Presidenti i Serbisë flet për zgjedhje të parakohshme parlamentare
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se nuk mund të kandidojë sërish për postin në zgjedhjet e ardhshme dhe se "as që i shkon ndër mend" të ndryshojë kushtetutën për ta bërë këtë, transmeton BTA. Vuçiç u zgjodh për herë të parë president në vitin 2017. Ai u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2022, i cili përfundon në vitin 2027. Presidenti serb shtoi se do të shpallë zgjedhje parlamentare, ndoshta përpara skadimit të afatit ligjor, dhe se në këto zgjedhje do të shihet "çfarë do të thotë populli dhe kush do të fitojë".
Deklarata erdhi pas një tjetër nate protestash dhe trazirash në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera të mëdha. Gjatë tensioneve, pati përplasje mes mbështetësve të pushtetit dhe protestuesve.
Autoritetet shqiptare mbyllin një kanal televiziv të pavarur
Më 11 gusht 2025, kanali informativ News24 në Shqipëri u mbyll dhe ndaloi transmetimin me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, raportoi BGNES. Që në orët e para të mëngjesit, ambientet e Focus Media Group — ku ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare — u rrethuan nga autoritetet dhe u ndërpre energjia elektrike. Gazetarëve nuk u lejua të hynin në vendet e tyre të punës. Autoritetet justifikuan veprimin me një mosmarrëveshje për pronësinë pas transferimit të një pjese të kompleksit te një ndërmarrje shtetërore, por nuk u paraqit asnjë vendim gjykate. News24 është kanali i tretë, pas Agon Channel dhe Ora News, që mbyllet gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi këtë veprim si “një akt primitiv hakmarrjeje politike” për të heshtur “një nga mediat e fundit të pavarura në vend.”
Në Greqi do të ndjekin me pajisje gjurmimi migrantët pa leje qëndrimi
Një projektligj i ri në Greqi parashikon gjurmimin elektronik të migrantëve që ndodhen në vend pa leje qëndrimi, raportoi korrespondentja e BNR në vend, Katja Peeva. Sipas ministrit të migracionit, Thanos Plevris, migrantët të cilëve u është refuzuar e drejta për azil do të pajisen me byzylyk elektronik në kyçin e këmbës, për t'u monitoruar deri në dëbimin e tyre të detyruar drejt vendeve të origjinës.
Projektligji do të shqyrtohet në parlament gjatë muajit shtator. Plevris deklaroi gjithashtu se qëndrimi i paligjshëm në Greqi tashmë do të trajtohet si vepër penale, dhe moszbatimi i urdhrave për deportim do të sjellë burgim të detyrueshëm. Në të njëjtën kohë, qeveria greke po shqyrton ofrimin e një bonusi prej 2000 eurosh për ata migrantë që pranojnë të largohen vullnetarisht nga vendi.
Tren direkt tashmë lidh Bukureshtin me Kievin
Ukraina do ta shënojë çdo vit, më 31 gusht, Ditën e Gjuhës Rumune, njoftoi ministrja e jashtme e Rumanisë, Oana Coju, gjatë një vizite në qytetin ukrainas Çernivci, ku mori pjesë në një takim me homologët e saj nga Moldavia dhe Ukraina – Mihaj Popshoi dhe Andrij Sibiga, raportoi agjencia AGERPRES.
Shefja e diplomacisë rumune theksoi gjithashtu se Rumania dhe Ukraina janë zotuar të përfundojnë deri më 15 dhjetor ndërtimin e urës së re mbi lumin Tisa, që lidh Sigetu Marmaciei me Bila Cerkva. Ajo përshëndeti gjithashtu nisjen e linjës direkte të trenit midis Kievit dhe Bukureshtit, që kalon përmes Moldavisë. Coju u takua edhe me përfaqësues të komunitetit rumun në rajonin e Çernivcit. Në Ukrainë jetojnë mbi 180 000 shtetas ukrainas që flasin gjuhën rumune.
Në stacionin e "Orient Express" në Stamboll po krijohet muze i migracionit turk
Një nga ndërtesat më të bukura në qendër të Stambollit – stacioni historik Sirkexhi – është përkohësisht i mbyllur për restaurim. Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se gjatë restaurimit do t’i rikthehet pamja origjinale çatisë, fasadës, brendësisë dhe dritareve me xhama shumëngjyrësh. Stacioni, që ka qenë stacioni i parë dhe i fundit i trenit legjendar “Orient Express”, përfshin edhe një hotel dhe restorant të vjetër, ku kanë qëndruar personalitete të njohura. I ndërtuar në vitin 1890, gjatë periudhës së Belle Époque, stacioni përfaqëson një përzierje të barokut osman me stilin Art Nouveau që ishte në modë në atë kohë.
I konsideruar si portë midis Lindjes dhe Evropës, Sirkexhi, përveç muzeut ekzistues të hekurudhës, do të strehojë tani edhe një muze të ri të migracionit. Pikërisht nga ky stacion, gjatë viteve 60- të të shekullit të kaluar, mijëra turq u nisën për të punuar në Evropën Perëndimore.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: TANJUG, albaniantimes.al, en.rua.gr, facebook.com/OanaToiuUSR, hurriyetdailynews.com, en.wikipedia.org
Gjykata Kushtetuese në Shkup hapi një procedurë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e protokollit nga mbledhja e dytë e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, njoftoi agjencia Mаkfаks...
Masat fiskale godasin familjet në Rumani në sfondin e një deficiti rekord Rumania po hyn në një periudhë të vështirë ekonomike dhe komentuesit parashikojnë që kriza do të zgjasë të paktën një vit. Që nga 1 gushti i këtij viti, në vend hyrën..
Në Prokurorinë e Qytetit të Sofjes u hap një hetim para-gjyqësor në lidhje me vdekjen e kapitenit Marin Marinov, njofton BTA, duke iu referuar organit të akuzës shtetërore. Hetimi u hap më 19 maj pas një sinjali nga avokati Minço Spasov dhe ka të bëjë..
Gjykata Kushtetuese në Shkup hapi një procedurë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e protokollit nga mbledhja e dytë e Komisionit të..