"Ma dhemb shpirti kur bashkatdhetarët tanë në të gjitha kontinentet lotojnë kur këndoj “Vendi im”. Ata flasin dhe këndojnë për atdheun, me lot në sy. Kurse drejtuesit tanë nuk e duan atë me zemër..." – thoshte që kur ishte gjallë Emill Dimitrov, kompozitor dhe interpretues i një prej himneve jozyrtare të Bullgarisë. Gjatë dekadave të suksesit të tij skenik dhe krijues, ai ishte një idhull absolut, ndoshta i vetmi artist bullgar që jetonte si një yll i vërtetë, në stilin e jetës që shohim në Hollywood. Kishte një “ekip” prej disa vetash që kujdeseshin për jetën e tij të përditshme, ndërsa ai kishte vetëm një detyrë: të krijonte dhe t’i sillte gëzim publikut.

“Nuk kërkonte kurrë publicitet apo reklamë, jetonte në botën e tij. Dhe, ndër të tjera, dashuria e tij për Bullgarinë ishte shumë e madhe – sepse pati mijëra mundësi të qëndronte jashtë dhe të vazhdonte karrierën ndryshe, por gjithmonë kthehej” - thotë djali i tij, Emill Dimitrov (i biri), në një intervistë për një nga gazetat e kryeqytetit.Sipas kompozitorit të njohur bullgar Mitko Shterev, Emill Dimitrov është thjesht… një gjeni. Sepse ai ishte krijuesi dhe interpretuesi i këngëve të para bullgare që këndoheshin nga të gjithë.

Këngët e para të tij nuk tingëllojnë pompoze, akademike, siç ishte tipike për stilin mbizotërues në vitet 50-të dhe 60-të të shekullit XX. Autori i tyre nuk kishte arsim muzikor zyrtar, por këndonte shkëlqyeshëm, luante në mënyrë të mrekullueshme në fizarmonikë dhe ishte i pajisur me një talent të jashtëzakonshëm melodik dhe një karizëm të rrallë.Cilësitë e tij u vlerësuan nga Vasill Andreev – aktor në trupën e Teatrit të Rinisë, me talent poetik dhe një ndjeshmëri të theksuar ndaj zhvillimeve në art dhe shoqëri. Andreev ndjente nevojën për një repertor bullgar në zhanret popullore muzikore dhe vlerësoi potencialin e Emill Dimitrovit, i cili, përveçse luante fizarmonikë, kishte filluar të krijonte edhe këngë të veta me karakter sentimental e melankolik. Gjatë sezonit teatror të viteve 1959–1960, në Teatrin e Rinisë u vu në skenë një pjesë autoriale e Vasill Andreevit, i cili i propozoi Emilit të komozonte muzikën për shfaqjen. Kjo shënoi hyrjen e Emill Dimitrovit në karrierën brilante si kompozitor dhe këngëtar.

Në vitin 1960, kur ishte 19-vjeçar Emill Dimitrov u pranua në Akademinë Shtetërore të Teatrit dhe Filmit “Krastjo Sarafov” me specializim në mjeshtërinë prej aktori, por së shpejti e braktisi arsimin e lartë. Koncerti i parë, në të cilin ai mori pjesë u zhvillua në nëntor të po atij viti. Më 24 dhjetor 1960, Emill Dimitrov për herë të parë prezantoi para publikut këngën e tij origjinale “Arlekino”, e cila gjatë verës së vitit 1962 fitoi çmimin e tretë në Festivalin Ndërkombëtar të Këngës në Sopot (Poloni). Kjo ishte çmimi i parë ndërkombëtar për një këngë bullgare. Me shfaqjen e këngëve “Arlekino”, “Sinjali ynë” dhe “Lamtumira e Marinarit”, bullgarët morën hitet e tyre në gjuhën amtare. Në vitin 1965 doli në treg pllaka e parë e madhe e gramafonit me këngë të Emill Dimitrovit — e para e këtij lloji për një këngëtar pop në Bullgari. Në vitin 1968, ai dha një koncert legjendar në stadiumin “Dinamo” në Moskë para 80 000 shikuesve. Një vit më vonë, në vitin 1969 filloi të këndonte edhe në Francë.

