Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Penka Petrosoviç për rrugën drejt SHBA-së dhe Belgjikës dhe një takim të papritur me … Julia Roberts

4
Foto: Daniella Goleminova

Penka Petrosoviç është pedagoge muzikore. Karriera e saj profesionale fillon nga shkolla muzikore në qytetin e saj të lindjes, Burgas. Arrin dhe suksese si drejtuese kori – fillimisht me korin dhe orkestrën e shkollës, e më pas edhe me ansamblin folklorik "Stranxha" dhe korin komunal "Këngë amtare", ku përthith përvojë nga themeluesi i tij – prof. Stojan Kralev.

Në vitin 1998 Penka Petrosoviç lë qytetin e lindjes, Burgasin, dhe së bashku me familjen e saj emigron në SHBA. Përtej oqeanit gjithçka fillon nga e para. Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por me këmbëngulje dhe vite me radhë punë të palodhur, Petrosoviç arrin të dëshmojë veten edhe në vendin e ri. Tregon se ka ndërruar disa shkolla, përpara se të gjente atë në të cilën ndihej mirë – si profesionalisht, ashtu edhe emocionalisht. Bëhet fjalë për një shkollë muzikore në Santa Monika, ku fati e përball me yllin hollivudian Julia Roberts.



"Çdo të premte në atë shkollë organizoheshin festa muzikore, në të cilat merrnin pjesë prindërit e fëmijëve që mësonin në atë shkollë. Shumica prej tyre ishin muzikantë. Dhe ata në çast formonin diçka të re, me të cilën t’u tregonin fëmijëve të tyre se si muzikantët profesionistë bëjnë muzikë dhe performojnë. E bënin me shumë dashuri dhe me shumë dëshirë. Nga zemra, siç themi ne. Dhe diçka interesante, që kurrë nuk do ta harroj. Fëmijët e Julia Roberts mësonin aty. Unë kisha një orë të lirë pas kësaj shfaqjeje, përpara se të filloja orët e rregullta. Përreth ishte mrekulli – parqe, shtëpi të bukura, kafene... Dhe ajo u shfaq përballë meje. Kisha vënë re se çdo të premte ajo merrte pjesë në këtë festë në orën tetë. Pavarësisht nëse ishte shfaqje e fëmijëve të saj apo e ndonjë klase tjetër. M’u drejtua me emër, dhe unë u mbusha me emocion, u ndjeva shumë e vogël, e parëndësishme. Kur filloi të fliste me mua, u kuptua se ajo ishte një njeri shumë i mirë, shumë e thjeshtë. Më tha se ishte shumë e lumtur që u njohëm. Takimi ishte i shkurtër, por unë u emocionova shumë dhe për një kohë të gjatë pas kësaj nuk munda të vija në vete. Ky ishte me të vërtetë një përjetim për mua. Takimi jonë i dytë ishte në klasë – me sa duket do të kishte xhirime dhe do të mungonte të premten e radhës dhe erdhi të shihte në klasë se si përgatiteshin fëmijët e saj për të premten e ardhshme. Erdhi dhe vetëm më falënderoi."

Në SHBA, për tetë vite me radhë, çdo të diel, bashkëatdhetarja jonë ka ndjekur kishën lokale për të luajtur në organo.



"Ishte mbresëlënëse që njerëzit nga kisha më pranuan si pjesë të familjes së tyre.  Shpeshherë organizoheshin koncerte, në të cilat merrja pjesë – herë si duet organo – piano, herë me performancën time solo. Ky ishte një motivim për mua që të mbaja formën."

Para 11 vitesh, rrugët e jetës e çojnë Penka Petrosoviçin nga SHBA në Belgjikë, ku për të disatën herë gjithçka fillon nga e para. Në Bruksel znj. Petrosoviç fillon të japë mësime pianoje për fëmijë. Gradualisht aktiviteti i saj zgjerohet dhe kështu arrin te vendimi për të hapur një shkollë muzikore, në të cilën për momentin mësojnë 40 fëmijë.



