Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Fshati Arbanasi dhe kisha e tij e famshme me Rrotën e Jetës

Afresku „Rrota e jetës“ në kishën „Lindja e Krishtit“ – Arbanasi
Foto: RIM - Veliko Tërnovo

Kisha "Lindja e Krishtit" është një nga kishat më të bukura në fshatin Arbanasi, i cili ndodhet vetëm 5 km larg qytetit Veliko Tërnovo. Ajo është një nga pak kishat e ruajtura nga fundi i shekullit të XVI dhe fillimi i shekullit të XVII në Bullgari. Ka katër anijata, në të cilat ruhen mbi 3500 imazhe të shenjtorëve dhe skena biblike. Gjendja e ikonostaseve është e mirë – ai në anijatën kryesore është nga shekulli i XVIII, ndërsa ai në kapelë është nga viti 1649, shekulli XVII, gjë që e bënë atë një nga më të vjetrat e ruajtura në vendin tonë. Kisha ka kaluar nëpër restaurim në vitet 70-të të shekullit të XX, ku pikturat murale u pastruan nga një shtresë e trashë tymi e grumbulluar nga ndezja e qirinjve, u forcua struktura e jashtme dhe ajo mirëmbahet çdo ditë nga punonjësit e Muzeut Rajonal Historik në Veliko Tërnovo.

Kisha u ndërtua në tri etapa, ku pjesa e parë daton nga viti 1597, pjesa tjetër nga viti 1638, dhe konstruksioni përfundimtar u përmbyll në vitin 1649. Të gjitha muret dhe harkoret e kishës janë të mbuluara me piktura murale. Ndër pikturat më të shquara është ajo e quajtur Rrota e jetës, e cila simbolikisht tregon rrugën e njeriut – nga lindja, përmes dëshirës për pasuri dhe pushtet, deri te fundi i pashmangshëm. Rrota rrotullohet nga engjëjt dhe kujton për kalimtarinë e gjithçkaje tokësore. Mbi të shkruhet: "As nuk kam qenë, as nuk më ka pasur."

"Kjo skenë për herë të parë u paraqit pikërisht në kishën e Arbanasit", sqaron ciceroni nga Muzeu Rajonal Historik i Veliko Tërnovos, Petko Petkanski.

Petko Petkanski

“Kjo përfaqëson interesin më të madh për shumicën e grupeve turistike. Çdo gjë në kishë ka një kuptim të madh, ndërsa disa nga skenat lidhen me mësime që janë të rëndësishme për çdo njeri. Veçanërisht prekëse është skena me Rrotën e jetës – simbol i kalimtarisë së jetës njerëzore dhe i asaj më të rëndësishmes për çdo njeri: shpëtimit të shpirtit të pavdekshëm. Ky mësim, i drejtuar kryesisht ndaj të pasurve, kujton se edhe nëse një njeri zotëron gjithçka gjatë jetës së tij, ajo që mbetet më e rëndësishme është shpëtimi shpirtëror.

Siç thuhet në Bibël: "Edhe nëse një njeri fiton gjithçka gjatë jetës, në fund do të jetë e rëndësishme vetëm të shpëtojë shpirtin e tij". Njerëzit e pasur mbajnë përgjegjësi më të madhe, sepse kanë më shumë mundësi dhe duhet të reflektojnë mbi mënyrën se si kalojnë jetën e tyre dhe si përdorin burimet e tyre. Ata janë të thirrur të kujdesen jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Sa më shumë të zotërojë dikush, aq më shumë përgjegjësi ka. Prandaj kjo skenë është pikturuar pikërisht në Arbanasi, sepse në atë kohë aty po lindte një shtresë e re e krishterëve të pasur, diçka jo tipike për Perandorinë Osmane. Duke kuptuar përgjegjësinë e tyre, ata investuan pjesë të burimeve të tyre në ndërtimin e kishave – si shprehje e besimit dhe e shërbimit ndaj komunitetit."


