Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Seminari Veror i Bullgaristikës në Sofje për të huaj ngjall interes të qëndrueshëm drejt Bullgarisë

Foto: Universiteti i Sofjes - Shën Kliment Ohridski

Leksionet në gjuhën bullgare, por edhe seminaret për përkthim, biseda mbi tendencat e reja në letërsinë dhe kulturën bashkëkohore bullgare, traditat, folklori, takime me kinemanë bullgare të sotme… të gjitha këto janë pjesë e programit të edicionit të 62-të të Seminarit të Bullgaristikës, i cili u hap zyrtarisht në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski". Ky është forumi më i vjetër i këtij lloji në vend – zhvillohet për më shumë se gjashtë dekada pa ndërprerje, me përjashtim të një viti gjatë pandemisë. Organizatori kryesor është Universiteti i Sofjes, konkretisht Fakulteti i Filologjisë Sllave, me pjesëmarrjen edhe të lektorëve nga Departamenti i Historisë, si dhe nga Instituti i Gjuhës Bullgare pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.

Në vitin 2025, në Seminarin Veror të gjuhës bullgare për të huaj në Sofje morën pjesë më shumë se 80 pjesëmarrës nga 26 shtete. “Ka edhe të avancuar me njohuri të thelluara të bullgarishtes, por motivimi i çdo të riu është i ndryshëm,” thotë Prof. Asoc. Atanas Atanasov, drejtori i seminarit:

“Të rinjtë që sapo kanë filluar janë njerëz që studiojnë ndonjë gjuhë sllave në vendet e tyre dhe pothuajse nuk janë përballur më parë me bullgarishten, por kanë dëshirë të hyjnë më thellë në gjuhën tonë. Pasi apasionohen pas gjuhës dhe kulturës bullgare, ata kthehen disa herë në vendin tonë. Grupi kryesor vjen nga shtetet evropiane, por as studentët aziatikë nuk janë të panjohur për seminarin. Në Japoni dhe Kinë bullgaristika ka rrënjë të thella. Në disa universitete japoneze, bullgarishtja studiohet shumë seriozisht. Madje këtë vit kemi 7 japonezë në seminar dhe mendoj se nuk ka asnjë shtet evropian që dërgon kaq shumë bullgaristë. Edhe studentët kinezë janë një grup i tillë. Universiteti ynë prej kohësh ka bashkëpunim të mirë me Universitetin e Pekinit, prej nga vijnë specializantë çdo vit. Interesi i tyre për gjuhën bullgare thellohet dhe kjo është pjesë e politikës shtetërore dhe marrëdhënieve dypalëshe në nivel të lartë midis dy vendeve. Në shtetet aziatike vërej interes të madh për kulturën bullgare në përgjithësi. Janë të interesuar për folklorin tonë, për letërsinë, për muzikën bullgare dhe në përgjithësi për gjithçka që përjetojnë këtu. Kemi parashikuar një program kulturor të pasur. Janë planifikuar edhe dy ekskursione – një në Plovdiv dhe Manastirin e Baçkovos, dhe tjetri në Koprivshtica. Që në leksionin e parë për pjesëmarrësit e avancuar në seminar, me titull ‘Për alfabetet bullgare’, ata njihen me gllagolicën dhe zhvillimin pasues të alfabetit cirilik. Gjithashtu, gjatë seminarit do të ketë vizitë në Bibliotekën Kombëtare, ku pjesëmarrësit do të mund të shikojnë dorëshkrime bullgare – kjo lidhet edhe me përvjetorin e 1170-vjetorit të krijimit të gllagolicës.”

Rioda është nga Japonia, studion degën "gjuhësi dhe histori e gjuhëve sllave" në Universitetin e Kiotos. Ai është 22 vjeç, por tashmë ka zgjedhur gjuhën bullgare si fushën në të cilën do të zhvillohet dhe do të ndërtojë një karrierë shkencore. I pëlqen shumë Bullgaria, kryesisht për shkak të historisë së lashtë dhe gjuhës:

“Unë i dua gjuhët sllave dhe kam studiuar fillimisht bullgarishten e vjetër, më pas dëshirova të mësoj gjuhën bullgare moderne dhe kështu fillova para dy vitesh – tregon japonezi Rioda për Radio Bullgarinë. – Më pëlqen më shumë fakti që fjalët në bullgarisht janë shumë të vjetra, më pëlqen të mësoj për kulturën tuaj të lashtë. Unë dua shumë të ketë më shumë miqësi mes Bullgarisë dhe Japonisë. Më pëlqen më shumë historia e lavdishme e Bullgarisë. Mendoj se Bullgaria është atdheu i gjithë sllavizmit dhe roli i saj ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm për të gjitha kombet sllave. Më intereson gjuha trans-sllave dhe studimi i bullgarishtes së vjetër më ndihmon shumë në këtë drejtim. Tani jam në vitin e parë të programit master. Në të ardhmen dua të bëhem profesor i gjuhëve sllave dhe mendoj se bullgarishtja dhe bullgarishtja e vjetër do të më ndihmojnë të arrij qëllimin tim.”

Gabriele vjen nga qyteti italian i Bolonjës. Thotë se e ka dashuruar Bullgarinë pas një ekskursioni në vendin tonë, gjatë të cilit vizitoi Sofjen dhe Plovdivin. Kontakti i parë me historinë dhe kulturën bullgare zgjoi kureshtjen për gjuhën bullgare. Ai ndan vëzhgimet e tij se tani po rritet interesi për studimin e gjuhëve sllave në Itali.

“Ka shumë universitete në Itali ku mund të mësohet bullgarisht, përfshirë edhe Universitetin e Bolonjës. Prej dy vitesh mësoj gjuhën – është shumë e vështirë, sepse është gjuha ime e parë sllave, nuk kam mësuar as rusisht, as ndonjë gjuhë tjetër sllave. Kam ardhur më parë në Bullgari për pushime me familjen dhe të dashurën time. Ishte shumë bukur. Më pëlqen shumë gjuha bullgare, prandaj jam këtu. Dua të mësoj më shumë për gjuhën dhe kulturën e këtij vendi.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski” – Fakulteti i Filologjisë Sllave, Gergana Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një verë, një gjuhë, shumë përvoja

Me përfundimin e javës së fundit të Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, e cila u zhvillua nga 19 deri më 25 korrik 2025, u mbyll edhe një kapitull i rëndësishëm i këtij programi të veçantë, i cili përbën një përvojë të paharrueshme për të..

botuar më 25-07-29 8.30.PD

5 filma me pjesëmarrje bullgare do të shfaqen në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Edicioni i 31-të i forumit të filmit në kryeqytetin boshnjak nga 15 deri më 22 gusht do të paraqesë 5 produksione me kontribut bullgar. “Yugo Florida” është debutimi artistik i regjisorit serb Vladimir Tagić. Nga ana bullgare, në bashkëprodhimin e..

botuar më 25-07-26 2.35.MD

Festivali “Misteret Trake” na rikthen në botën mistike të fiseve të lashta

Për të pestin vit me radhë, Akademia Orfika ndërton një hapësirë interaktive, në të cilën çdo spektator mund të prekë kulturën dhe artin e Trakisë së lashtë. Festivali “Misteret Trake” edhe këtë verë na çon në vende emblematike nga historia në tokat..

botuar më 25-07-25 4.00.MD