"Nuk mund të them se është e lehtë, as me fëmijët, as në marrëdhëniet me prindërit. Fëmijët janë nga të gjitha kombësitë dhe nga të gjitha shkollat, gjë që e bën shumë të vështirë organizimin e koncerteve. Çdo shkollë ka orarin e saj. Mundohem të përshtatem, sa të jetë e mundur. Unë çdo ditë mësoj diçka të re nga fëmijët. Kohët e fundit ata vijnë me telefonët dhe thonë "Penka, ne e dëgjuam këtë këngë dhe duam ta këndojmë". Dhe unë e mësoj nga ata. Ose duan të luajnë të njëjtën këngë dhe unë ulem dhe shkruaj notat... E pres me padurim kohën e mësimeve me fëmijët. Me dorë në zemër do të them se ka edhe fëmijë që thjesht vijnë. Por unë jam e detyruar, për të dyja palët, të jap maksimumin nga vetja."

Edhe disa fëmijë bullgarë ndjekin shkollën muzikore.

"Ka fëmijë bullgarë. Disa nga prindërit kanë ndarë që me vetëdije të plotë kanë zgjedhur të vijnë tek unë, që të mund të ushtrojnë edhe gjuhën. Shumë nga fëmijët ndjekin edhe shkollën bullgare, por vetëm këto aktivitete nuk mjaftojnë për të zotëruar gjuhën. Shumë nga prindërit nuk flasin bullgarisht në shtëpi. Kam fëmijë që flasin në mënyrë të përsosur gjuhën bullgare, por kam edhe të tillë që flasin të çalë, si mbesa ime."



Si mësuese, znj. Petrosoviç është krenare për faktin se një nxënës i shkollës së saj tashmë është pjesë e Korit të Fëmijëve të Operës në Bruksel.
Penka Petrosoviç është nga ato gra energjike, që merren njëkohësisht me disa gjëra. Përveç punës në shkollën muzikore, ajo drejton edhe fondacionin “Akademia për talente të reja”, me të cilin periodikisht organizon koncerte në kryeqytetin belg.



Për 27 vite jetë në emigracion, Penka Petrosoviç nuk e ka ndërprerë kurrë lidhjen me Bullgarinë. Thotë se atdheu mbetet frymëzim dhe lidhje, pavarësisht largësive.

"Tani që ka Facebook, shumë shpesh shoh foto nga Burgasi. Dikush shkruan qyteti i dashur. Unë jam në kontakt me koleget e mia. I zbulova pasi u ktheva nga Amerika. Ish-nxënës të mi, të cilët tani janë kolegët e mi, mbajmë marrëdhënie të vazhdueshme dhe flasim. Për të tretin vit radhazi organizoj përmes fondacionit koncerte në Burgas. Mundohem të vë në punë të gjitha forcat që ende i kam. Jam e vetëdijshme që kam ende shumë për të thënë dhe për të dhënë për të rinjtë, dhe do të doja të kisha më shumë kohë, fuqi dhe mundësi ta bëj. Por askush nuk është i siguruar, askush nuk e di kur dhe sa gjatë do t’i zgjasin forcat."

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski


Foto: Daniella Goleminova, Reuters, Facebook / Penka Petrosoviç



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Rory Miller dhe aventurat e tij kulinare në fshatrat bullgare

Rory Miller jeton në Bullgari prej më shumë se 15 vjetësh. Merret me prodhimin e birrës artizanale, punon si kuzhinier kryesor në disa restorante, themelon lokale ushqimi të shpejtë me menu avangardë dhe prej vitesh mëson hollësitë e kuzhinës tradicionale..

botuar më 25-05-26 7.00.PD
Fshati Ostren i Madh

Antoni Kurti dhe traditat e ruajtura të bullgarëve në Ostren të Madh

Në Ostren të Madh, një nga fshatrat në rajonin e zonës historiko-gjeografike të Gollobordës në Shqipëri, u njohëm me Antoni Kurtin. Ai na shëtiti nëpër rrugicat e vjetra dhe vendet e bukura natyrore, na prezantoi me disa prej banorëve interesantë që ende..

botuar më 25-05-04 10.00.PD

Bamirësia në Kenia – misioni që ndryshoi jetën e dr. Shtërbanova

Dëshira e saj për t’u ndihmuar shpirtërave të vegjël të privuar nga fati, e çon deri në anën tjetër të globit. Dr. Elena Shtërbanova – specialiste në anesteziologji në spitalin kryesor “Shën Ekaterina” në kryeqytet, pranon se gjithmonë ka dashur..

botuar më 25-04-25 7.00.PD