Institucionet shtetërore bullgare kanë marrë një angazhim të qartë për lehtësimin e qasjes në tregun e punës, dhe në territorin e Bullgarisë në përgjithësi, për personat me origjinë bullgare, të cilët ende nuk kanë shtetësi bullgare. Këtë e konfirmuan përfaqësues të administratës gjatë një mbledhjeje të Komisionit për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Shtetit në Kuvendin Popullor, e mbajtur të enjten, më 12 qershor. Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Agjencia Kombëtare e Punësimit, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit.
Që në vitin 2018, me ndryshimin e Ligjit për Migracionin e Punës dhe Mobilitetin e Punës, u vendosën lehtësime për qasjen në tregun e punës për personat me origjinë bullgare dhe familjet e tyre, njoftoi zëvendësministrja e punës dhe politikës sociale, Natalija Efremova.
“Ata kanë qasje të plotë të lirë dhe të drejtat e tyre janë të barasvlershme me ato të qytetarëve bullgarë. Punësimi i tyre, deri në marrjen e certifikatës për origjinën bullgare – nëse ende nuk e kanë, regjistrohet nga punëdhënësi në Agjencinë e Punësimit brenda 7 ditëve. Që nga viti 2018 e deri më tani u regjistrua punësimi i 1228 personave me origjinë bullgare të dëshmuar", paraqiti të dhënat konkrete zëvendësministrja Efremova. Ajo shtoi se, me qëllim optimizimin e procesit, u ndërmorën hapa për digjitalizimin e procedurës për dhënien e lejeve të qëndrimit në territorin e vendit, dhe se veprime konkrete në këtë drejtim u ndërmorën që nga nëntori i vitit 2024, kur hyrën në funksion shërbimet elektronike.
Megjithatë, punëdhënësit sinjalizojnë për probleme me procedurat administrative. Përfaqësuese e biznesit në mbledhjen e komisionit ishte Ina Çukur, nga një shoqëri që merret me tërheqjen e personave me origjinë bullgare drejt tregut vendas të punës.
“Problemi që kemi prej të paktën dy vitesh, dhe që na pengon shumë të punojmë me bullgarët nga jashtë, është regjimi i regjistrimit pranë Agjencisë së Punësimit. Ligji parashikon që fillimisht ata duhet të regjistrohen atje, e më pas Agjencia e Migracionit t’u japë leje qëndrimi në Bullgari. Por, në momentin kur i dorëzojmë dokumentet brenda afatit 7-ditor në Agjencinë e Punësimit, ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga Drejtoria e Migracionit, dhe për këtë arsye na refuzojnë. Pas marrjes së këtij refuzimi, jo vetëm që jemi të detyruar t’i largojmë këta persona nga puna, por gjithashtu përballemi me procese gjyqësore që zgjasin një vit, ndonjëherë edhe një vit e gjysmë. Kjo, natyrisht, e dëmton biznesin dhe mundësinë për të punësuar bullgarë nga jashtë. Shpesh kjo na detyron të heqim dorë nga punësimi i tyre dhe të orientohemi drejt punësimit të personave të tjerë” – e përmblodhi rastin për Radio Bullgarinë Ina Çukur.
Shteti, megjithatë, premton se do të ndërmerren masa. Për momentin pa afate konkrete, por me qëllime të mira.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit, do të propozojë miratimin e programit “Zgjedh Bullgarinë”, i cili do të synojë pikërisht tërheqjen e personave nga vendet e treta, me theks të veçantë te ata me origjinë bullgare.
“Ky është një program që financohet nga Fondi Social Evropian Plus (ESF+). E kemi quajtur “Zgjedh Bullgarinë” dhe synon tërheqjen e specialistëve nga jashtë vendit. Parashikojmë një buxhet prej 26 milionë leva, dhe programi do të nxisë vendosjen afatgjatë në Bullgari të bullgarëve që jetojnë jashtë shtetit, të personave me origjinë bullgare si dhe të shtetasve nga vende të treta” – paraqiti planet e shtetit zëvendësministrja Efremova.
Brenda kornizës së programit do të krijohet një portal informativ i unifikuar, i drejtuar ndaj të gjithë atyre që dëshirojnë të bëhen pjesë e shoqërisë bullgare, i cili do t’i informojë për të gjitha procedurat administrative të nevojshme për këtë, tha për Radio Bullgarinë Joana Dragneva, zv/drejtoreshë e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit.
“Shpresojmë që portali të jetë gati sa më shpejt. Aktualisht jemi në procesin e mbledhjes së opinioneve nga bashkëkombësit tanë jashtë vendit përmes një ankete, të cilën e realizojmë së bashku me organizata joqeveritare të njerëzve që u kthyen nga jashtë në Bullgari, me qëllim që të përmbledhim më saktë pyetjet që i shqetësojnë,” tha Dragneva.
“Ka një potencial të madh në tërheqjen e njerëzve nga komunitetet bullgare jashtë vendit,” theksoi edhe Stojan Tasllakov nga “Vëzrazhdane”, kryetar i komisionit parlamentar për bullgarët jashtë vendit.
“Janë dy arsye pse po nisim këtë iniciativë. Që kur jam kryetar i kësaj komisioni, kuptova se shteti nuk kujdeset mjaftueshëm për njerëzit me origjinë bullgare jashtë vendit, në trojet e vjetra bullgare. Dhe është shumë e rëndësishme që këta njerëz t’i tërheqim drejt atdheut – nënës së tyre. Çështja tjetër është krejtësisht ekonomike, sepse në Bullgari gjithnjë e më shumë kemi nevojë për fuqinë punëtore, bizneset po vështirësohen, nuk mund të gjejnë personel. Kjo është një mundësi, sepse Bullgaria, ndryshe nga vendet e tjera perëndimore evropiane që pranojnë të huaj, ka njerëz me origjinë bullgare, por që nuk kanë shtetësi bullgare,” deklaroi deputeti.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: parliament.bg, Ivan Gergov
Një festë, e mbështetur nga autorë bullgarë të letërsisë artistike nga vendi dhe jashtë tij, do të zhvillohet më 14 qershor në qytetin gjerman Hamburg. Për të marrë pjesë në edicionin e tretë të Festivalit të Letërsisë Bullgare, autorë nga Bullgaria,..
Në qendër të Pragës, mes godinave elegante të shekullit XIX dhe linjave të gjalla të tramvajit, mund të gjeni një rrugë me një emër krejt të njohur – Bulharská, ose “Rruga Bullgare”. Ajo ndodhet në lagjen “Vinohrady” dhe është vetëm një nga dëshmitë e..
Manastiri i Trojanit “Fjetja e Hyjlindëses Mari” do t’i dhurojë Kishës “Shën Parashqevi-Petka” në Trojan pjesë nga lipsanet e shenjta të shenjtorëve mbrojtës të qytetit – Shën Parashqevi-Petka dhe Shën Panteleimoni, martir i madh, njoftoi për BTA-në..
Një festë, e mbështetur nga autorë bullgarë të letërsisë artistike nga vendi dhe jashtë tij, do të zhvillohet më 14 qershor në qytetin gjerman Hamburg. Për..
Në qendër të Pragës, mes godinave elegante të shekullit XIX dhe linjave të gjalla të tramvajit, mund të gjeni një rrugë me një emër krejt të njohur –..
Manastiri i Trojanit “Fjetja e Hyjlindëses Mari” do t’i dhurojë Kishës “Shën Parashqevi-Petka” në Trojan pjesë nga lipsanet e shenjta të shenjtorëve..