Nëse ju jepet rasti, mos e lini pa vizituar këtë vend mistik në Rodopet Perëndimore, në rrugën nga Goce Dellçev në drejtim të qyteteve Satovça dhe Dospat, i njohur me emrin "Gradishte".
Më pak se dy kilometra pas fshatit Dollno Drjanovo, në të djathtë, nuk mund ta humbisni kthesën për në Parkun Historik të Peizazhit. Fillimi i tij ndodhet pranë vetë rrugës, ku janë ndërtuar atraksione për fëmijë me lodra ngjitjeje dhe zip-line me litar. Shtigjet e parkut janë ndërtuar nga Komuna e Gërmenit me një program evropian dhe të çojnë në një rrugë të mbyllur përgjatë një kreshtës malore mbi lumin Bistrica. Në fillim, shtegu kalon mes shkëmbinjve të zhveshur përmes kreshtës, pastaj zbres në mënyrë më ekstreme drejt lumit të freskët dhe përfundon sërish gradualisht në fillim të parkut. I gjithë itinerari mund të përshkohet pa vështirësi për rreth dy orë.
Mësuesi vendas i historisë, Hasan Haxhijski, na rrëfen se që në fëmijëri kanë luajtur mes shkëmbinjve, por mezi në vitin 2000, profesori i matematikës dhe fizikës Todor Bojaxhiev, i cili po kalonte në atë zonë, vuri re format antropogjene dhe zoomorfe të shkëmbinjve dhe theksoi se bëhet fjalë për një vend shkëmbor të shenjtë dhe për veprimtari megalitike nga njerëzit prehistorikë. Me ndihmën e prof. Bojaxhiev, u realizuan gërmimet e para arkeologjike në vitin 2008, të udhëhequra nga docentja Anelia Bozhkova.
“Shtresa më e hershme që u zbulua ishte ajo e periudhës së kalkolitit (epoka e gurit dhe bakrit), e datuar rreth 5000–4000 vjet para Krishtit. Por vendi konsiderohet si një vendbanim parahistorik dhe një vend i shenjtë trak – rrëfen mësuesi. – Më pas pati edhe gërmime të tjera, në vitin 2011, sërish nën drejtimin e Anelia Bozhkovës. U zbulua një ndërtesë banimi dhe një vend i shenjtë trak nga shekulli i VII para Krishtit (epoka e hekurit e vonë). Në vendin e shenjtë u zbulua një eshara – një altar i bërë nga baltë shumë e imët. Doc.Bozhkova supozoi se kjo baltë ishte e importuar nga Greqia, pasi ishte tepër e imët dhe balta vendase nuk ka këto karakteristika. Kështu u krijua tashmë një bazë për zhvillimin e mëtejshëm të këtij objekti.”
Gjatë periudhës trake, në pjesën më të lartë të kreshtës kanë ekzistuar tashmë tre tempuj. Tempulli më lindor, i cili është edhe më i madhi, ka shërbyer gjithashtu si observator, pasi në shkëmb është gdhendur një hartë yjësie. Aty gjenden edhe shenja të vizatuara që tregojnë barasnetët dhe solsticet. Objekti nuk është ende i studiuar plotësisht nga arkeologët. "Nga ky kompleks i madh me një sipërfaqe prej rreth 700 dynymësh, është studiuar vetëm një dynym", – thotë mësuesi. Ka gjasa që tempulli të jetë drejtuar nga fisi trakas i besëve, por në afërsi kanë jetuar edhe përfaqësues të një fisi tjetër trakas – satrët. Përmes kësaj zone kalonte edhe një rrugë e rëndësishme antike, që lidhte Egjeun me Trakinë.
“Mendohet se këtu ka kaluar rruga tregtare nga Thasosi drejt Pistirosit – kolonia e tregtarëve nga Thasos pranë fshatit Vetren (në krahinën e Pazarxhikut). Nuk është rastësi që pikërisht në vetë lumin janë ruajtur tre ura – rruga ka kaluar me dredha përmes tyre dhe ka përfunduar në Vetren – këtë pjesë që ndodhet në rajonin tonë e kam studiuar vetë. Janë ruajtur pjesë me kalldrëm të rrugës, si dhe struktura të tjera përgjatë saj”, shpjegon studiuesi lokal i historisë.
Banorët e zonës, si të krishterë ashtu edhe myslimanë, kanë vazhduar deri vonë të përdorin të ashtuquajturat “provirallki” (vende ngushticash ku njeriu duhet të kalojë përmes shkëmbinjve) për trajtim të sëmundjeve të ndryshme. Shumë prej këtyre “provirallki” janë megalite tipike, të cilat në formën e tyre të parë natyrore kanë pasur funksion ritual e kultit.
"Ka shumë vrima-proviralki. Njerëz që kanë vizituar vendin thonë se secila prej tyre ka një qëllim të caktuar. Kur ishim fëmijë, gra të zonës na çonin aty dhe na kalonin përmes tyre. Çdo njëra kishte një përdorim të saktë për një sëmundje të caktuar – tregon Hasan Haxhijski - Më e madhja prej tyre ka një korridor të gjatë përpara se të kalosh në pjesën kryesore – është një strukturë unike që qëndron në pjerrësi, pa pasur zhvendosje të blloqeve shkëmbore. Duket qartë si janë vendosur mbi shkëmbin bazë, si janë ngjeshur blloqet e tjera ndërmjet dy shkëmbinjve anësorë, duke formuar një hark. Në këtë kompleks, unë vetë arrij të dalloj mbi 20 struktura të tilla. Janë gjigante, shtrihen në një sipërfaqe të madhe, por njëkohësisht janë shumë afër njëra-tjetrës. Ka shumë figura – sidomos kafshë – në veçanti dragonj (forma reptilësh), por edhe amfibë si bretkosa, si dhe krijesa detare: peshkaqenë, balena, banorë të detit. Mendohet se në ato kohë, Deti Mesdhe ishte më afër dhe ishte i njohur për ata që ndërtuan kompleksin" – shton studiuesi lokal.
Ka shumë interpretime për kolosët prej guri në Gradishte. Shkencëtarët ende mbeten borxhli për një studim të plotë të këtij vendi të shenjtë. Por bukuritë natyrore të tij janë të pamohueshme – dhe ato janë vlerësuar nga paraardhësit tanë që të paktën 7000 vjet më parë.
Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Ivo Ivanov
Paketat all inclusive në kompleksin turistik Sllënçev Brjag po bien ndjeshëm me 30 deri në 50%. Kompleksi ka raportuar një rritje prej 6 deri në 8 për qind të turistëve këtë sezon. Sipas kryetares së Shoqatës së Biznesit Turistik në Bullgari..
Duke ndjekur hapat e Alekos dhe ekspeditës së tij legjendare deri në Çerni Vrëh – kështu qindra dashamirës të malit do të festojnë 130 vjetorin e ekskursionit të parë të organizuar turistik në vendin tonë. Festimet jubilare filluan me një program në..
Është ende herët për të bërë një përmbledhje, por gjithçka tregon se sezoni ka qenë i suksesshëm për vendpushimet në Bregdetin tonë Verior të Detit të Zi, ku "Allbena" po shndërrohet në një shembull emblematik të rimëkëmbjes së shumëpritur pas pandemisë...
Paketat all inclusive në kompleksin turistik Sllënçev Brjag po bien ndjeshëm me 30 deri në 50%. Kompleksi ka raportuar një rritje prej 6 deri në 8..