Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shoqata “Komuniteti Ortodoks Bullgar në Çeki” bën thirrje për mbështetje

Projekti “Gjurma bullgare në Pragë – Iluministët” ka nevojë për ndihmë financiare për të vazhduar

Foto: Sillvija Krësteva

Në qendër të Pragës, mes godinave elegante të shekullit XIX dhe linjave të gjalla të tramvajit, mund të gjeni një rrugë me një emër krejt të njohur – Bulharská, ose “Rruga Bullgare”. Ajo ndodhet në lagjen “Vinohrady” dhe është vetëm një nga dëshmitë e lidhjeve të thella dhe të qëndrueshme mes Çekisë dhe Bullgarisë. Gjithsej njëzet rrugë dhe sheshe në kryeqytetin çek mbajnë emra të personaliteteve historike bullgare, qyteteve ose monumenteve natyrore. Pjesa më e madhe e tyre janë të përqendruara në lagjen “Modřany” të Pragës, që ndodhet në pjesën jugore të qytetit dhe është pjesë e rrethit administrativ “Pragë 12”. Një lagje e lidhur ngushtë me historinë e diasporës bullgare atje, ndërsa sheshet “Sofja”, “Hristo Botev”, “Ivan Vazov” dhe rrugë si “Shumen”, “Plovdiv” apo kryqëzimi “Te bullgari” (si njohje për punën shembullore të kopshtarëve bullgarë), nuk janë thjesht adresa fizike. Ato janë dëshmitarë të heshtur të respektit dhe njohjes ndaj një të kaluare dhe të tashme të përbashkët, mbi të cilën ecin evropianët e sotëm.

Pikërisht këtë na kujtoi në nëntor të vitit 2024 Shoqata “Komuniteti Ortodoks Bullgar në Çeki” përmes projektit të saj “Gjurma bullgare në Pragë – Iluministët”, për vendosjen e tabelave informative në të gjitha rrugët dhe vendet simbolike në Pragë që “mbajnë” emra bullgarë. Iniciativa u mbështet dhe u realizua nën patronazhin e ambasadorit të Bullgarisë në Çeki, Danço Miçev, dhe me mbështetjen e Bashkisë së Pragës dhe të bashkisë së rajonit “Pragë 12”. Kështu, katër tabelat e para informuese me ngjyrë blu dhe me përshkrime sqaruese u vendosën në sheshet “Sofja”, “Hristo Botev”, “Ivan Vazov” dhe “Vasil Levski” në kryeqytetin evropian.

Tabelat janë të standardizuara dhe përgatiten sipas kërkesave të Bashkisë së Pragës, shpjegoi për Radio Bullgarinë Sillvija Krësteva, kryetare e Shoqatës “Komuniteti Ortodoks Bullgar në Çeki”. Tabela të ngjashme shpjeguese mund të shihen edhe në lagje të tjera të Pragës. Çmimi i një tabele dhe vendosja e saj arrin në 7690 koruna ose rreth 300 euro. Dhe megjithëse shoqata bullgare siguron mjete për realizimin e projektit nga bashkia e “Pragë 12”, fondet e miratuara janë vetëm 10 000 koruna ose rreth 400 euro – shumë e pamjaftueshme për të vendosur gjithsej njëzet “rrëfime” të dëshiruara për Bullgarinë në territor çek.

Sot shoqata i bën thirrje komunitetit bullgar në Çeki dhe të gjithë bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën për mbështetje financiare, që “këndet bullgare” të bëhen të njohura për secilin që kalon përmes tyre. Sepse Çekia është një vend ku bullgarët jo vetëm që jetojnë – këtu ata janë pjesë e historisë, e arkitekturës dhe e peizazhit kulturor të saj.

Dhe nëse duhet të flasim me shifra, deri në fund të marsit 2025 në Çeki janë regjistruar 17 690 shtetas bullgarë me leje qëndrimi, të përkohshme apo të përhershme – tregojnë të dhënat e Ministrisë së Brendshme çeke, të cituara nga praguedaily.news. Ata janë të përqendruar kryesisht në qytetet e mëdha të vendit – Pragë, Bërno dhe Ostrava.

