Bullgaria është vendi me çmimet më të ulëta të karburanteve kryesore – benzinës dhe naftës – në Bashkimin Evropian, sipas statistikave. Megjithatë, me pritshmërinë për miratimin e monedhës së përbashkët evropiane nga 1 janari i vitit të ardhshëm, frika mes njerëzve po rritet, kryesisht për shkak të shqetësimeve se mund të ketë rritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve bazë. Kjo përfshin edhe sektorin e karburanteve, i cili është shtylla kurrizore e ekonomisë – çdo qindarkë më shumë për benzinën apo naftën rrit koston e shërbimeve të transportit, dhe nga ana tjetër, ndikon në çmimin përfundimtar të çdo produkti që paguajmë në arkë në dyqan.
Euroja dhe çmimet në pompën e karburantit – a kanë lidhje mes tyre? Këtë e pyetëm Svetllosav Bençev, kryetar i Shoqatës Bullgare të Naftës dhe Gazit.
"Me aplikimin e euros si monedhë zyrtare nuk do të ndodhë asgjë. Çmimet e karburanteve varen plotësisht nga ajo që ndodh në tregjet ndërkombëtare. Dhe kjo u pa në ditët e fundit. Ky është i vetmi faktor, që do të ndikojë në çmimet nëpër stacionet e karburantit – euroja nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje", u shpreh qartë Bençev.
Megjithatë, me pranimin e euros do të ketë disa vështirësi, por ato do të jenë thjesht teknike, shtoi ai.
"Me shumë gjasa do të kemi disa vështirësi në fillim, derisa t’u shpjegojmë klientëve se ku do të jenë të shënuara të dyja çmimet – në leva dhe në euro, si dhe kur do të pranohen leva dhe euro. Por këto janë gjëra që do t’i përjetojnë të gjitha bizneset. Mendoj se nuk do të ketë ndonjë vështirësi të madhe. Këto janë vështirësi thjesht praktike – derisa arkëtarët të mësohen të punojnë me të dyja monedhat, derisa klientët të kuptojnë se ku saktësisht do të shfaqen çmimet e dyfishta, sepse ato nuk do të jenë të dukshme në tabelën e madhe jashtë stacionit të karburantit apo në pompë, pasi nuk kemi mundësi teknike për këtë. Çmimet do të shpallen ose në vetë pompat në një mënyrë të caktuar, ose në tabela informuese brenda në stacionet e karburantit, ose në vitrinat", shpjegoi në mënyrë të detajuar kryetari i Shoqatës Bullgare të Naftës dhe Gazit.
Deri më 31 dhjetor 2025, çmimet në stacionet e karburantit do të shënohen në leva, ndërsa nga 1 janari 2026, kur pritet të bëhemi anëtarë të eurozonës, shumat do të jenë të dukshme në euro.
Megjithatë, kritikët e anëtarësimit në eurozonë janë të prerë – në fillim do të ketë një presion të fortë inflacionist. A do të jetë ky një faktor edhe në tregun e karburanteve? Këtë e pyetëm ekonomistin Georgi Vullxhev nga Klubi Ekspert për Ekonomi dhe Politikë:
"Është shumë e mundur që të shohim edhe në tregun e karburanteve njëfarë rrumbullakimi të çmimeve për lart, ashtu siç është normale edhe në sektorë të tjerë. Në rast të ndërrimit të monedhës, kompanitë përpiqen t’ua transferojnë konsumatorëve kostot e konvertimit. Ka edhe një aspekt psikologjik – rrumbullakimi i çmimeve drejt një niveli të perceptuar si tërheqës, zakonisht duke përfunduar me shifrën 9, dhe kjo mund të ndodhë edhe me karburantet", tha Vullxhev.
Sipas ekonomistit, fakti që Bullgaria ka çmimet më të ulëta të karburanteve në BE është plotësisht i kuptueshëm – jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse kemi të ardhurat më të ulëta në familjen e bashkuar evropiane.
"Sa i përket faktit që çmimet në Bullgari nuk janë më të ulëta se ato në BE - kjo është gjëja më e çuditshme, jo fakti që çmimet e karburantit janë më të ulëta. Më e çuditshme është që ka disa produkte ushqimore, çmimet e të cilave janë më të larta se në vende të tjera të BE-së. Kjo është një çështje që duhet shqyrtuar dhe adresuar në mënyrë të përshtatshme," theksoi Vullxhev.
Produkte ushqimore dhe shërbime – çmimet e tyre janë ato që më së shumti pritet të rriten nga 1 janari, parashikon ekonomisti.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, BNR
Norma bazë e interesit në vend do të ulet në 1.82 për qind nga 1 gushti 2025, njoftoi Banka Kombëtare Bullgare (BNB). Ulja është 0.09% krahasuar me korrikun, kur ishte në nivelin 1.91 për qind. Norma e thjeshtë vjetore e interesit është ulur për të..
Kuvendi Popullor vendos kontroll të shtuar mbi çmimet për një periudhë njëvjeçare, duke filluar nga data 8 gusht 2025. Këtë vendim e morën deputetët me votimin në lexim të dytë të Ligjit për pranimin e euros në Bullgari, raportoi gazetari i BNR,..
Fushata informuese për futjen e euros në Bullgari është vonuar, tha për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT) zëvendëskryeministri Tomisllav Donçev. "Ky është një ndryshim i madh dhe njerëzit kanë frikë nga ndryshimi", shtoi ai. I pyetur nëse çmimet e..