Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Turqia ishte mikpritëse e negociatave të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës 


Përpjekjet diplomatike turke bashkuan delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll më 16 maj për herë të dytë që nga fillimi i luftës, transmetoi BTA. Bisedimet e zhvilluara janë negociatat e dyta të drejtpërdrejta midis dy palëve ndërluftuese, pas atyre të pranverës së vitit 2022, të cilat u pritën përsëri nga Stambolli.

U zhvilluan dy raunde bisedimesh në Stamboll - i pari me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Turqisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, dhe i dyti - i Turqisë, Rusisë dhe Ukrainës. Në bisedimet në formatin midis Turqisë dhe dy shteteve ndërluftuese nga pala turke morën pjesë Ministri i Jashtëm Hakan Fidan dhe kreu i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës İbrahim Kalın. Në hapje të takimit, Fidan theksoi se është me rëndësi kyçe të arrihet një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Një përfaqësues i lartë i delegacionit ukrainas i tha Associated Press se pala ruse ka bërë "kërkesa të papranueshme" që nuk janë diskutuar më parë.

Deri vonë Kremlini refuzonte të zbulonte nëse Putini do të merrte pjesë personalisht në bisedimet në Turqi. Në fund të fundit, u bë e qartë se Putini nuk ishte pjesë e delegacionit rus të dërguar në Stamboll dhe të kryesuar nga Vladimir Medinski, asistenti i tij. Në këtë situatë, Zelenski u largua nga Turqia për në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Kishte pasiguri edhe rreth pranisë së presidentit të SHBA-së në bisedime. Trump fillimisht pranoi mundësinë e ndalimit në Turqi gjatë një turneu të tij në Lindjen e Mesme. Më vonë u bë e qartë se Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen në Stamboll nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Pas negociatave të drejtpërdrejta më 16 maj midis Rusisë dhe Ukrainës, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan përmblodhi rezultatet - të dyja palët arritën një marrëveshje në parim për t'u takuar përsëri për negociata, për të shkëmbyer kushte me shkrim për një armëpushim dhe për të shkëmbyer 1000 robër lufte. Nëse ky shkëmbim i dakordësuar, i cili u njoftua edhe nga Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ndodh, ai do të jetë më i madhi që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, transmetoi BTA.

Edi Rama fitoi mandatin e katërt për Kryeministër të Shqipërisë 



Partia Socialiste e Kryeministrit shqiptar Edi Rama fitoi mbi 52% të votave në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kështu Rama merr një mandat të paprecedentë të katërt në krye të vendit, raportoi BTA. Me këtë rezultat socialistët lanë dukshëm pas koalicionin "Shqipëria Madhështore" rreth partisë kryesore opozitare – Partia Demokratike e Shqipërisë e ish-Kryeministrit dhe Presidentit Sali Berisha. 

Rreth dyzet parti morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, të cilat duheshin të përcaktonin ndarjen e 140 vendeve në parlament, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte pak mbi 42%. Për herë të parë edhe diaspora shqiptare pati mundësinë të japë votën e vet. 

Zgjedhjet u ndoqën nga afër nga BE-ja dhe u konsideruan si një test për pjekurinë demokratike të këtij vendi ballkanik, pa dyshim më pro-evropian në rajon, i cili për disa dekada gjatë shekullit XX u qeveris nga një prej diktaturave më të mbyllura në botë.
 
Pas fitores së tij, Rama falënderoi votuesit dhe premtoi që brenda 5 vitesh Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Opozita nëpërmjet Berishës deklaroi se zgjedhjet ishin "rrëmbyer në mënyrën më kriminale", raportoi Euronews Bulgaria. 

Rënie prej 30% e investimeve të huaja në Rumani 



Investimet e drejtpërdrejta të huaja në Rumani janë ulur pothuajse në 1,7 miliardë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 krahasuar me rreth 2,5 miliardë euro gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2024. Kjo do të thotë një rënie prej mbi 30%, llogariti Banka Kombëtare e Rumanisë, e cituar nga Radio Romania International. Deri në fund të marsit në Regjistrin Tregtar të vendit figuronin 260 mijë kompani me pjesëmarrje të huaj. Më të shumtë janë investitorët nga Italia – mbi 54 mijë kompani, me kapital themeltar prej 3,7 miliardë euro. Por me kapitalin më të madh dallohen kompanitë nga Holanda – 13,2 miliardë euro në 6200 kompani. 

