Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Më 18 maj rumunët do të votojnë sërish për president

George Simion dhe Nicushor Dan janë dy kandidatët që do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani më 18 maj. Simion, kandidati i partisë nacionaliste “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve”, fitoi 41% të votave në raundin e parë më 4 maj. Kandidati i pavarur Nicushor Dan, i cili është kryetar bashkie i Bukureshtit, fitoi 21% dhe la pas kandidatin e koalicionit qeveritar, Crin Antonescu.

Humbja e Antonescut çoi në dorëheqjen e kryeministrit Marcel Ciolacu. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm Catalin Predoiu mori përkohësisht postin e kryeministrit.

Turbulencat politike sollën rënie të vlerës së valutës kombëtare. Banka Kombëtare e Rumanisë shpenzoi mbi 7 miliardë euro në tregun ndërbankar për të frenuar rënien e saj.

Greqia prezanton sistemin me numra personal të qytetarëve

Greqia po prezanton një numër personal qytetari, i detyrueshëm edhe për të huajt që jetojnë dhe punojnë në vend. Është nënshkruar një dekret presidencial për lëshimin e këtij numri personal, bëri të ditur për televizionin shtetëror ministri i Administratës Digjitale Dimitris Papastergiou.

Për të shmangur gabimet administrative në lëshimin e dokumenteve shtetërore, çdo grek do të marrë një numër me 3 shifra me një kod të shtuar nga regjistrimi i tij tatimor. Për lehtësi, numri i ri do të përfshihet në kartat e reja të identitetit, por dokumentet nuk do të ndërrohen nëse janë ende të vlefshme.

Për shembull, gjatë vizitës tek mjeku, qytetarët grekë do të tregojnë vetëm numrin personal. Ai do të përmendet edhe në recetat mjekësore. Për çdo shërbim nga institucionet shtetërore, do të nevojitet vetëm ky numër. Ai do të lëshohet automatikisht dhe do të përfshihet në dosjen tatimore dhe të sigurimeve shoqërore.

Trafiku i ngarkuar në Stamboll i shkakton miliarda humbje 

“Qarkullimi i rënduar në Stamboll nga numri i madh i makinave dhe mosrespektimi i rregullave i kushton ekonomisë turke deri në 7 miliardë dollarë në vit”, deklaroi për Agjencinë Anadoll profesori Selim Dundar nga universiteti “Okan”. Sipas tij, trafiku vjen kryesisht për shkak të numrit të madh të automjeteve që tejkalojnë kapacitetin e rrjetit rrugor në metropol. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe sjellja e drejtuesve, parkimi i gabuar dhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.

“Zgjerimi i rrjetit rrugor është një zgjidhje e përkohshme. Shtimi i korsive nxit më shumë njerëz të përdorin makina, çka sjell më shumë bllokime. Vetëm investimet në zhvillimin e transportit urban dhe përhapja e përdorimit të biçikletave do të kenë efekt pozitiv për uljen e trafikut”, tha Dundar.

Parlamenti Evropian miratoi një raport kritik për përparimin e Serbisë drejt BE-së

Incidenti në Novi Sad u bë simbol tragjik i korrupsionit sistematik, nepotizmit dhe mekanizmave të papërshtatshëm të kontrollit. Kështu deklaroi raportuesi për Serbinë, Tonino Picula, në raportin e tij të parë para Parlamentit Evropian, njoftoi televizioni N1. Në raport thuhet gjithashtu se, megjithëse ka përparim në negociatat për anëtarësim në BE, Serbia ende duhet të kapërcejë pengesa të mëdha në përmirësimin e dialogut politik të brendshëm, reformat për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme të BE-së.

Picula tha se raportin e tij e ka shkruar në kushte që përfshinin praktika jo-diplomatike, akuza të pabazuara, manipulime dhe sulme personale në vendin pritës, njofton BGNES.

Milanoviç tha në Shkup se për Maqedoninë e Veriut ka alternativë edhe jashtë BE-së

“Maqedonia e Veriut nuk duhet të pranojë asnjë shantazh në këmbim të anëtarësimit në BE”, tha në Shkup presidenti kroat Zoran Milanoviç në një konferencë për shtyp me presidenten Gordana Siljanovska, njoftoi MIA. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut po merr shumë këshilla – nga fqinjët, nga diplomacia ndërkombëtare dhe nga BE-ja – por jo të gjitha janë “të mençura apo të dobishme”.

“Nuk kam ndërmend të polemizoj, as të përmend Bullgarinë fqinje. Ata kanë idetë e tyre se si duhet të duken gjërat. Rregullat janë të qarta, nevojitet konsensus dhe unanimitet. Përderisa dikush është kundër Maqedonisë, për fat të keq, ajo nuk mund të përparojë në këtë rrugë. Pyetja e vetme është nëse kjo është ende gjëja më e rëndësishme në botë apo ka gjëra të tjera që e përcaktojnë një shtet si të suksesshëm. Nuk kam ç’të ju këshilloj – vendimi është i juaji”, tha Milanoviç.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: BGNES, Facebook /Dimitris Papastergiou, Reuters, toninopicula.com, pretsedatel.mk
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Masat fiskale godasin familjet në Rumani në sfondin e një deficiti rekord Rumania po hyn në një periudhë të vështirë ekonomike dhe komentuesit parashikojnë që kriza do të zgjasë të paktën një vit. Që nga 1 gushti i këtij viti, në vend hyrën..

botuar më 25-08-09 8.10.PD
Kapiten Marin Marinov

U hap një hetim para gjyqësor në lidhje me vdekjen e kapitenit Marin Marinov në Gaza

Në Prokurorinë e Qytetit të Sofjes u hap një hetim para-gjyqësor në lidhje me vdekjen e kapitenit Marin Marinov, njofton BTA, duke iu referuar organit të akuzës shtetërore. Hetimi u hap më 19 maj pas një sinjali nga avokati Minço Spasov dhe ka të bëjë..

botuar më 25-08-07 3.33.MD
Diana Hjusein

Figura publike bënë thirrje që Bullgaria të mos heshtë për situatën në Gaza

Personalitete publike kërkuan nga shteti të marrë një qëndrim për situatën në Gaza. "Ndërkohë që në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pranë OKB-së po zhvillohet një proces mbi akuzat për gjenocid, Bullgaria nuk ka të drejtë morale të heshtë apo të..

botuar më 25-08-04 4.36.MD