Viti 1970 ishte viti kur u realizua albumi i tij i tretë në studio, i cili nis me hitin me të njëjtin emër — “Vendi im”, me tekst të Vasill Andreevit, orkestrim të Mitko Shterevit dhe interpretim të vet Emill Dimitrovit me orkestrën “Blu e bardhë”. Kënga u regjistrua edhe në frëngjisht, dhe më pas në gjermanisht, italisht dhe spanjisht me titullin “Monika”, duke u kthyer në një hit evropian. Sipas dëshmive të autorit të tekstit në bullgarisht, Vasill Andreev, një menaxher francez e pëlqeu shumë veprën dhe pyeti për tematikën e saj. Përkthimi e bindte se me tekstin origjinal kënga nuk mund të shitej në Francë. Shpejt Andreevi propozoi një zëvendësim — në vend të “Bullgarisë” të përmendej “Francë”, por menaxheri nuk e pranoi idenë. Atëherë Andreevi bëri një propozim tjetër, dhe kënga, që në origjinë ishte një përkushtim nostalgjik për Bullgarinë, u shndërrua në një rrëfim sentimental për vajzën Monika. I biri i kompozitorit pohon se titulli i parë ishte “Kënga për vendin tim” dhe se për herë të parë kënga u interpretua dhe u regjistrua nga Emill Dimitrov në frëngjisht në Paris, në versionin “Monika”. Janë të njohura edhe versionet e saj në letoneze dhe japoneze, si dhe një variant amerikan ku këndohet “Dua të kthehem në Kaliforni”.

Emill Dimitrov nuk mori asnjëherë njohje zyrtare nga Lidhja e Kompozitorëve Bullgarë, por u pranua si anëtar në një shoqatë profesionale të ngjashme në Francë. Këngët e tij zunë vendet e para në klasifikimet muzikore në mbarë botën. Në vitin 1980, me rastin e 40-vjetorit të lindjes dhe 20-vjetorit të nisjes së karrierës së tij artistike, u organizua një gala-koncert në sallën “Universiada”, ku morën pjesë yjet më të ndritur të skenës bullgare: Vasill Najdenov, Margarita Hranova, Grupi “Signall” etj. Po atë mbrëmje, Emill Dimitrovit iu dorëzua një pllakë e artë gramafoni për kontribut të veçantë në muzikën e estradës — e para pllakë e artë e dhënë ndonjëherë për një këngëtar pop në Bullgari.

Gjatë katër dekadave të karrierës së tij artistike, Emill Dimitrov incizoi 30 albume, shiti 65 milionë kopje prej tyre, krijoi 350 këngë dhe dha mbi 7000 koncerte në tre kontinente. Megjithatë, ai kurrë nuk u nderua me titullin “Artist i Popullit”, por në vitin 2000, kënga e tij “Vendi im” u shpall Kënga e Shekullit në Bullgari, së bashku me “Një trëndafil bullgar” të kompozitorit Dimitër Vëllçev. Ndërsa në vitin 2010, himni i Dimitrovit kryesoi klasifikimin e ri të BG Radios “1000 më të mëdhatë”. Sot, kjo këngë e Emill Dimitrovit, i quajtur shpesh “Frank Sinatra i Lindjes”, është bërë simbol i shpirtit bullgar, i dashurisë për atdheun dhe i nostalgjisë së bashkëkombësve tanë në mërgatë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv, arkiv personal, BGNES
Dy vajza të reja - Elisaveta Tasheva - eleeza dhe Rada Ilieva - kanë kënduar që në moshë të vogël, por gjithashtu kanë krijuar këngë të tyre origjinale. Tani, të bashkuara nga pikëpamjet e tyre të përbashkëta mbi muzikën, ato prezantojnë këngën e..
Grupi B.T.R. i jep fund turneut kombëtar me një koncert më 8 tetor në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës në Sofje. Ashtu si edhe gjatë gjithë turneut, në koncert do të marrin pjesë edhe muzikantët nga grupi AHAT. B.T.R. nisin Turneun..
Disa ditë para koncertit të saj të dytë të madh në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (22 tetor), Mihaellla Fileva prezanton këngën e saj të re "Kush është ajo?" me një videoklip argëtues në frymën e filmit të shkurtër. Kënga fillimisht është..
E vumë re Momçill Kosevin që gjatë njohjes sonë me grupin SoulBmoll, ku ai është kitarist, vokalist dhe autori kryesor i këngëve të tyre. Muzikantët e..
Bullgaria do të marrë pjesë në konkursin prestigjioz të këngës “Evrovizion”, i cili në vitin 2026 do të shënojë edicionin e tij të 70-të. Rikthimi i..
Dyshja e njohur së fundmi "Molec" do të prezantojë albumin e saj të ri "Paraklis" (“Kishëza”) me dy koncerte në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës..