanov. Ajo u diplomua në Shkollën Muzikore të Sofjes, në klasën e pedagogut të shquar të muzikës Aleksandër Serafimov. Fituese në disa konkurse prestigjioze në Bullgari dhe jashtë saj. Ndërsa në vitin 1991 shkoi në Vjenë.

"Doja të vizitoja Vjenën sepse për mua ishte një qendër botërore e muzikës. Aplikova në Shkollën e Lartë të Muzikës dhe Arteve Skenike, që tani është Universiteti i Muzikës (Musikhochschule in Wien). Më pranuan në klasën e profesor Josef Sivo (pedagog dhe solist i shquar, koncertmjeshtër i Filarmonisë së Vjenës) dhe kështu filloi jeta ime në kryeqytetin austriak. Vazhdova shkollimin në Konservatorin e Vjenës (Konservatorium der Stadt Wien) te prof. Alexander Arenkov. Fitova një konkurs për të qenë pjesë e Tonkünstler-Orchester – orkestrën e Austrisë së Poshtme. Punova atje për 10 vjet. U largova sepse ndërkohë kisha fituar një vend në orkestrën e Operës Shtetërore të Vjenës (Wiener Staatsoper). Unë isha një nga dy violinistet e para të lejuara të luaja në këtë orkestër. Aty punova tre vjet, më pas u bëra pjesë e Orkestrës Bruckner në Linz, në pozicionin e udhëheqësit të violinës së parë (Stimmführerin 1. Violine) me detyrat e një koncertmjeshtri – në këtë pozicion jam edhe sot e kësaj dite”.


Orkestra Bruckner është një orkestër simfonike e njohur që është gjithashtu në shërbim edhe për Teatrin Shtetëror të Linzit (Landesttheater Linz). Pra, Iva Nikolova luan gjithashtu në opera, opereta dhe shfaqje muzikore, shpesh nën dirigjimin e dirigjentit me famë botërore Markus Poschner - dirigjent kryesor i orkestrës.
Orkestra Bruckner
"Programi ynë është shumë i pasur. Ai përfshin vepra absolutisht nga të gjitha zhanret", thotë violinistja bullgare. "Simfonitë e Brucknerit janë pothuajse Bibla jonë, ne i luajmë vazhdimisht në absolutisht të gjitha versionet. Gjithashtu simfonitë e Mahler, Çajkovskit, Rachmaninoff. Dirigjenti Markus Poschner është një muzikant i jashtëzakonshëm. Ai solli shumë ide të reja. Mendoj se nën drejtimin e tij orkestra është rritur shumë."

Iva Hölzl është gjithashtu një soliste aktive dhe muzikante dhome. Në vitin 2023 ajo pati një recital në një nga sallat e Musikverein. Kjo ishte performanca e saj e parë solo në kompleksin e famshëm muzikor, por ajo shprehet se si anëtare e orkestrës nga viti 2004 deri në 2007, ajo fjalë për fjalë ka jetuar në sallën ikonike vjeneze. Repertori i saj është mbresëlënës: nga Bach deri te Schnittke, nga Paganini te Bartok dhe Webern. Bashkëpunimi me kompozitorë bashkëkohorë si Erich Urbaner, Vladimir Panchev, Rumen Balyozov dhe Ivan Eryod e kanë pasuruar atë. Tudor Saveanu, Michael Amann dhe burri i saj Wolfgang Hölzl shkruajnë veçanërisht për të, ndërsa në vitin 2001 kompozitori dhe violinisti Andreas Baksa krijoi një koncert violine për të talentuarën Iva.

Vogl String Trio
Një nga kthimet e mëparshme të Ivës në atdheun e saj ishte si pjesë e Vogl String Trio. A ekziston edhe sot treshja?

"Aktualisht është në qetësi, por nuk është shpërbërë, ne i ruajmë kontaktet. Dëgjohemi shpesh me Elissaveta Staneva-Vogl dhe po mendojmë se çfarë pjesë të reja mund të mësojmë, trio të reja, si mund të vazhdojë krijimi ynë i përbashkët muzikor."

Edhe violistja Elissaveta Staneva-Vogl është bullgare. Së bashku me bashkëshortin e saj, violonçelistin Bernhard Vogl dhe Iva Nikolovën, ata formuan Vogl String Trio, e cila publikoi një CD shumë interesante me muzikë të Max Reger. Por gjithsesi, aktiviteti kryesor i Ivës është në Orkestrën Bruckner. Ndërkohë kompozitori Bruckner gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në jetën e saj personale, sepse ai e bashkoi atë së bashku me burrin e saj, muzikologun dhe kompozitorin Wolfgang Hölzl.

“Po, doli diçka interesante”, kujton Iva Nikolova për takimin e tyre. “Meqenëse im shoq kishte shkruar një libër për Simfoninë e Shtatë të Bruckner-it – një libër analitik, më thirri për të shkëmbyer informacione dhe për të më pyetur për disa përshtypje, thjesht si interpretuese”.


E pyetur se kur mund ta presim sërish në Bullgari, Iva Hölzl-Nikolova përgjigjet se ka mundësi që ta shohim dhe ta dëgjojmë këtë verë në festivalin Sofia Music Weeks. Ndërkohë Iva shprehet se është e lumtur se ka shumë bullgarë të shquar në Vjenë dhe muzikantët bullgarë gëzojnë karriera të suksesshme.


Foto: ivahoelzlnikolova.at, brucknerhaus.at, haus-hofmannsthal.jimdofree.com
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Ruse fillojnë Ditët Muzikore të Marsit

Sot në Ruse fillon edicioni i 64-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Ditët Muzikore të Marsit”. Ai do të zgjasë deri më 31 mars. Në kuadrin e aktivitetit do të mbahen njëzet e tre koncerte me vepra nga Rilindja dhe Baroku deri te muzika..

botuar më 25-03-14 8.25.PD

"Magjia"pranverore e Irina Fllorin

Irina Fllorin është ndër këngëtaret bullgare me një ndjenje të theksuar moderniteti në të gjitha dimensionet e tij. Tendencat më aktuale përshkojnë muzikën e saj, me të cilën ajo vazhdon të jetë e pranishme prej vitesh në skenën bullgare...

botuar më 25-03-13 8.15.PD

Muzika e Milen Kirov - një përzierje emocionuese e muzikës klasike me xhaz dhe folklor

"Ku është "shtëpia" ime?" është një pyetje, përgjigjja e së cilës duket logjike: “Aty ku kam lindur”. Por jeta e çdo një prej nesh mund të na bëjë të ndihemi njëlloj si në shtëpinë tonë në pjesë të ndryshme të botës. E tillë është rruga e pianistit..

botuar më 25-03-13 7.05.PD