Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria dhe Shqipëria – më pranë se kurrë nëpërmjet artit

Bukuritë natyrore të Shqipërisë në objektivin e fotografit bullgar Nikollaj Shabarkov

Ambasadorja Inid Milo dhe fotografi Nikollaj Shabarkov

Ekspozita fotografike “Snapshots of Albania – A Season to Remember” vë në qendër të vëmendjes bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, të shfaqura nëpërmjet objektivit të fotografit bullgar Nikollaj Shabarkov.



Puna e tij nuk është thjesht dokumentim vizual, por një dëshmi e lidhjes emocionale që ai ka krijuar me Shqipërinë, theksoi gjatë hapjes së këtij aktiviteti kulturoro-turistik Ambasadorja e Shqipërisë në vendin tonë SH.S.Znj. Inid Milo. “Fotografitë e tij na tregojnë Shqipërinë jo vetëm me syrin e një vizitori, por me zemrën e një miku të vërtetë,”  deklaroi Ambasadorja dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për interesin dhe mbështetjen e tyre në forcimin e marrëdhënieve miqësore mes të dy vendeve.



Ekspozita përmban 20 fotografi mbresëlënëse, të cilat paraqesin peizazhe të ndryshme të Shqipërisë: nga brigjet me ujëra të kristalta të Rivierës Shqiptare, te majat e thepisura të Alpeve shqiptare, nga qetësia e liqenit të Ohrit, deri tek qytetet historike të Gjirokastrës dhe Beratit, të mbrojtura nga UNESCO. 



Fotografitë e z. Shabarkov janë realizuar me një ndjeshmëri të veçantë artistike, duke arritur të kapin dritën, ngjyrat dhe emocionet që karakterizojnë natyrën dhe kulturën shqiptare. Veçanërisht, një prej fotove të tij të realizuara në Shqipëri ka fituar çmim në konkursin ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”, organizuar në Shqipëri, duke sjellë edhe më shumë vëmendje mbi potencialin turistik dhe natyror të Shqipërisë.



Të pranishëm në aktivitetin në Universitetin e Sofjes ishin Ambasadorë dhe diplomatë nga vende të ndryshme, përfaqësues të botës akademike, artistë, gazetarë, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Bullgari, përfshirë shoqatën “Mandrica”, e cila mban gjallë lidhjet historike dhe kulturore midis dy popujve.

Pas ceremonisë së hapjes, të ftuarit patën mundësinë të shijojnë një pritje ku u shërbyen gatime tradicionale shqiptare, një tjetër mënyrë për të sjellë më pranë kulturat e dy vendeve. Përmes aromës dhe shijes së kuzhinës shqiptare, miqtë bullgarë dhe ndërkombëtarë përjetuan një copëz nga mikpritja dhe tradita shqiptare, që, siç tha Ambasadorja Milo, është jo vetëm zakon, por mënyrë jetese në Shqipëri.



Vendi është një nga tregjet turistike me rritjen më të shpejtë në kontinent dhe ekspozita aktuale, që paraqet bukuritë e saj nëpërmjet syve të një artisti bullgar, është një ftesë e hapur për qytetarët bullgarë dhe partnerët ndërkombëtarë për të zbuluar këtë vend të Ballkanit, ku historia dhe bashkëkohësia bashkëjetojnë në harmoni.



“Shqipëria është duke u afirmuar si një ndër destinacionet më tërheqëse, autentike dhe ende të paprekura të Evropës, dhe ne duam që miqtë tanë bullgarë ta shohin e ta përjetojnë nga afër këtë vend të mrekullueshëm,” theksoi Ambasadorja Milo.

Foto: Sindi Nikollofski


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Jeta me një idiot" nga Teodor Ushev fitoi çmimin për filmin më të mirë në një festival në Pekin

Filmi i shkurtër i vizatuar "Jeta me një idiot" nga Teodor Ushev (Theodore Ushev) fitoi çmimin për filmin më të mirë në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Pekin. Animatori njoftoi lajmin në profilin e tij në Facebook. Filmi u vlerësua së bashku me disa..

botuar më 25-11-25 2.21.MD

Filmi “Made in EU” fiton edhe një çmim tjetër evropian

Filmi “Made in EU” i regjisorit Stefan Komandarev fitoi Çmimin e Madh të Publikut në edicionin e 63-të të Festivalit të Filmit në Hihon të Spanjës. Filmi triumfoi në konkurrencë me 95 tituj, njofton BTA. “Brenda pak ditësh fituam çmimin e kritikës..

botuar më 25-11-24 11.23.PD

Bullgaria shënon Ditën e Leximit

Të premten e tretë të nëntorit, me iniciativën e Fondacionit të Leximit, në Bullgari organizohet edicioni i tretë i Ditës Kombëtare të Leximit nën moton: "Lexoni. Vërtet". Sipas të dhënave nga studimi ndërkombëtar PISA2022 i OECD-së, 53% e..

botuar më 25-11-21 5.25.PD