Në këtë periudhë në Arbanasi u vendosën shqiptarë, pas një fushate ushtarake të sulltan Bajazit II në këtë pjesë të Ballkanit. Ata ishin krishterë ortodoksë dhe pikërisht për këtë arsye u asimiluan shumë shpejt në popullsinë vendase – vazhdon rrëfimin e tij Petko Petkanski:


"Kemi të dhëna për emrat e njerëzve të tillë që kanë jetuar në Arbanasi që nga shekulli i XVII. Sot emrat shqiptarë praktikisht nuk gjenden më. Fshati u “bullgarizua” dhe popullsia e tij u bë e përbërë nga të krishterë. Në Perandorinë Osmane të asaj kohe njerëzit ndaheshin në myslimanë dhe në të krishterë. Kombësia nuk kishte rëndësi, më e rëndësishme ishte feja. Prandaj të gjithë të krishterët në perandori quheshin thjesht të krishterë, sepse ndarja ishte e vështirë. Kjo çoi në probleme serioze – në një moment rrezikohej që etnia bullgare të zhdukej krejtësisht. Pas shekullit XVIII, numri i bullgarëve u rikthye ngadalë dhe gradualisht. Megjithatë, në shekullin e XIX, shumë nga familjet e pasura filluan të flasin greqisht dhe të “grekëzohen”, siç shkruan vetë Paisij Hilendarski. Por me shfaqjen e një shtrese të pasur që filloi të arsimohej në vende të ndryshme jashtë Perandorisë Osmane, u rikthye ideja kombëtare që Bullgaria duhet të rikthehet brenda kufijve të saj kishtarë. Jo pa arsye, faza e parë e luftërave tona kombëtare për pavarësi ishte pikërisht për pavarësinë kishtare. Për këtë arsye, këto kishat në Tërnovo dhe rrethinat e tij kanë një rëndësi të madhe. Supozohet se Arbanasi luajti rolin e një qendre episkopale, e cila u zhvendos nga Tërnovoja (pas rënies së Bullgarisë nën sundimin osman 1393).


Sot në Arbanasi jetojnë pak më shumë se 300 banorë, por në rrugicat e kalldrëmta do të takoni shumë turistë. Duke vizituar këtë cep të Bullgarisë, njeriu kthehet në një epokë të kaluar, për të cilën dëshmojnë shtëpitë e ruajtura me dekor të pasur të brendshëm dhe vendet shpirtërore – pesë kisha dhe dy manastire aktive. Festa e fshatit përkon me një nga festat më të nderuara të krishterimit në verë – Fjetjen e Hyjlindëses (15 gusht).


Lexoni më shumë për fshatin Arbanasi në koleksionin e Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Gergana Mançeva, , arbanassi.org, Muzeu Rajonal Historik (RIM) - Veliko Tërnovo




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tre këndvështrime të historianëve bullgarë mbi Bashkimin e Bullgarisë në vitin 1885

Në korrik të vitit 1878, pas luftës së dhjetë ruso-turke, në Kongresin e Berlinit, territoret e banuara me bullgarë në Ballkan u ndanë në pesë pjesë. Dobruxha Veriore iu dorëzua Rumanisë. Serbia mori sanxhakun e Nishit. Tokat midis Danubit dhe malit Stara..

botuar më 25-09-06 5.30.PD

Eksponate të çmuara tregojnë për Bashkimin, të shpallur 140 vjet më parë në Plovdiv

Ishte viti 1883. Sipas projektit të arkitektit Pietro Montani, në qytetin Plovdiv fillon ndërtimi i godinës së Kuvendit Krahinor të Rumelisë Lindore – një provincë autonome bullgare brenda Perandorisë Osmane, një nga pjesët e Bullgarisë së copëtuar pas..

botuar më 25-09-05 5.30.PD
Foto: Parku Kombëtar Muze Shipka-Buzlluxha

Rruga e Gjatë e Himnit Bullgar: Ekspozitë në Majën Shipka

Më 30 gusht, gjatë Festimit Kombëtar të 148-vjetorit të Eposit Shipka, ekspozita "Rruga e Gjatë e Himnit Kombëtar" hapet pranë Monumentit madhështor të Lirisë në Malin Shipka. Pikërisht në këtë vend historik, ku u vendos fati i lirisë bullgare një shekull..

botuar më 25-08-30 8.05.PD