Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Parku i pazakontë nënujor tërheq zhytës pranë ishullit Shën Anastasia

Foto: Pavell Samarin



Në akvatorin e ishullit Shën Anastasia shpaloset një spektakël përrallor: në 18 metra nën sipërfaqen e Detit të Zi ngrihet një kishëz ortodokse, ndërsa përballë saj është parkuar një “Çajka” sovjetike me grila kromi. Në afërsi të menjëhershme duket silueta e një ZIL-157 ushtarak, dhe kur i afrohesh kabinës përballesh sy më sy me shoferin – një kukull zhytësi me pajisje të plota. Ky teatër nënujor është krijuar nga shoqata “Miqtë e detit – Burgas” me mbështetjen e bashkisë Burgas dhe u hap zyrtarisht gjatë muajit qershor, duke e kthyer fundin e detit pranë ishullit në një oaz për zhytësit dhe organizmat detarë, mësojmë nga Stojan Dimitrov, kryetar i shoqatës. Dhe më tej:

Stojan Dimitrov

"Rreth vetë ishullit ka mjaft bukuri nënujore – shkëmbinj, jetë, alga, por duke u larguar pak nga ai, ndesh në një fund të sheshtë të mbuluar vetëm me guaska midhesh.  




Që në vitin 2023 zhytëm një kishëz me përmasa të plota, e pajisur me ikona dhe kryqe, e bekuar sipas të gjitha kanoneve ortodokse. E vendosëm në 15 m thellësi, rreth 150 m larg nga ishulli. Pranë saj është edhe statuja e shenjtores Anastasia. Ka një bojë për ankorim – mund të shkosh tek ajo me varkë ose edhe me anije.” 


Dhe meqë kohëzgjatja mesatare e një zhytjeje është rreth 50-60 minuta, ekipi vendosi ta “mbushë” ekskursionin nënujor të zhytësve me të tjera atraksione, duke e kthyer vendin në një park nënujor. Kështu nisi “Faza 2” e projektit – kërkimi i objekteve të reja. 



“Falë Ministrisë së Mbrojtjes dhe NSO-së morëm si dhuratë një ZIL-157 me stacion radio-rele dhe një ‘Çajka’ qeveritare ose të ashtuquajturin GAZ-13. Me anëtarët e shoqatës i përgatitëm për zhytje – hoqëm plastikë, vajra dhe materiale të dëmshme për detin. Nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të majit i pastruam makinat dhe morëm të gjitha lejet. Vendosëm edhe dy kupe nga xhipa, të cilët gjithashtu janë pastruar. Në ZIL ka një kukull me pajisje zhytjeje për selfie argëtuese. Tek të gjitha objektet ka linja orientuese, sepse rreth ishullit ka anomali magnetike dhe busulla nuk punon gjithmonë.” 



Automjetet janë vendosur mbi postamente betoni dhe janë qëllimisht të shpuara, që banorët e detit të mund të hyjnë brenda, të fshihen dhe të jetojnë në to. Në zhytjet e para pas hapjes zyrtare, zhytësit raportojnë se në karrocerinë e ZIL-it, në gomat e “Çajkës” dhe rreth shishes së verës (e vendosur posaçërisht për t’u vjetëruar në temperaturë konstante 8°C) tashmë janë vendosur çdo lloj organizmash – oktapodë të vegjël, midhje, kuaj deti etj. Zbrazëtirat në beton janë si dhoma hoteli për faunën detare, tregon Stojan Dimitrov: 

“Ky ishte qëllimi ynë i dytë kryesor – përveç atraksionit për zhytësit, të krijojmë një shkëmb artificial, që të bëhet habitat për banorët e detit. Kjo është praktikë botërore për rikthimin e jetës nënujore. Kisha që zhytëm në vitin 2023 dëshmoi se kjo funksionon. E tëra tashmë është e mbuluar, dhe tani pranë këtyre automjeteve, vendet ku banorët e detit mund të strehohen janë shumë më të shumta. Ekspozitat e radhës me shumë gjasë do të jenë mjete ajrore.”

 
Parku nënujor është i aksesueshëm për zhytës të certifikuar edhe me nivelin më të ulët (Open Water). Thellësia maksimale e tij është 18 m – pikërisht aty ku është vendosur ZIL-i. Shoqata regjistroi zhytësit e parë të interesuar që në javët pas hapjes, duke shpresuar në rritjen e interesit deri në fund të sezonit. 

Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: “Miqtë e detit – Burgas”, Pavell Samarin, Tatjana Bajkusheva, Pllamen Mihovski



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Platforma ikonike prej xhami "Maja" në malin Rodope është rinovuar

Platforma panoramike “Vërhët” ("Maja"), një vend ikonik turistik në malin e Rodopeve, është rinovuar. Me iniciativën e Shoqatës Turistike "Kreposta - Mogilica", objekti, i vendosur në 1351 metra mbi nivelin e detit, u rinovua dhe mori një shtresë..

botuar më 25-11-23 6.50.PD
Foto: Facebook/Parada e Verës së Re

"Parada e Verës së Re" në Plovdivin e Vjetër magjeps me aromat dhe frymën e traditës

Festivali i shtatëmbëdhjetë me radhë i verës së re në Plovdiv u hap zyrtarisht më 21 nëntor. Maratona e verës, e cila do të vazhdojë gjatë gjithë fundjavës, premton një udhëtim të paharrueshëm kulinar dhe kulturor në atmosferën autentike të..

botuar më 25-11-22 6.55.PD

Bullgaria tani është pjesë e "Rrugës Evropiane të Verës"

Ministria e turizmit mori një certifikatë zyrtare anëtarësimi në rrugën prestigjioze kulturore evropiane "Rruga e Verës" (Iter Vitis). Ajo iu dorëzua Ministrit të turizmit Mirosllav Borshosh në shenjë njohjeje të përfshirjes së Bullgarisë në..

botuar më 25-11-20 4.26.MD