Gjatë javës, dhomat e biznesit në Rumani shprehën shqetësime lidhur me përkeqësimin e klimës së biznesit në vend. Sipas tyre, konteksti elektoral i zgjatur ka çuar në ngadalësimin e reformave, prej të cilave varen stabiliteti i vendeve të punës dhe investimet, raportoi BTA. 

Më 24 nëntor në Rumani u zhvillua raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, i cili u anulua nga Gjykata Kushtetuese për shkak të dyshimeve për ndërhyrje nga Rusia në favor të kandidatit të ekstremit të djathtë për president, Călin Georgescu. Më 4 maj u zhvillua raundi i parë i zgjedhjeve të reja presidenciale, sipas rezultateve të të cilave në raundin e dytë – më 18 maj – do të përballen kandidati i ekstremit të djathtë George Simion dhe kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, matematikani pro-evropian Nicușor Dan. Një fitore e mundshme e Simionit mund të izolojë Rumaninë, të minojë investimet private dhe të destabilizojë krahun lindor të NATO-s, ku Bukureshti luan një rol kyç në ofrimin e mbështetjes logjistike për Ukrainën, komentojnë vëzhgues politikë, të cituar nga BTA. 

Pas pakënaqësive: Greqia lehtësoi kushtet për pushime me kamperë 



Pas një reagimi të fortë shoqëror, Ministria greke e Turizmit shpalli lehtësimin e kushteve për pushime me kamperë në vend – për ndalimin dhe parkimin e tyre. Qëndrimi i përkohshëm i kamperëve dhe karavanave do të realizohet në zona të posaçme, raportoi nga Greqia korrespondentja e BNR-së, Katja Peeva. 

Në fillim të muajit u fut një urdhëresë, sipas së cilës ndalohej në mënyrë të shprehur vendosja apo parkimi i kamperëve dhe karavanave në zona publike si parkingje, plazhe, parqe ose zona pyjore me qëllim të mbrojtjes së natyrës dhe të mbrojtjes së monumenteve kulturore. 

Pavarësisht lehtësimit të kushteve, përsëri rekomandohet të përdoren kampingje të pajisura me rrymë elektrike dhe ujë. 

Sa i përket karavanave, kushtet mbeten të rrepta. Nuk ndryshohet kushti, sipas të cilit në një pronë nuk mund të ketë më shumë se një karavan. 

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: aa.com.tr, AP/BТА, Pixabay, greekcitytimes.com

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Rumania përgatitet të marrë hua për të financuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes Pavarësisht rezultatit të paqartë të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Rumani më 4 dhe 18 maj, kreu i përkohshëm i shtetit Ilie Bollzhan njoftoi një..

botuar më 25-05-03 7.20.PD

Po vazhdon debati midis Sofjes dhe Shkupit se kush po ndërton dhe kush nuk po ndërton Korridorin Nr. 8

Këto janë histori maqedonase për natën e mirë. Kështu komentoi për Televizionin Kombëtare Bullgar (BNT) Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Grozdan Karaxhov fjalët e kolegut të tij nga Maqedonia e Veriut në lidhje me Korridorin Nr. 8...

botuar më 25-05-02 10.43.PD
Presidenti Rumen Radev (majtas) dhe lideri i GERB-it Bojko Borisov

Presidenti dhe udhëheqësi i GERB-it u grindën për avionët tanë të rinj F-16

Lideri i GERB-it, Bojko Borisov, dhe Presidenti Rumen Radev u grindën në media rreth avionëve të rinj luftarakë F-16 të vendit tonë, i pari prej të cilëve ndodhet tashmë në tokën bullgare, ndërsa i dyti është duke ardhur drejt nesh. “Ne e paguam..

botuar më 25-04-30 5.57.MD