Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dr. Ljuba Atanasova u mëson kinezëve gjuhën bullgare prej 13 vitesh

Dr. Ljuba Atanasova
Foto: BNR

"Mësoni pa paragjykime dhe shërbejini një kauze të denjë" - kjo është motoja e Universitetit të Studimeve të Huaja të PekinitBeijing Foreign Studies University në kryeqytetin kinez.Në institucionin e arsimit të lartë, i themeluar në vitin 1941, sot mësohen 101 gjuhë të huaja, duke përfshirë kurse në gjuhë të rralla evropiane, aziatike dhe afrikane. Që nga viti 1961, universiteti ofron gjithashtu një program bachelor "Studime Bullgare" në Fakultetin e Gjuhëve dhe Kulturës Evropiane, dhe për 12 vjet, Dr. Ljuba Atanasova nga Bllagoevgrad është lektore atje - një "mësuese" për nga vokacioni, profesioni dhe botëkuptimi.

Si u kryqëzuan rrugët e Dr. Atanasova dhe Kina? "Në fakt, unë nuk e zgjodha Kinën. Kina më zgjodhi mua" - i tha ajo korrespondentes së Radios Kombëtare Bullgare në Veliko Tërnovo, Zdravka Masljankova, duke shtuar se historia dhe përvoja e saj personale mund të shërbejnë si një konkluzion se si planet dhe idetë tona se si do ta organizojmë të ardhmen tonë shumë shpesh ndryshojnë krejtësisht.

Universiteti i Studimeve të Huaja të Pekinit

"Në momentin që mbusha 40 vjeç, sapo kisha mbrojtur disertacionin tim të doktoraturës në Universitetin Jugperëndimor "Neofit Rillski" në Bllagoevgrad dhe, rastësisht, u divorcova pikërisht në atë moment dhe pata një ndjesi të brendshme se ky ishte momenti kur duhej të bëja një lloj ndryshimi të përgjithshëm në jetën time. Dhe kështu vendosa se duhet të jap mësim për gjuhën, letërsinë dhe kulturën bullgare jashtë vendit në një universitet të huaj. Dëshira ime ishte që ky vend të ishte Beogradi, Serbia.(shënim i redaktorit: Universiteti i Beogradit ofron një nga programet më të mira për "Gjuhë dhe Letërsi Bullgare" në Evropë). Dokumentet që dorëzova për të aplikuar për konkursin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës u plotësuan me një dëshirë të vetme - Beogradin. Do të bëj një sqarim për ata që nuk janë të njohur - kur pedagogët dhe kolegët e ardhshëm aplikojnë për konkurset për pozicione lektorësh në bullgarisht, ata në fakt kanë të drejtë për të zgjedhur dy vende dhe zakonisht tregojnë dy preferencat. 


12 vjet më parë, kolegët që kishin shprehur dëshirën e tyre të parë për t’u bërë pedagogë në Beograd ishin, nëse nuk gabohem, tetë vetë, dhe të gjithë kishin përparësindaj meje – unë isha më e reja nga të gjithë dhe me kualifikimin më të ulët arsimor, “doktor”. Kur shkova në intervistën me gojë, kryetarja e atëhershme e komisionit, Prof. Kleo Protohristova, e cila është gjithashtu specialiste e letërsisë evropiane perëndimore si unë, më tha drejtpërdrejt “Ju nuk do të shkoni në Beograd”. Diçka që e prisja. Por ajo shtoi se ishin shumë të impresionuar nga CV-ja ime dhe kishin dy sugjerime të tjera për mua - të shkoja në Delhi të Indisë ose në Pekin të Kinës."

Kështu rrota e fatit u kthye dhe Dr. Ljuba Atanasova duhej të vendoste menjëherë se si ta vazhdonte jetën e saj. Ajo ngriti supet dhe u përgjigj pa hezitim: "Mirë, le të jetë Pekini!" Disa muaj më vonë ajo mbërriti në vendin më të populluar në botë, me një kulturë dhe zakone rrënjësisht të ndryshme nga ato evropiane. "Në këto 12 vjet këtu, kam parë vazhdimisht kolegë nga vende të ndryshme dhe të moshave të ndryshme, të cilët shumë shpesh kanë probleme serioze me adaptimin. Për shkak të shokut kulturor, nganjëherë ata largohen pothuajse menjëherë", thotë Dr. Atanasova. Megjithatë, ajo nuk është midis tyre. Që nga dita e parë që shkel në tokën kineze, ajo ndihet si në shtëpi.


"Rrugës nga aeroporti i Pekinit për në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, i thashë studentit që më priti në aeroport: 'Uau, çfarë surprize. Pekini është shumë i ngjashëm me Sofjen.' Deri më sot ndihem kështu - e ndiej dhe e quaj Pekinin qytetin tim të dytë të lindjes", është kategorike Dr. Ljuba Atanasova.

Duke u përshtatur shpejt me mënyrën e jetesës dhe rendin në Pekin, ajo ka zbuluar edhe një anë tjetër pozitive të punës së saj. Dr. Ljuba Atanasova thotë pa hezitim se mësimdhënia për studentët kinezë është një detyrë shumë më e lehtë sesa mësimdhënia në atdheun e saj.


