Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Burokracia dhe ndryshimet klimatike po e tkurrin prodhimin bio në Bullgari

Foto: BGNES

Në hartën botërore të bujqësisë biologjike, Bullgaria nuk është thjesht një pikë, por një mozaik i larmishëm produktesh ushqimore që mbajnë aromën dhe shijen e natyrës së paprekur. Nga sipërfaqet tona të certifikuara bio nisen kultura të kërkuara në mbarë botën – bimë eterike për industrinë botërore të parfumerisë, bimë të egra nga shpatet e pastra malore, mjaltë me nuanca unike shijeje, fruta dhe rrush të kultivuara biologjikisht për verë... Por paradoksi qëndron në faktin se, ndërsa tregu i produkteve bio në vend po rritet dhe ne eksportojmë sasi të konsiderueshme lëndësh të para jashtë kufijve, prodhuesit vendas po tërhiqen ngadalë për shkak të presionit të ndryshimeve klimatike dhe burokracisë. Allbena Simeonova, kryetare e Shoqatës Bullgare "Bioprodukte", hedh dritë mbi këtë çështje:

Allbena Simeonova

"Në praktikën botërore ekzistojnë dy koncepte – produkt konvencional dhe produkt biologjik. Kemi dëgjuar për produkte "të gjyshes" apo "të gjyshit" nga mali, për shije "autentike" apo "natyrale"... Por të gjitha këto hyjnë në kategorinë e prodhimit konvencional. Produkti biologjik është ai, gjatë prodhimit të të cilit nuk përdoren aspak pesticide, plehra kimike apo organizma të modifikuar gjenetikisht (GMO). Si provohet kjo? Bëhen analiza të tokës, të bimëve dhe të frutave... Konsumatori mund të kuptojë nëse një produkt është biologjik nga etiketa: një gjethe jeshile me 12 yje të vegjël në ngjyrë jeshile ose të zezë."

Megjithë reputacionin e mirë që kemi në tregjet botërore, vetëm rreth 2% e tokave të punueshme në Bullgari janë të certifikuara si bio. Kjo përbën një rënie të ndjeshme krahasuar me 5% që ishte një dekadë më parë. Ndërkohë që fermeri konvencional mund të përdorë lirshëm kimikate për të luftuar dëmet nga breshëri apo thatësira, i vetmi mjet mbrojtës për fermerin biologjik ndaj fatkeqësive natyrore, gjithnjë e më të shpeshta, mbetet mbrojtja biologjike e bimëve – një alternativë e kushtueshme dhe jo gjithmonë efektive. Parashikimet për të korrat e sivjetshme nuk janë aspak optimiste.

"Është e vërtetë që ndryshimet klimatike ndikojnë më së shumti te prodhimtaria e produkteve biologjike. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e ujitjes për shkak të thatësirës, por edhe për shirat acidikë, pluhurin saharian e dukuri të tjera. Këto faktorë na ndikojnë jashtëzakonisht negativisht, sepse ne nuk përdorim aspak kimikate. Por jo më pak serioz është edhe problemi i burokracisë dhe barrës administrative – mal me dokumente, certifikime, kontrolle, raporte e të tjera. Dhe gjithashtu– që të bëhesh zyrtarisht prodhues bio, duhet të kalosh një “periudhë kalimtare” prej 2-3 vitesh. Gjatë kësaj kohe punon sipas të gjitha kërkesave të bujqësisë biologjike, ke rendimente më të ulëta, por... shes produktet me çmime konvencionale, sepse ende nuk ke marrë certifikatën. Pra – shpenzon më shumë, fiton më pak dhe pret"– thotë Allbena Simeonova. 

Nga 80 deri në 90 për qind e prodhimit bio vendas eksportohet jashtë shtetit në vende si Gjermania, vendet skandinave ose Mbretëria e Bashkuar, por në formë të lëndës së parë. Kështu, luledielli nga Dobruxha përpunohet në Holandë dhe kthehet në pastë bio-perimesh, ndërsa mjedrat nga Rodopet – në reçel bio Made in Germany.

"Dhe dëshiroj të tërheq vëmendjen e politikanëve – ndihmoni prodhuesin bio bullgar që të përpunojë produktet e fermës së tij përmes një mase të specializuar – siç ishte në programin e mëparshëm me vlerë rreth 20 milionë leva, që solli një bum në sektorin bio. Mbështetja për ndërtimin e punishteve të vogla do t’u jepte mundësi fermerëve të prodhojnë vetë verën, reçelin dhe produkte të tjera me vlerë të shtuar."

Dhe megjithatë ka shpresë – të rinjtë tek ne gjithnjë më shpesh kërkojnë ushqime bio, të prodhuara në Bullgari. “Sepse janë të shijshme, të shëndetshme, ruajnë mjedisin dhe, jo në vend të fundit, krijojnë punësim – tek ne pothuajse gjithçka bëhet me dorë”, përmbledh Allbena Simeonova dhe i thërret njerëzit të zgjedhin prodhimin bullgar bio.

Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES, Facebook /Shoqata Bullgare e Bioprodukteve, Facebook /Albena Simeonova, BTA




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tomisllav Donçev

Zëvendëskryeministri Tomisllav Donçev: Frika për futjen e euros do të kapërcehet shpejt

“Të gjitha frikët për futjen e euros do të kapërcehen brenda një ose dy muajsh pas 1 janarit 2026, pas së cilës do të duhet të kombinojmë përfitimet.” Kjo u tha nga Zëvendëskryeministri Tomisllav Donçev në një takim informues mbi futjen e euros në..

botuar më 25-10-07 3.08.MD

Punëdhënësit pengojnë propozimin për rritjen e pagës minimale

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale propozon që nga viti i ardhshëm paga minimale të bëhet 1213 leva ose 620,20 euro – 136 leva më shumë se aktualisht (1077 leva), deklaroi ministri i punës dhe politikës sociale, Borisllav Gucanov, pas mbledhjes së..

botuar më 25-10-07 12.31.MD

Bullgaria është në vendin e 56-të për lirinë ekonomike në botë

Instituti kanadez "Fraser" i ka dhënë Bullgarisë një vlerësim prej 7.13 pikësh (nga maksimumi 10) në renditjen “Liria ekonomike në botë, 2025”. Me këtë rezultat, vendi renditet në vendin e 56-të nga gjithsej 165 shtete, duke u pozicionuar mes Greqisë..

botuar më 25-10-06 6.10.PD