Futja e pritur e monedhës së vetme evropiane nga 1 janari 2026 është një nga shumë temat që e ndajnë shoqërinë. Përveçse është një shkak për përplasje politike, euroja është gjithashtu një shkak shqetësimi për disa prej qytetarëve bullgarë. Frika më e madhe midis njerëzve lidhet me pritjen e një rritjeje të ndjeshme të çmimeve. Dhe ndërsa pushtetarët betohen se nuk do të lejojnë spekulime dhe rritje të çmimeve të produkteve masive, ka një treg tjetër që nuk mund të ndikohet nga asnjë organ rregullator, por lëviz sipas rregullave të veta mbi parimin e tregtisë së lirë - ka kërkesë, ka ofertë.
Ky është tregu i pasurive të paluajtshme, ku çmimet janë rritur shumëfish vitet e fundit, edhe pse ende nuk jemi anëtarë të eurozonës. Këtu, transaksionet janë kryer kryesisht në euro për dekada të tëra. Megjithatë, me pranimin e Bullgarisë në eurozonë, ka shqetësime se çmimet e pronave do të rriten edhe më shumë. Disa shohin baza për pritje të tilla, për shembull, për faktin se rezerva e detyrueshme që bankat duhet të mbajë tani në Bankën Kombëtare Bullgare (BNB) do të bjerë nga 12% në 1%. Kjo automatikisht do të çojë në çlirimin e rreth 15 miliardë levave kapital “të freskët”, i cili, nëse përdoret për kredi hipotekare, mund të çojë në një fryrje edhe më të madhe të flluskës së pronave.
Ulja e rezervave të detyrueshme të bankave mund të çojë në një rritje të çmimeve, por jo domosdoshmërisht - thekson ekonomisti Stojan Pançev, bashkëthemelues i Klubit të Ekspertëve për Ekonomi dhe Politikë.
"Një mënyrë që kjo të ndodhë është lirimi i rezervave minimale të kërkuara në banka, pra që bankat të kenë një likuiditet edhe më të madh në dispozicion të cilin ta japin si kredi. Kjo do të ndodhë nëse nuk vendosen kufizime. Ka dy mënyra për imponimin e kufizimeve dhe ato reduktohen në një rritje të normës së interesit. Njëra mënyrë është që të ndodhë njëfarë konvergjence midis normës së interesit bullgar, e cila është një nga më të ulëtat në Evropë, me atë të Bankës Qendrore Evropiane. Ose të ketë një fillim të recesionit, një formë krize financiare, e cila gjithashtu do të rriste normat e interesit. Domethënë, nëse këto gjëra nuk përmbushen, është plotësisht e mundur që për shkak të likuiditetit shtesë që vjen nga ulja e rezervave minimale të kërkuara, të kemi një rritje shtesë të çmimeve të pronave", shpjegon Pançev.
Sipas tij, inflacioni dhe çmimet pas adoptimit të euros me siguri do të rriten në përgjithësi, por tregu i pasurive të paluajtshme është një rast më i veçantë dhe pikërisht për shkak të faktorëve të përmendur, nuk mund të thuhet me 100 për qind siguri nëse atje do të ketë një korrigjim të tillë.
"Sa i përket kredive hipotekare, aktualisht normat e interesit në Bullgari janë jashtëzakonisht të ulëta. Për mua, skenari më i mundshëm është që normat e interesit të rriten", parashikon ekonomisti.
Sipas Ivan Vellkov, anëtar i Bordit Drejtues të Dhomës Ekonomike Bullgare dhe nënkryetar i Këshillit Botëror të Ekspertëve të Federatës Ndërkombëtare të Specialistëve të Pasurive të Paluajtshme, rritja spekulative e çmimeve është konsumuar tashmë nga tregu dhe futja e euros sigurisht që nuk do të çojë në një rritje shtesë, më të shpejtë se ajo aktuale e çmimeve.
"Kjo rritje spekulative e çmimeve të pronave ka ndodhur tashmë. Nuk do të thoja që çmimet do të rriten më shpejt, ose më ngadalë, vetë fakti i adoptimit të euros nuk mund të përshpejtojë ose ngadalësojë proceset që lidhen më shumë me proceset tona të brendshme ekonomike. Përkundrazi, pyetja e madhe në lidhje me shpejtësinë me të cilën ndryshojnë çmimet e pronave lidhet me inflacionin në Bullgari dhe BE. Është fakt se paratë po zhvlerësohen me shpejtësi. Bullgaria thjesht do të bëhet pjesë e një tregu të madh të përbashkët, ku rritjet e çmimeve të pronave vërehen në absolutisht çdo ekonomi të madhe evropiane", beson Ivan Vellkov.
Eksperti thekson se dy faktorët që ndikojnë më shumë në çmimet e pasurive të paluajtshme janë pamja ekonomike në Bullgari dhe sjellja e bankave. 15 miliardët që bankat bullgare do të marrin pas lirimit të rezervave të tyre gjithashtu nuk do të kontribuojnë në ndryshimet në treg, theksoi Vellkov:
"Këto 15 miliardë do të jenë një pikë uji në oqean, sepse vlera e stokut të ndërtesave në Bullgari është disa qindra miliardë. Është shumë më e rëndësishme se sa para do të investohen në ndërtimin e rrugëve, sa grante do të përdoren - këto para shumë lehtë arrijnë në pasuritë e paluajtshme dhe nxisin inflacionin dhe çmimet dhe jo ato që familjet dhe bizneset e vogla mbajnë në depozita."
Nëse çmimet do të rriten më tej pas miratimit të euros - vetëm koha do ta tregojë. Megjithatë, fakti është se aktualisht, rritja e çmimeve të pronave vazhdon, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë. Sipas Stojan Pançevit, rritja e ndjeshme që kemi vërejtur prej disa vitesh nuk mund të vazhdojë në një plan afatgjatë, pasi tregu aktualisht po arrin nivelet e vitit 2008 para krizës. Ivan Vellkov, nga ana tjetër, parashikon një ndryshim serioz në treg - ndërtimi modern dhe me cilësi të lartë tani po bëhet një kusht i detyrueshëm, dhe ata shitës që nuk e përmbushin këtë do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të shesin asetet e tyre.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BNR, BGNES
"Vendi ku lind dielli" – kështu bukur dhe përshkrueshëm tingëllon për bullgarin emri i Japonisë. E quajnë gjithashtu "kopshtin e qershive" dhe "fuqi e madhe financiare". Të gjitha këto përcaktime janë të vërteta dhe nxisin interesin e shumë bullgarëve, të..
Shërbimet bankare në vendin tonë janë ndër më të arritshmet në BE, sipas një analize të Shoqatës së Bankave në Bullgari. Sipas saj, bankat në vendin tonë ofrojnë normat më të ulëta të interesit në Evropë për kreditë e dhëna rishtazi për familjet për..
Bullgaria nuk do të detyrohet të mbyllë termocentralet me qymyr ose impiantet e ngrohjes qendrore me qymyr gjatë periudhës së dimrit, tha ministri i energjetikës Zheço Stankov para fillimit të forumit RE-Source Southeast 2025, i cili po zhvillohet në..