Në kryeqytet janë vendosur mbi 1 000 shtetas bullgarë. Rreth 300 prej tyre janë anëtarë aktivë të shoqatës “Komuniteti Ortodoks Bullgar në Çeki”. Në ngjarje dhe aktivitete të caktuara mund të mbështetemi në afërsisht 900 bashkatdhetarë tanë nga Çekia, Gjermania dhe Austria – na siguron Sillvija Krësteva. Sipas saj, gjatë dy viteve të fundit, rreth 20% e anëtarëve të shoqatës kanë vendosur të largohen nga Çekia dhe të kthehen në atdhe. Dhe arsyet nuk janë gjithmonë atdhedashëse apo vullnetare. Pasojat e pandemisë dhe luftës në Ukrainë vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e bullgarëve në Çeki.
Praga
“Në vend të bullgarëve filluan të punësojnë me përparësi ukrainas. Qeveria çeke i ndihmonte financiarisht ukrainasit, prandaj për punëdhënësit ata ishin më të leverdishëm. Shumë nga njerëzit tanë filluan të humbnin punën. Më shumë qëndruan ata që jetojnë këtu prej shumë vitesh, përfshirë edhe mua – jam tashmë 40 vjet në Çeki. Pikërisht bashkatdhetarët që janë këtu prej kohësh ngritën këtë nismë – që të dëgjohet zëri i bullgarëve. Sepse filluan të shfaqen qëndrime për të ndryshuar emrat e këtyre rrugëve, pasi disa njerëz, çekë, mendonin se ishin të lidhura me Rusinë. Kjo ka të bëjë edhe me alfabetin tonë. Një keqkuptim i ngjashëm nisi edhe ndër fëmijët në shkollë, të cilët gjithashtu nisën të hasin probleme. Filloi një qëndrim armiqësor mes fëmijëve – çekë, të kombësive të tjera dhe ata ukrainas. Dhe për shkak se kemi një gjuhë të ngjashme, disa fëmijë nuk bëjnë dallim midis bullgarëve, ukrainasve dhe kombeve të tjera sllave. Prandaj nisëm këtë projekt dhe përgatitjen e dosjeve interaktive, që ne i quajmë Lapbook, me informacion për secilin nga rilindësit apo qytetet që kanë emrat e tyre në rrugë të Pragës. Realizuam 'Ditë Bullgare' në nëntë shkolla çeke me prezantim të kulturës bullgare, kuzhinës bullgare dhe fëmijët bënë punëtori, shfaqën rituale bullgare, maska kukerësh, verore. U prezantua edhe glagolica.”

Për fat të keq, fëmijët tashmë nuk lexojnë aq shumë dhe aktivitete të tilla interaktive dhe punëtori krijuese janë shumë më të dobishme për ta – pranon Sillvija Krësteva, dhe për këtë arsye ajo beson se bashkëpunimi me shkollat vendase, ku mësojnë edhe fëmijë bullgarë, do të vazhdojë. Që sot të vegjlit, e nesër të rriturit evropianë, të dinë më shumë për njëri-tjetrin dhe për veten.

“Këtë vit, më 13 shtator, Dita e ‘Pragës 12’ dhe e lagjes Modřany do t’i kushtohet Bullgarisë,” – tha për Radio Bullgarinë Sillvija Krësteva. – “Kemi ftuar grupe artistike nga atdheu për të marrë pjesë në programin festiv, që të prezantohemi më të shumëngjyrshëm, me valle popullore. Kemi premtim që të vijnë edhe kukerë nga Bullgaria – diçka që nuk ka ndodhur më parë në Pragë. Duam të fillojnë të na shohin ndryshe, sepse jo gjithmonë na pranojnë pozitivisht këtu,” – pranon Krësteva. Ndërsa vetë festa më 13 shtator do të mbahet në sheshin emblematik – “Sofja”.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Sillvija Krësteva, Reuters


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nga ëndrra e fëmijërisë për të fluturuar deri te krijimi i një aparati të vet fluturues në Bullgari

Që i vogël, Nikollaj Nikollov ëndërronte të fluturonte. Nuk u bë astronaut, ashtu siç është ëndrra e pothuajse çdo djali, por iu përkushtua aviomodelizmit. Në vitin 2000, së bashku me miqtë e tij, vendos të ndërtojë helikopterin e tij të parë, i cili..

botuar më 25-09-08 10.15.PD

Një spektakël i rrallë qiellor – Hëna e Kuqe ndriçon qiellin e natës mbi Bullgari

Në mbrëmjen e së dielës, më 7 shtator, qielli do të na ofrojë një spektakël të jashtëzakonshëm të njohur si Hëna e Kuqe. Bëhet fjalë për një eklips total hënor, gjatë të cilit Hëna do të marrë nuanca të zjarrta portokalli dhe të kuqe. Ky eklips ndodh..

botuar më 25-09-07 7.10.PD
Kryebashkiaku i Sofjes Vasill Terziev

Kryetari i Bashkisë së Sofjes Vasill Terziev: Në vend që të vizatojmë vija ndarëse, le të ndërtojmë së bashku të ardhmen e fëmijëve tanë

Para mauzoleut me eshtra të Princit Aleksandër I Batenberg dhe me pjesëmarrjen e një njësie ushtarake përfaqësuese nga Garda Kombëtare në Sofje, u festua Dita e Bashkimit të Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore, raportoi BGNES. “Sapo..

botuar më 25-09-06 3.58.MD