Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Serbët i besojnë më shumë Rusisë dhe Kinës dhe më pak BE-së


Qytetarët serbë kanë besimin më të madh në Rusi - 59%, dhe në Kinë - 57%, dhe vetëm pastaj në Bashkimin Evropian - 38%. 39% e perceptojnë Kinën si sponsorin kryesor të jashtëm, 30% tregojnë Rusinë dhe 29% - BE-në. Kjo tregohet nga një sondazh i Eurobarometrit mbi perceptimin e zgjerimit të BE-së në shtetet anëtare dhe vendet kandidate, raportoi BTA. Rezultatet tregojnë gjithashtu se, me përjashtim të Serbisë, popullsia e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi mbështet procesin e integrimit evropian. Mbështetja për anëtarësim në BE shprehet nga 91% e qytetarëve në Shqipëri, 69% në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Serbi është vetëm 33%.

Një total prej 45% e qytetarëve serbë të anketuar tregojnë se nuk besojnë se Serbia do të bëhet ndonjëherë pjesë e BE-së, që është përsëri rezultati më i lartë në Ballkanin Perëndimor. 26% mendojnë se pranimi i vendit do të zgjasë edhe pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet të tjera, dhe vetëm 10% besojnë se anëtarësimi është i arritshëm në pesë vitet e ardhshme.

Mësuesit protestojnë në Rumani përpara vitit të ri shkollor


Disa qindra mësues nga e gjithë Rumania protestuan para ndërtesës qeveritare në Sheshin “Viktoria” në Bukuresht javën e kaluar. Ata brohoritën "dorëheqje" dhe e mbushën zonën me vuvuzela, bilbila dhe daulle, raportoi BTA. Demonstruesit mbanin pankarta me mbishkrime "Bolojan (Kryeministri i Rumanisë), na lër rehat, shko në shtëpi me Daniel David (Ministrin e Arsimit), "Ne mbrojmë shkollën rumune", "Shkatërrimi i sistemit arsimor në Rumani është tradhti", etj.


Një protestë tjetër me pjesëmarrjen e 30 000 personave është planifikuar për të hënën, më 8 shtator, kur fillon viti i ri shkollor në vend. Veprimet e protestës u nxitën nga masat e marra nga qeveria e Kryeministrit Ilie Bolojan. Ata parashikojnë rritjen e numrit të orëve në normën e detyrueshme për mësuesit, rritjen e numrit të nxënësve në një klasë, bashkimin e institucioneve arsimore dhe uljen e të ardhurave të profesionit të mësuesit.

Kriza demografike në Greqi mbyll qindra shkolla


Sipas Ministrisë së Arsimit, qindra shkolla në të gjithë Greqinë po mbyllen për shkak të mungesës së fëmijëve. Arsyeja është problemi akut demografik. Brenda shtatë viteve, numri i nxënësve është ulur me 150 mijë, raportoi korrespondentja jonë Katja Peeva nga Greqia.

Problemi demografik prek kryesisht arsimin fillor.Situata është veçanërisht dramatike në ishuj, por shkollat ​​po mbyllen edhe në qytetet e mëdha, sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit.

Vetëm në rajonin e Atikës, ku jeton pothuajse gjysma e popullsisë së vendit, këtë vit janë mbyllur 77 shkolla. Në total, 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte nuk do të hapen në vend këtë vit. Ndër arsyet kryesore për krizën demografike janë të ardhurat e ulëta, mungesa e perspektivës dhe sigurisë për familjet e reja, si dhe kriza e strehimit, tregon një studim.

Një kompani kanadeze blen miniera për argjend dhe metale të tjera të çmuara në Bosnjë


Kompania kanadeze “Dundee Precious Metals” njoftoi se ka përfunduar me sukses blerjen e minierave pranë qytetit Varesh në Bosnjën dhe Hercegovinën Qendrore, të cilat prodhojnë argjend dhe metale të tjera të çmuara, raportoi HINA, e cituar nga BTA. Kjo ndodhi pasi “Dundee Precious Metals” bleu kompaninë e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar “Adriatic Metals”, e cila mbante koncesionin për shfrytëzimin e minierave në Varesh. Vlera e marrëveshjes nuk u zbulua, por supozohet se kompania kanadeze ka paguar midis 1 miliard dhe 1.25 miliardë dollarë amerikanë për blerjen. HINA thekson se kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha të minierave në Ballkan, dhe gjithashtu se kompania kanadeze e minierave ka mbi 20 vjet përvojë në gadishull, duke zbatuar projekte në fushën e metaleve të çmuara në Bullgari dhe Serbi.

Turqia renditet e treta në botë për prodhimin e domateve


Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë İbrahim Yumaklı mori pjesë në korrjen e domateve në lagjen Ayaş të Ankarasë. Ai theksoi se vitin e kaluar në Turqi u prodhuan 14.6 milionë tonë domate, duke theksuar se vendi renditet i treti në botë për prodhimin e domateve dhe se domatja është ndër produktet e saj kryesore të eksportit, raportoi faqja e internetit e specializuar për bujqësinë sinor.bg. "Duke marrë parasysh mesataren 10-vjeçare, ne eksportojmë afërsisht 535 000 tonë në vit", tha Ministri turk İbrahim Yumaklı, duke shtuar: "Konsumi për frymë të popullsisë është gjithashtu i lartë, kombi ynë i do domatet".

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Foto: EPA/BGNES, BTA, ekathimerini.com, miningweekly.com, Facebook/İbrahim Yumaklı

Më shumë nga rubrika

Bullgaria nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë

Si një vend në formatin e Koalicionit të Gatishmërisë, Bullgaria do t'i përmbahet vendimit të Asamblesë Kombëtare dhe nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë, njoftoi mbrëmë vonë kryeministri Rosen Zheljazkov . Në një takim të përbashkët informues me..

botuar më 25-09-05 9.37.PD

Dita e parë e kthimit të deputetëve nga pushimi: Kërcënim me votë mosbesimi, deklarata në sallën plenare dhe protestë jashtë

Sesioni vjeshtor i Asamblesë së 51-të Popullore u hap me himnet e Republikës së Bullgarisë dhe të Bashkimit Evropian, pas të cilave kryetarja e parlamentit Natalija Kisellova u bëri thirrje deputetëve të kuptojnë përgjegjësinë që mbajnë ndaj..

botuar më 25-09-03 2.40.MD

Ursula Von Der Leyen: Bullgaria kontribuon në sigurinë e përbashkët të Bashkimit Evropian

Bullgaria kontribuon në mbrojtjen e Ukrainës dhe sigurinë e përbashkët të Bashkimit Evropian përmes armëve që prodhon dhe me vendimin për të marrë pjesë në mekanizmin financiar SAFE, përmes të cilit duhet të forcohet industria evropiane e mbrojtjes...

botuar më 25-08-31 9.58.MD