Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

At Paolo Cortesi: Emigrantët nuk janë kërcënim, por dhuratë për shoqëritë tona

Foto: Komuniteti Katolik - Belene

Para se të largohej nga kjo botë, Papa Françesku zgjodhi që tema e Ditës Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve për këtë vit, që bota katolike e kremton më 29 shtator, të ishte "Emigrantët – misionarë të shpresës".
Papa Françesku në një vizitë në Bullgari, viti 2019
“Me këto fjalë Papa na kujton se emigrantët nuk janë kërcënim për sigurinë kombëtare, por janë diçka pozitive – thotë At Paolo Cortesi, famullitar në Belene. – Ata nuk vijnë për të grabitur, por udhëhiqen nga shpresa për të gjetur diçka të mirë. Ata sjellin kulturën e tyre, besimin dhe vlera të tjera që mund t’i ndajnë me ne dhe përmes tyre ne mund të pasurohemi. Në qendër të këtij mesazhi qëndron pikërisht kjo: njeriu që emigron meriton vëmendjen tonë – ai nuk është kërcënim, por një dhuratë për shoqëritë tona.”

Kur tek ne arrin lajmi për një grup tjetër emigrantësh që kanë mbërritur ose, fatkeqësisht, kanë humbur jetën gjatë rrugës, të krishterët duhet të kujtojnë udhëtimin drejt Tokës së Premtuar të popullit të Izraelit dhe rrugën e gjatë nga skllavëria drejt lirisë. Por sa prej nesh bëjnë këtë analogji, apo në vend të kësaj, mbushin shpirtin me zemërim dhe jotolerancë ndaj njerëzve që kanë ardhur për të "cënuar" të mirat tona? At Paolo Cortesi kujton fjalët e Shën Palit se të gjithë njerëzit jemi emigrantë në këtë botë.

“Kur shohim se dikush është detyruar të lërë shtëpinë e tij, ndjenja e parë që duhet të përjetojë një besimtar është dhembshuria, sepse askush nuk emigron i lumtur – shton ai. – Dhembshuri për vuajtjen e njerëzve që kanë kaluar përmes shkretëtirave (Sahara është plot me eshtrat e atyre që janë nisur në rrugë), disa janë mbytur me varkat e tyre të vogla bashkë me fëmijët në det, të tjerë janë ndalur në kampe, rrahur apo qëlluar me armë – të qëndrosh indiferent ose të ndjesh zemërim ndaj tyre është mëkat i madh. Pas një tragjedie, Papa Françesku, në ishullin Lampedusa, tha: ‘Ky është turpi i një shoqërie që nuk di më të qajë dhe të ndjejë për tjetrin.’ Shpresoj që kjo ditë botërore të zgjojë të paktën pak dhembshuri tek ne dhe të mos mendojmë vetëm për interesat tona.”

Fatkeqësisht, dhembshuria – me përjashtime të rralla – mungon, dhe vendin e saj e zë mosbesimi, agresioni dhe frika, të nxitura nga predikues të nacionalizmit dhe politikanë.

“Shumë nga njerëzit që mbjellin urrejtje janë pagëzuar — ata mendojnë se janë të krishterë, por në të vërtetë punojnë për djallin,” shprehet në mënyrë të prerë at Paolo Cortesi. “Emigrantët dhe refugjatët janë burra, gra, fëmijë të zakonshëm, që kërkojnë strehim, punë, shtëpi, paqe. Prandaj duhet t’i trajtojmë me vëmendje këta fallxhorë të rremë, që përhapin budallallëqe dhe, duke përbuzur arsyen, abuzojnë me ndjenjat e njerëzve.”

Por si të hapim zemrën për të dëbuarit dhe t’i pranojmë si vëllezërit tanë, pasi çdo njeri në këtë tokë ka të drejtë për të jetuar një jetë me dinjitet?

“Do të ishte mirë të bisedonim dhe të dëgjonim ndonjë refugjat,” përgjigjet at Paolo Cortesi, duke kujtuar se rreth 3 milionë bullgarë janë emigrantë, sepse nuk kanë punë dhe të ardhme në atdhe. Por takimet do të kishin kuptim vetëm nëse jemi të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe pa pasur paragjykime.

