Fshati piktoresk i Gabrovos, Iglika, i shndërron rrugët dhe oborret e tij në një shesh të madh ekspozitash në ajër të hapur. Nga 1 deri më 3 gusht, "Iglika Kilim Fest" paraqet një koleksion mbresëlënës prej gati 900 qilimash autentikë të endur me dorë nga shekujt 18, 19 dhe 20. Së bashku me to, rreth 100 mostra të tjera ndodhen midis fasadave prej guri dhe oborreve të fshatit malor.

Kuratori i projektit është holandezi Jaap van Beelen – një studiues dhe kujdestar i trashëgimisë kulturore jomateriale bullgare, i cili jeton në Bullgari që nga viti 2007. Në fshatin Iglika, ai ekspozon 900 qilimat e tij bullgarë, të cilët janë pjesë e koleksionit të tij personal – fryt i përpjekjeve të tij afatgjata dhe lidhjes së tij të thellë me trashëgiminë kulturore bullgare.
“E kaluara nuk paraqitet vetëm në muze, ajo është ende pjesë e jetës së bullgarëve”, tha Jaap van Beelen në një intervistë për Radio Bullgarinë para ca kohësh, duke komentuar arsyet për vendosjen në vendin tonë dhe fillimin e mbledhjes së qilimave të vjetër bullgarë.

Vizitorët e "Iglika Kilim Fest" mund të prekin shembuj të rrallë dhe karakteristikë nga të gjitha shkollat kryesore bullgare të endjes së qilimave: Çiprovci (i listuar nga UNESCO-ja në vitin 2014), Kotell-Sliven, Pirot, Deliorman-Lludogorie dhe stile të tjera rajonale. Kjo është një mundësi unike për të parë një larmi të plotë traditash shekullore të mbledhura në një vend, larg mureve të muzeut.

Dhe zgjedhja e fshatit Iglika si mikpritës i festivalit nuk është e rastësishme. Për shkak të arkitekturës së Rilindjes dhe natyrës së bukur të Ballkanit, fshati njihet edhe si "Foleja e Gurit". Në këtë sfond, qilimat e vjetër shumëngjyrësh nga i gjithë vendi përshtaten në mënyrë të përkryer, duke krijuar një atmosferë të një përvoje të gjallë kulturore.
Programi i festivalit përfshin ture edukative në këmbë, punëtori për ngjyrosjen me materiale natyrore, teknikat e punimit të qilimave dhe endjes, një program për fëmijë, konkurse fotografike dhe koncerte të folklorit fusion.

Ngjarja është pjesë e nismave në mbështetje të kandidaturës së Gabrovos për Kryeqytet Evropian të Kulturës në vitin 2032.
Lexoni më tepër:
Në tre shtete, në tre qytete evropiane – Lion, Mynih dhe Kopenhagen – më 22 nëntor prezantohet projekti i Shoqatës së Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit (ShAFJV), “Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare”. “Qëllimi i Shoqatës është të..
Vallja bullgare është një magji, një rreth i mrekullueshëm që të mbush me energjinë e papërsëritshme të shpirtit tonë bullgar, traditave, identitetit – rrëfen gazetarja Milena Millotinova, e cila së fundmi prezantoi filmin e saj të ri dokumentar..
90 pjesëmarrës, që përfaqësonin 57 ansamble folklorike bullgare nga Evropa dhe Amerika e Veriut, u mblodhën në Sofje për takimin e tyre të katërt krijues-seminar. Ai kaloi jashtëzakonisht në mënyrë konstruktive, me punëtori dhe ligjërues të dobishëm, por..