Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Galina Këneva nga Parisi: Kur njeriu gjen Kishën, gjen edhe kuptimin e jetës

Galina Këneva (djathtas) me ekipin "Ura e Besimit"
Foto: Aleksandra Karamihaleva

U takuam me Galina Kënevën gjatë vizitës së ekipit të transmetimit "Ura e besimit" në komunitetin kishtar ortodoks bullgar "Shën Patriku Evtimij i Tërnovos" në Paris. Galina është anëtare e këshillit kishtar pranë kishës dhe një nga ndihmëset më aktive të klerit në organizimin e jetës shpirtërore dhe veprimtarive të komunitetit.

Në Francë ajo mbërriti që në vitin e largët 1996. E solli dëshira për studime. Fillimisht ndoqi biologjinë, më pas menaxhimin, duke ndërruar disa qytete derisa u vendos përfundimisht në Paris. U zhvillua në aspektin arsimor, profesional dhe personal, por kurrë nuk pushoi së shtruari pyetjet më të thella ekzistenciale – për kuptimin e jetës, për përpjekjet tona, për sprovat që kalojmë, për qëllimin e jetës njerëzore, për thirrjen e saj personale në këtë botë, për atë që është me të vërtetë e rëndësishme dhe çfarë është e përkohshme... Ishte pikërisht ky kërkim i brendshëm që e çoi drejt Kishës – aty ku jo vetëm që gjeti përgjigjet që kërkonte me ngulm, por edhe një familje shpirtërore që e pranoi me dashuri dhe kuptim. “Për mua, jeta e njeriut ndahet në dy pjesë: jeta para Kishës dhe jeta pasi ka zbuluar kuptimin përmes Kishës. Kur njeriu e gjen Kishën, ka gjetur kuptimin e jetës së tij”, thotë me bindje Galina Këneva.

Për këtë arsye ajo hodhi një hap tjetër të rëndësishëm në jetën e saj shpirtërore dhe akademike, duke përfunduar me sukses studimet në teologji në Universitetin e Veliko Tërnovos. Ajo shpreson që, me dijet e fituara dhe përvojën e saj shpirtërore, të jetë edhe më e dobishme për komunitetin kishtar bullgar në Paris. “Në Kishë njeriu mund të ndjejë lirinë e vërtetë shpirtërore”, thotë ajo, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye Komuniteti Ortodoks Bullgar në Paris është një vend unik në zemër të kryeqytetit francez. Sipas saj, Hiri dhe Dashuria e Perëndisë janë ato që i bashkojnë bashkatdhetarët tanë në Kishë dhe i bëjnë të ndihen si një familje e vetme, e lidhur përmes besimit të përbashkët ortodoks dhe traditave të shenjta. “Secili anëtar i këtij komuniteti është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm – ashtu si çdo pjesë e trupit është jetike për tërë organizmin”, na kujton Galina, duke ndarë me ne një mesazh të fuqishëm nga fjala e shkruar. “Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevojë për ty”, as koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “S’keni rëndësi për mua”. Përkundrazi, anëtarët e trupit që duken më të dobët, janë më të domosdoshëm. Edhe ata pjesë të trupit që i konsiderojmë më pak të nderuar, u japim më shumë nder; dhe pjesët që na duken më pak të hijshme, i rrethojmë me më shumë kujdes. Ndërsa pjesët që janë tashmë të hijshme, nuk kanë nevojë për këtë. Por Perëndia e ka rregulluar trupin në mënyrë të tillë që pjesës më të dobët t’i japë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por anëtarët të kujdesen njëlloj për njëri-tjetrin. Dhe kur vuan një anëtar, vuajnë bashkë me të, të gjithë; dhe kur nderohet një anëtar, gëzohen bashkë me të, të gjithë. Ju jeni trupi i Krishtit, dhe secili veç e veç është pjesë e atij trupi.” (1 Korintasve 12:14, 21–27)

