Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

74% e rumunëve pajtohen me shërbimin ushtarak vullnetar

Afro 3/4 e rumunëve, ose 74.2%, janë dakord me vendosjen e shërbimit ushtarak vullnetar. Këtë e  tregon një sondazh i agjencisë sociologjike INSCOP nga fillimi i shtatorit, i kryer me porosi të platformës informative Informat.ro në bashkëpunim me grupin hulumtues Strategic Thinking Group, raporton BTA. Përqindja e mbështetësve të shërbimit ushtarak vullnetar ra krahasuar me korrikun, kur 79.4% e qytetarëve ishin “për”. 20.7% e të anketuarve janë kundër vendosjes së shërbimit ushtarak vullnetar, ndërsa në korrik ky numër ishte 15.1%. Afërsisht 5% nuk kanë dashur t’i përgjigjen pyetjes.

Bëhet fjalë për një trajnim ushtarak katërmujor për burrat nga 18 deri në 35 vjeç, gjatë të cilit ata do të marrin pagë. Aktualisht, mosha mesatare e rezervistëve në Rumani është rreth 47 vjeç, sipas Radio Romania International.

Në Rumani, shërbimi ushtarak i detyrueshëm u pezullua më 1 janar 2007, pas anëtarësimit në NATO (2004) dhe BE (2007). Sipas legjislacionit rumun, në rast lufte, Rumani mund të rivendosë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, dhe të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që nuk e kanë kryer shërbimin, mund të thirren në detyrë.

Greqia u shpreh kundër ndalimit të vizave për turistët rusë

Greqia, së bashku me Spanjën dhe Italinë, vendosi për herë të parë veto ndaj diskutimeve për ndalimin total të vizave për qytetarët rusë për në Bashkimin Evropian. Sipas Athinës, ndalimi i plotë i turistëve rusë nuk do t’i shkaktojë dëm ekonomik Moskës, por do të dëmtojë turizmin grek, që është një sektor kryesor ekonomik për vendin, transmetoi korrespondentja e BNR-së në Greqi, Katja Peeva. Sipas një analize të Bankës Kombëtare Greke, çdo turist rus shpenzon mesatarisht mbi 1300 euro gjatë qëndrimit, ndërsa turistët evropianë kufizohen me shpenzime rreth 600 euro për person.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, numri i turistëve rusë në Greqi u ul, por ata që vijnë shpenzojnë më shumë para. Nga ana tjetër, shumë rusë me prejardhje greke udhëtojnë drejt Greqisë, pasi kanë të afërm në vend. Athina deklaroi se nuk dëshiron të ndërpresë mundësinë që qytetarët rusë të vizitojnë familjarët e tyre. Madje, opozita në parlament kërkon nga Ministria e Punëve të Jashtme të lehtësojë ardhjen e rusëve me prejardhje greke.

Burg për pjesëmarrje në bllokada – parashikojnë ndryshimet ligjore në Serbi

Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal të Serbisë parashikojnë deri në një vit burg për pjesëmarrje në bllokada, raportojnë mediat serbe, të cituara nga BTA. “Po vendosim një vepër të re penale, që është vetë bllokada – zënia e rrugës, dhe të ngjashme. Askush nuk dërgohet direkt në burg – ka një proces gjyqësor që zhvillohet, dhe parashikohet një dënim deri në një vit burg pas procesit”, tha ministri i drejtësisë Nenad Vujiç për televizionin publik serb RTS. Sipas tij, me bllokada disa qytetarë shkelin të drejtën për lëvizje të të tjerëve.

Kjo iniciativë për ndryshime ligjore vjen në sfondin e protestave të vazhdueshme prej muajsh në Serbi, ku qytetarët përdorin shpesh bllokimin e rrugëve si formë presioni. Protestat u nxitën nga shembja e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ngjarje që çoi në viktima dhe të plagosur. Incidenti ndodhi pas një rikonstruksioni të gjerë të ndërtesës, i cili ishte përfunduar në mars të vitit 2022. Shoqëria dhe opozita akuzuan qeverinë dhe institucionet shtetërore për mungesë kontrolli dhe për korrupsion të mundshëm në dhënien e tenderëve publikë.

Në Turqi – martesa vetëm pas një vlerësimi psikologjik?

Përfaqësues të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet në Turqi shpallën plane për të vendosur vlerësime psikologjike të detyrueshme përpara martesës, për shkak të rritjes së rasteve të dhunës në familje dhe divorceve të hershme, raporton portali Türkiye Today, i cituar nga BTA.

Propozimi për ndryshimin e ligjit aktual parashikon që çiftet në Turqi të kalojnë një vlerësim psikologjik të detyrueshëm para martesës, pas së cilës do të marrin një certifikatë të posaçme që u lejon të lidhin martesë. Sipas përfaqësuesve të AKP-së, në këtë mënyrë prirjet për dhunë, çrregullimet psikologjike apo mospërputhjet socio-ekonomike do të mund të zbulohen në një fazë të hershme, me qëllim që të parandalohen problemet martesore në të ardhmen. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi këshillues, i cili do të përfshijë jo vetëm periudhën para martesës, por edhe pas saj — për shembull, në rast mosmarrëveshjesh ose kur divorci duket i pashmangshëm.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: forter.ro, visitgreece.gr,  EPA/BGNES, Pexels


Më shumë nga rubrika

Ministri Atanas Zaprjanov

Ministri bullgar i Mbrojtjes Atanas Zaprjanov ftoi kompanitë shqiptare në ekspozitën “Hemus”

Ministri i Mbrojtjes Atanas Zaprjanov dha një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) ku deklaroi: "Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është se Bullgaria dhe populli bullgar janë një aleat dhe mik i besueshëm për ju." Ne jemi të gatshëm të..

botuar më 25-09-19 10.16.PD
Ursula von der Leyen, Strasburg, 10 shtator 2025

Kursi i ri i BE-së dhe vendi i Bullgarisë në të

Një rrugë e re për Bashkimin Evropian u përvijua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Bashkimit para eurodeputetëve në Strasburg disa ditë më parë. Shkurt, baza e kësaj rruge të re..

botuar më 25-09-18 6.50.PD

Bullgaria është ndër vendet që nuk pranojnë sanksionet e BE-së ndaj Izraelit

Bullgaria është ndër vendet që pritet të bllokojnë shumicën e propozimeve të Komisionit Evropian për sanksione kundër Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës, shkruan "Politico". Kjo pritet të ndodhë më 17 shtator, gjatë një takimi në..

botuar më 25-09-17 1.44.MD