Nëse dëshironi një shëtitje të këndshme jo shumë larg Sofjes, mund të vizitoni një nga qytetet më me dielli në Bullgari – Pazarxhik. Vetëm një orë e gjysmë me makinë nga kryeqyteti dhe rreth tridhjetë minuta nga qyteti i dytë më i madh në vend, Plovdiv, Pazarxhiku dhe rrethinat e tij ofrojnë jo vetëm qetësi dhe freski në natyrë të mrekullueshme, por edhe shumë fenomene kulturore, historike dhe arkeologjike.
Rekomandojmë që vizitën ta filloni nga Muzeu Historik Rajonal, ku mund të njiheni me historinë e zhvillimit të qytetit dhe rajonit përreth.
Pranë muzeut ndodhet dhe simboli i qytetit – statuja e Spartakut, vepër e skulptorit të njohur bullgar Veliçko Minekov. Veprat e tij mund të shihen në galeri dhe ekspozita në Bullgari, por edhe në vende si Belgjika, Gjermania dhe SHBA.
Një tjetër vepër e këtij krijuesi të talentuar zbukuron parkun e qytetit – statuja “Luani”, një tjetër simbol i krenarisë dhe shpirtit bullgar.
Në afërsi të menjëhershme të muzeut ndodhet ndërtesa e postës së vjetër të qytetit. U ndërtua në vitin 1911 dhe është një nga simbolet e qytetit Pazarxhik.
Mbi të ngrihet një kullë origjinale me orë.
Dhe një tjetër kullë nga viti 1741, që shërbente si ora e qytetit, ngrihet në qendër. Në vitin 1924 u shemb, por në vitin 2010 u rindërtua maksimalisht afër pamjes së saj origjinale.
Në vendin ku ka qenë ora origjinale janë vendosur skulptura të shenjtorëve mbrojtës të Pazarxhikut – Shenjtorët Konstantin dhe Elena.
Nëse merrni rrugën kryesore, do të arrini tek një nga vendet më të preferuara për takime në qytet – Kolona. Është ngritur në vitin 1985 me rastin e kremtimit të pesëqindvjetorit të ekzistencës së Pazarxhikut.
Dhe gjatë rrugës mund të shijoni jo vetëm arkitekturën interesante, por edhe të blini një simite të nxehtë e aromatike nga kioskat e verdha të vendosura në shumë vende.
Vazhdojmë shëtitjen tonë përgjatë lumit Marica drejt vendit më të dashur për pushim dhe relaksim – parkut-ishull “Svoboda” (Liria). Ndodhet në distancë për ecje nga qendra e qytetit, por ofrohet edhe akses me makinë dhe parkim falas. Hyrja është e lirë.
Një nga simbolet e sotme të qytetit Pazarxhik shtrihet në pothuajse 300 dynym. Aty ndodhet edhe stoli më i gjatë në botë (1011 metra), i cili rrethon një pjesë të ishullit nga ana e jashtme dhe mbi të mund të ulen 2020 veta. Në vitin 2011, stoli aplikoi për Librin e Rekordeve Guinness, por nuk u pranua zyrtarisht për shkak të tavolinave të vendosura ndërmjet pjesëve të saj.
Në qendër të ishullit ngrihet monumenti i shkrimtarit Aleko Konstantinov.
Në park mund të shihen shumë skulptura dhe një grup piktoresk... dinosaurësh.
Gjithashtu, dy Kolovajza nga projekti “Lëkundësit e piktorëve” – ajo e Van Gogh...
…dhe ajo e Salvador Dalí.
Dhe kënaqësinë më të madhe tek fëmijët, përveç zonës së caktuar për lojëra dhe argëtim në parkun ishullor, do ta shkaktojnë banorët e kopshtit zoologjik me mbi 30 lloje kafshësh, duke përfshirë një çift luanësh, tigra Amur, rakunë, lama, poni, majmunë dhe shumë të tjerë.
Por këtu shëtitja jonë nuk përfundon, sepse në Pazarxhik mund të vizitoni shumë objekte fetare, shtëpi-muze dhe të shijoni skulptura të mrekullueshme të shpërndara në të gjithë qytetin.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Desisllava Semkovska
Më pak se dy orë rrugë në veriperëndim të Sofjes, njeriu gjendet në një vend ku koha sikur ndalet – në bjeshkët malore të Malit Stara Pllanina përreth qytetit Vraca, të quajtura bullgarisht Vraçanski Ballkan. Gjethnaja e dendur, majat shkëmbore..
Jemi ende në mes të majit, por ndjesia e verës është tashmë në ajër. Gjatë fundjavave të këndshme dhe të ngrohta, duam t'i shpëtojmë zhurmës së qytetit, qoftë edhe për pak kohë. Kjo është arsyeja pse vendosëm t'ju japim një ide për një shëtitje të..
Nëse kërkoni një destinacion për një shëtitje të këndshme në zemër të malit, mund të zgjidhni Llakatishka Rilla. Ju sugjerojmë të filloni nga fshati Govedarci. Përgjatë tij rrjedh lumi Çerni Iskër, në të cilin derdhet lumi Llakatica. Është pikërisht ai..