“Sigurisht, kjo nuk është meritë vetëm e atyre që formuan komunitetin dhe e mbajnë gjallë, por edhe e të rinjve që i mirëpresim me shumë gëzim dhe dashuri – thekson Galina Këneva. – Po ashtu, kjo është fryt i përkushtimit të dy priftërinjve tanë – arkimandrit Emilijan Bocanovski dhe protojer Ivan Karageorgiev. Ata janë priftrinjë të mrekullueshëm, me një qasje të përzemërt dhe të mençur ndaj njerëzve, i trajtojnë njerëzit me mirëkuptim të madh dhe ofrojnë mbështetje të madhe. Kur njeriu bëhet pjesë e këtij komuniteti kishtar, ai përjeton një frymëzim të veçantë – një frymëzim që nuk ndalet dhe që rinovohet çdo të diel. Dhe kjo është ajo që na bën të kthehemi përsëri e përsëri në këtë kishë kaq të bukur!” – thotë me ndjenjë të thellë Galina Këneva.

Me një ndjesi të veçantë mirënjohjeje dhe frymëzimi, ajo flet për rëndësinë që ka Kisha për të, për tempullin bullgar në zemër të Parisit dhe për bashkësinë shpirtërore, e cila është bërë pjesë e pandashme e jetës së saj.

“Kisha jonë nuk është shumë e madhe, por ashtu siç patët mundësi ta ndjeni, atmosfera është unike! Me të vërtetë shpresoj dhe u dëshiroj të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Bullgari apo jashtë saj, që pa humbur kohë ta gjejnë këtë rrugë drejt Kishës. Dhe nëse kanë një bashkësi si ajo që kemi ne, që përmes Sakramenteve të ndriçohen, të shenjtërohen dhe secili të gjejë rrugën e vet drejt Zotit dhe të përmbushë qëllimin e jetës së vet!”

E pyetur nëse është e vështirë të jesh i krishterë ortodoks në shoqërinë e sotme sekulare dhe në Francën që po largohet nga rrënjët e saj të krishtera, Galina Këneva përgjigjet kështu:

“Është edhe e vështirë, edhe nuk është e vështirë. Është e vështirë për shkak të të gjithë këtyre faktorëve të jashtëm që në çdo mënyrë na pengojnë të gjejmë Kishën ose të kuptojmë se çfarë ndodh në tempull. Por për ata që kanë ndjerë diçka dhe kanë qëndruar – për ta këto pengesa nuk kanë më rëndësi. Atëherë gjithçka bëhet më e lehtë. Dhe kur gjithçka është e thjeshtë dhe e qartë – ose jemi me Zotin, ose nuk jemi – atëherë gjithçka bëhet më e lehtë.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Aleksandra Karamihaleva, Darina Grigorova 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Javor Gërdev

Regjisori Javor Gërdev: Dallimet kulturore janë një problem më i madh se pabarazitë sociale

Javor Gërdev është një nga regjisorët e guximshëm dhe të talentuar bullgarë, i cili ofron përgjigje, jo vetëm duke interpretuar në mënyrë krijuese pyetjet në skenë, por edhe në dialog me tekstet klasike dhe historinë bashkëkohore, duke krijuar një..

botuar më 25-06-16 7.10.PD

Nikollaj Kandillarov për çajin si një përvojë që krijon komunitet

Kushtet e paqëndrueshme dhe të paparashikueshme të motit këtë pranverë, me luhatje të mëdha të temperaturave, i detyruan banorët e kryeqytetit që, përveç veshjeve të pazakontë të trasha për këtë sezon, të preferojnë pijet e ngrohta.Kështu u gjendëm në..

botuar më 25-06-09 7.05.MD

Dimitër Kokov ndan jetën e tij mes muzikës, sektorit IT dhe telemjekësisë

Dimitër Kokov jeton prej 25 vitesh në Portugali dhe e përkufizon veten si një personalitet polivalent. Në rolin e sipërmarrësit, ai ka themeluar disa kompani – mes tyre një për shërbime softuerike që punon me klientë nga e gjithë bota, si dhe një..

botuar më 25-06-08 9.00.PD