Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dirigjenti i Orkestrës "Simfonieta – Vraca" Hristo Pavllov për Radio Bullgarinë:

Gatishmëria e publikut tërheq interpretuesit me famë botërore në vendin tonë

Hristo Pavllov
Foto: Facebook /Vratsa Symphony

Mungesa e kuadrove – një nga problemet kryesore në tregun e punës në Bullgari – del në pah në mënyrë tepër të qartë nëse hedhim një sy mbi përbërjen e orkestrave simfonike në kryeqytet dhe në provincë. Rreth 50 me 50 është raporti midis bullgarëve dhe të huajve në përbërjen e një orkestre në Vraca. Dhe megjithëse ajo është një nga shembujt e mirë për faktin se si në vendin tonë bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe të bashkuar bullgarë dhe të huaj, të cilët e pranojnë vendin e punës si pjesë të zemrës së tyre dhe dirigjentin si njeri, te i cili gjithmonë mund të mbështeten, tendenca që paraqet dirigjenti Hristo Pavllov në një intervistë për Radio Bullgarinë tregon se puna atje me siguri nuk është e lehtë:

"Tani po fillon të bëhet praktikë në vendin tonë, për fat të keq nga domosdoshmëria, pasi pothuajse mungojnë fare kuadrot – dhe për disa instrumente nuk ka aspak muzikantë – pranon dirigjenti. – Ndoshta, nëse ky lloj arsimi do të bëhej sërish prioritet shtetëror, një ditë kjo do të ndryshojë. Zakonisht kalon më shumë se një brez derisa të ndjehet ndryshimi, kur diçka fillon të ndërtohet, ndërsa humbja e saj mund të ndodhë nga sot për nesër, prandaj nuk e di nëse do të arrij të jetoj mjaftueshëm për të parë një kthesë serioze të kësaj prirjeje."

Sipas fjalëve të tij, kjo është një tendencë që vërehet edhe në vende të tjera të botës. Ai jep shembullin e Japonisë dhe Koresë së Jugut, ku ndodh e kundërta – atje krijohen më shumë muzikantë sesa vende pune që mund t’u ofrohen.

Një nga mundësitë e jashtëzakonshme për orkestrën këtë vit ishte në shkurt, kur violinisti britanik me famë botërore Nigel Kennedy zgjodhi pikërisht atë për dy koncertet e tij në Sofje dhe Varna.
Nigel Kennedy (shkurt 2025)
"Kjo ishte një periudhë jashtëzakonisht e lumtur, sidomos për të rinjtë në orkestër, të cilët sapo kanë filluar të takohen me ndonjë muzikant me emër dhe kanë pasur shumë pak përvojë në orkestra të tjera para se të vinin tek ne. Gjeja më e bukur ishte se edhe ai vetë mbeti me të njëjtën përshtypje dhe për të ishte shumë mirë të punonte me një orkestër kaq të re, që i përmbushi të gjitha kërkesat që ai kishte për muzikën e tij."

"Dhe kërkesat e një njeriu të rangut të tij mund të jenë nga më të ndryshmet" – thotë me bindje bashkëbiseduesi ynë:

"Ai mund të luajë gjithçka, sepse ka hasur gjithçka në muzikë, i ka luajtur të gjitha dhe tani i krijon vetë si autor i veprave. Ai përfshin në veprat e tij të gjitha zhanret që mund t’i vijnë në mend, në një mënyrë eklektike – jo në kuptimin e keq të fjalës, por më tepër në një mënyrë karakteristike për kohën tonë. Ai është jashtëzakonisht bindës në këto kërkesa, sepse menjëherë luan atë që duhet të realizohet dhe pothuajse gjithmonë shpjegon pse e kërkon pikërisht ashtu."
Георги Андреев
Një pjesë e programit të dy koncerteve përfshinte vepra të kompozitorit të njohur bullgar Georgi Andreev, i cili, sipas fjalëve të z. Pavllov, është "mysafir i rregullt në koncertet e Nigel Kennedy, me të cilin ata pëlqejnë të ‘përballen muzikalisht’ dhe të garojnë përpara publikut".

Docent Pavllov nuk ka biseduar me Nigel Kennedy për të ditur se çfarë e tërheq atë në vendin tonë – ku ai nuk është mysafir për herë të parë – por ndan atë që i kanë rrëfyer muzikantë të tjerë që e njohin vendin tonë:

"Të gjithë janë unanimë se publiku në Bullgari është shumë i gjindshëm. Edhe në ato momente kur e takon dikë në mënyrë pak më të rezervuar – dikë që nuk e njeh – ai shpreh ndjenjat e veta në mënyrë shumë të plotë dhe të sinqertë. Përveç kësaj, ndryshe nga publiku në vendet më të largëta jashtë Evropës, për muzikantë të këtij lloji, që pëlqejnë të kapërcejnë çdo kufi, është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë në gjendje të njohin atë që ata citojnë nga krijimtaria e kompozitorëve të mëparshëm. Në Bullgari, publiku reagon ndaj këtyre momenteve dhe unë mendoj se publiku e njeh këtë muzikë, sepse e dëgjoj reagimin e tyre kur kjo ndodh. Ata e dinë që kjo është një bisedë brenda bisedës – midis interpretuesit dhe vetë publikut."

Përgtiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: Facebook /Vratsa Symphony, vso.bg, Facebook /Christo Pavlov, Alexander Sandev



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Yjet e muzikës pa kufij – talentе të reja do të performojnë në resortin Allbena

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës "INTERNATIONAL MUSIC STARS SENZA FRONTIERE" do të bashkojë fëmijë dhe të rinj nga e gjithë Evropa në kompleksin turistik Allbena nga data 17 deri më 21 qershor 2025 . Festivali ka natyrë..

botuar më 25-05-04 7.05.PD

"Treni i Fundit" - për ngjarjet që ndodhin gjithmonë në kohë

Pas pseudonimit krijues HARALAMBIEV qëndron muzikanti i ri Teodor Harallambiev. Ai ka filluar të merret me muzikë që në moshë shumë të re dhe logjikisht ka filluar të kompozojë këngët e tij. Pavarësisht moshës së tij të njomë, HARALAMBIEV..

botuar më 25-04-30 6.15.PD
Grupi vokal

Grupi vokal "Radiodeca" i BNR-së me një koncert kushtuar kompozitorit të madh bullgar Petër Stupell

Grupi vokal i dashur nga të gjithë “Radiodeca” (“Radio-fëmijë”) me dirigjente Ilina Todorova do të japë një koncert më 29 prill në studion e parë të Radios Kombëtare Bullgare. I titulluar “Me këngët e Petër Stupelit”, koncerti do të na dërgojë..

botuar më 25-04-28 6.00.PD