“Nga Bibla janë të njohura fjalët e Jezusit: ‘Isha i huaj dhe ju më pritët — ejani në parajsë; isha i huaj dhe ma mbyllët derën — shkoni në ferr,’” thotë at Paolo Cortesi. “Fatkeqësisht, kur dëgjoj ‘kontrollin parlamentar’ në radio, dëgjoj politikanët në Kuvend të flasin për emigrantët: duhet të dërgojmë makina të blinduara në kufi, duhet të zgjerojmë rrjetin, duhet të ketë më shumë ushtarakë atje, duhet të qëllojmë, duhet të mbrohemi, ky është një kërcënim për sigurinë kombëtare. Do të ishte mirë të dëgjonim të paktën një politikan të thoshte: ka njerëz në nevojë që trokasin në derën tonë — të dërgojmë në kufi Kryqin e Kuq, psikologë, mësues, përkthyes; t’i presim me bukë dhe kripë, t’i pyesim çfarë u duhet, pse po ikin, çfarë dëshirojnë, nëse kanë probleme shëndetësore, nëse mund t’u ndihmojmë. Dhe në vend që të shpenzojmë miliona euro çdo muaj për një central bërthamor në Belene, le të investojmë pak mjete në tendat, shtretërit dhe ushqimin; t’u japim një gotë ujë dhe rroba këtyre njerëzve, t’i ndihmojmë të integrohen në Bashkimin Evropian. Unë nuk shoh kërcënimet që politikanët thonë pa turp, por shoh se Bullgaria po vdes — popullsia po zvogëlohet dhe më shumë janë bullgarë që emigrojnë sesa të huaj që vijnë në vend.”

Një nga gënjeshtrat që përhapen, vazhdon më tej At Paolo Cortesi, është se shumica e emigrantëve janë myslimanë dhe duan të krijojnë shtete myslimane në tokat evropiane. Në atdheun e tij, Itali, për shembull, 70% e atyre që kërkojnë azil – përfshirë përfaqësues të besimeve të ndryshme – janë të krishterë, dhe të gjithë së bashku mund të kontribuojnë në dialogun ndërfetar, të bazuar në vlera të përbashkëta. Prandaj prifti bën thirrje:

“Të paktën në këtë ditë të lutemi që Zoti t’i mbrojë të gjithë ata që janë udhëtarë, dhe që ata të takojnë njerëz të mirë, që t’i ndihmojnë të integrohen dhe të kenë një jetë të denjë. Ndërsa atyre që ndjejnë frikë nga emigrantët dhe refugjatët, u uroj ta mposhtin këtë ndjenjë dhe të përdorin më shumë arsyen e tyre.”

Dhe megjithëse na pëlqen të rrethohemi me kufij, e vërteta është se të gjithë ne i përkasim një familjeje – të gjithë jemi udhëtarë dhe jetojmë vetëm përkohësisht në këtë tokë.

“Të mos mbyllemi në kështjellat tona, të mos kemi frikë nga takimi me tjetrin, të pasurohemi në mënyrë të ndërsjellë, të ndihmojmë njëri-tjetrin në rrugëtimin tonë drejt atdheut tonë qiellor,” këshillon At Paolo Cortesi.

“Siç shkruhet në Bibël, Zoti pret që të vijnë njerëz nga lindja e perëndimi, nga veriu dhe jugu, nga çdo komb dhe gjuhë. Prandaj duhet të mësohemi të jetojmë së bashku, sepse në qiell do të jemi të përzier përjetësisht.”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: Komuniteti Katolik - Belene, BTA, arkiva, Dora Atanasova, BGNES



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

76% e të rinjve në Evropë janë të ekspozuar ndaj dezinformimit – cila është situata në Bullgari

Çështja e informacionit cilësor dhe të saktë ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht e rëndësishme, por a mos vallë tashmë jemi përballë një problemi që paraqet rrezik për përhapjen globale të lajmeve të rreme në të ardhmen? Sipas një studimi të Eurobarometrit,..

botuar më 25-09-27 8.05.PD
Facebook/Fondacioni

Mjekët bullgarë kryejnë konsulta mjekësore në fshatin shqiptar Pustec

Mjekë nga institucionet mjekësore bullgare po ekzaminojnë pacientë në fshatin shqiptar Pustec, njofton Ambasada e Bullgarisë në Tiranë . Iniciativa po zhvillohet falë organizimit dhe financimit të fondacionit “Kujtesa Bullgare” dhe themeluesit..

botuar më 25-09-26 8.59.MD

Vetëm 10% e fëmijëve të privuar nga kujdesi prindëror kanë leje për birësim

Aktualisht, nga gati 8000 fëmijë të privuar nga kujdesi prindëror, vetëm 850 kanë leje për birësim të plotë. Kjo u njoftua nga Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Ivan Krëstev në një tryezë të rrumbullakët në Sofje, duke sakëtsuar se nga..

botuar më 25-09-26 5.06.MD