"Studenti kinez është jashtëzakonisht i motivuar, jashtëzakonisht i disiplinuar dhe i orientuar drejt qëllimit. Mësuesi këtu është si mësuesi në Bullgari gjatë Rilindjes dhe veçanërisht pas viteve 1840. Ekziston një element adhurimi, ekziston një element respekti të pafund.”

24 studentë u diplomuan këtë vit nga programi i tyre i studimeve bachelor në gjuhë dhe letërsi bullgare në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit. 16 ishin studentë të vitit të dytë gjatë vitit të kaluar akademik dhe katër zgjodhën bullgarishten si një kredit shtesë në programet e tyre të masterit.


Vetëm pesë vjet më parë, Universiteti pranonte studentë që dëshironin të studionin bullgarisht në Fakultetin e Gjuhëve të Vogla dhe të Rralla një herë në katër vjet. Sot kjo ndodh çdo dy vjet, shpjegon Dr. Ljuba Atanasova. Edhe pse, sipas ligjit kinez, Dr. Atanasova, si çdo profesor tjetër i huaj në Kinë, nuk lejohet të përparojë në zhvillimin e saj akademik në universitetin ku jep mësim, pavarësisht viteve të përvojës, gjë që ia ndalon rritjen akademike, ajo është e lumtur dhe e kënaqur me jetën e saj. "Kina më ka ndryshuar shumë si person", pranon Ljuba.


“Nga natyra, jam kolerike, jam shumë energjike, dua që gjërat të ndodhin shumë shpejt, nxitohem në situata të caktuara si çdo përfaqësuese e Bullgarisë Jugperëndimore”, thotë ajo me një buzëqeshje. “Por këtu u mësova të jem disi e përulur, domethënë, pjesërisht e kam përvetësuar idenë e tyre të harmonisë. Do ta shpjegoj në një mënyrë tjetër - kinezët kanë një koncept të zhvillimit horizontal që është shumë i pakuptueshëm për mendimin tonë evropian. Nëse kuptimi ynë i suksesit dhe mirëqenies është një vektor i drejtuar lart, ata kanë edhe një ide tjetër. Jo se përjashtohet ai i mëparshmi, domethënë yni, por imagjinoni tani këtë vektor, i cili është thjesht horizontal. Kjo do të thotë se nëse shikoni veten, vendin ku ndodheni, gjërat që bëni, njerëzit me të cilët komunikoni dhe konstatoni se kjo ju kënaq plotësisht, ngjitja lart nuk është e nevojshme. Dhe unë arrita ta pranoj këtë mënyrë të vlerësimit të jetës. Fakti që ka shumë të ngjarë të mos e rris kurrë gradën time shkencore, se nuk do të bëhem profesoreshë e asociuar, në të vërtetë nuk më trishton dhe as nuk më zhgënjen. Ndihem shumë mirë këtu, kam një punë të papërshkrueshme dhe të kënaqshme me studentët kinezë dhe ajo që shkruhet para emrit tim nuk ka fare rëndësi. U them studentëve, fëmijëve, të më thërrasin thjesht Ljuba", thotë një pedagoge bashkëkohore bullgare në Kinë.


Mund të mësoni më shumë për marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Kinës nga arkivi i Radio Bullgarisë:

Përpiloi: Vesella Krësteva (në bazë të një interviste të Zdravka Masljankovës – korrespondente e BNR-së në Veliko Tërnovo)

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Foto: BNR, Zdravka Masljankova, Facebook/ Ljuba Atanasova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pianistja Rosica Banova: Besoj në të ardhmen e mrekullueshme të Bullgarisë

Pianiste e talentuar dhe pedagoge e njohur, për gati tre dekada Rosica Banova ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara dhe në Azi. Ajo ka dhënë koncerte në Austri, Hungari, Poloni, Çeki, Spanjë, Francë, Greqi, Rusi, Kinë, Vietnam dhe Tajlandë, ndërsa..

botuar më 25-10-27 7.30.PD
Foto: arkiva personale e Eva Popnedeleva

Arkitektja Eva Popnedeleva dhe projektet e saj të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendin tonë

“Nuk kam pasur kurrë dëshirë të emigroj, por pak pas martesës sonë e shoqërova bashkëshortin tim në Mançester, ku ishte dërguar për specializim” – kujton fillimin e historisë së saj jetësore jashtëzakonisht interesante arkitektja Eva Popnedeleva. Pas një..

botuar më 25-10-22 7.30.PD

Piktori i ri Nikollas Stoiçkov: E mira është gjithashtu një lloj arti

Nikollas është 15 vjeç. Ai është piktor i vetmësuar, por pjekuria në krijimtarinë e tij dhe forca e shpirtit të tij ngjallin admirim te çdo person që prek talentin e tij. Ai është një njeri që zhvillon beteja të brendshme dhe vazhdon përpara edhe në..

botuar më 25-10-18 10.05.PD