Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

5 Tetori është Dita Ndërkombëtare e Mësuesve

Neli Ickova nga Brukseli: Sot të jesh mësues është një sfidë dhe një provë

Foto: Daniella Goleminova

Prej 4 vitesh, Neli Ickova është mësuese e historisë dhe gjeografisë në Shkollën Bullgare të së Dielës "Pejo Javorov" në Bruksel. Ajo rrëfen se ka përshkuar një rrugë të gjatë për të realizuar ëndrrën e saj – të punojë me fëmijë. Përfundoi  studimet për pedagogji në Universitetin e Shumenit “Peshkopi Konstantin Presllavski”. Menjëherë pasi mori diplomën si mësuese, Ickova filloi të kërkonte punë në shkollat e rajonit të saj të lindjes, Razgrad, por fati nuk ishte në anën e saj.

“Sidomos në vitet pasi u diplomova – 2013, 2014, 2015 – ishte pothuajse e pamundur të gjeje punë si mësuese. Kisha pyetur në shkollën e fshatit tim të lindjes, Rakovski, në rajonin e Razgradit, por ishte shumë e vështirë të lirohej një vend pune si mësues dhe t’ia jepnin dikujt pa përvojë. Atëherë fillova punë në një punishte. Bënim kabllo që eksportoheshin jashtë vendit. Për njëfarë kohe punova në prodhim. Më pas punova disa muaj si shitëse” – rrëfen bashkatdhetarja jonë.

Neli Ickova

Në vitin 2020, Neli Ickova vendosi të kërkonte realizim profesional jashtë vendit. Zgjodhi Belgjikën, sepse prindërit e saj jetonin atje prej vitesh dhe ajo mund të mbështetej tek ata në rrugën drejt ëndrrës – të bëhej mësuese. Ajo mbërriti në Bruksel vetëm pak orë përpara se të mbylleshin kufijtë për shkak të valës së parë të koronavirusit.

Erdha këtu në mars të vitit 2020. Mbaj mend datën – 13 mars, sepse ditën pasardhëse u mbyllën kufijtë. Gjithçka ishte tashmë e bllokuar. Kjo periudhë ishte shumë e vështirë dhe e rëndë për mua në plan personal. Ajo që ndodhi me gjithë botën, që gjithçka u bllokua, thjesht nuk dija se në cilin drejtim të shkoja. Nuk kisha fare ide se si të vazhdoja. Gjithçka ishte e mbyllur. Madje për disa muaj nuk arrita të regjistrohesha këtu në Belgjikë. Viti 2020 ishte një vit i vështirë. Vitin pasardhës gjërat filluan të përmirësoheshin. Fillova të punoj si pastruese – punova në pastrim për nëntë muaj, sepse ishte e vetmja mundësi për të filluar punë dhe për të marrë dokumentet. Absolutisht gjithçka e fillova nga e para...”

Pas periudhës së vështirësive dhe sfidave, fati i jep një mundësi Neli Ickovës. Në vitin 2021, në Shkollën Bullgare të së Dielës pranë Ambasadës sonë në Bruksel, u lirua një vend pune për mësuese dhe bashkatdhetarja jonë filloi punë atje.

“Kisha njerëz përreth meje që më thanë: “Mund të aplikosh në shkollën bullgare, sepse kemi dëgjuar se kërkojnë mësues atje.” Por unë gjithmonë përsëritja vetes se nuk kam aspak përvojë. Po, kam diplomë, por nuk kisha pasur mundësi të punoja me fëmijë në terren. Një gjë është ta dish në teori, një tjetër është të qëndrosh përpara fëmijëve – ka një ndryshim të madh. Mbaj mirë mend që ishte prilli dhe tri ditë mendova nëse do t’u dërgoja CV-në dhe letrën e motivimit. I shkrova, por ato tri ditë qëndruan në kompjuter sepse isha shumë e pasigurt për veten. Vazhdimisht përsërisja se nuk kisha përvojë. Në një moment u guxova dhe i dërgova. Të njëjtën ditë më telefonoi zonja Valentina Najdenova nga shkolla bullgare. U prezantua, biseduam dhe, falë asaj, mora një mundësi. Fillova punë në shkollën bullgare – fillimisht për dy orë, pastaj orët u shtuan.”

Sot, të jesh mësues është një sfidë dhe një provë, thotë Neli Ickova. Mësuesi duhet të jetë jo vetëm pedagog, por edhe psikolog.

“Ajo që kam vënë re gjatë katër-pesë viteve këtu, në shkollën bullgare, është se në klasat e 5-ta dhe të 6-ta fëmijët janë më të qetë – janë të vëmendshëm, dëgjojnë, janë kuriozë dhe shumë të informuar. Ndërsa në klasat e 7-ta dhe të 8-ta gjërat ndryshojnë rrënjësisht. Kthehemi nga pushimet e verës dhe shoh sa kanë rritur. Vërej ndryshimet në karakterin e tyre, tashmë i preokupojnë çështje krejt të tjera. Duhet të jemi mjeshtër e magjistarë që të mbajmë vëmendjen e tyre në ndonjë mënyrë. Ata janë krejtësisht të zënë me telefonat. Fizikisht janë aty, por mendimet e tyre janë shumë larg. Më bëhet shumë më e vështirë të mbaj vëmendjen e tyre në klasat e 7-ta dhe të 8-ta. Pastaj shoh ndryshime edhe në klasat e 9-ta dhe 10-ta. Ata janë pak më të qetë tashmë. E kuptojnë se duhet të marrin vendime më serioze për arsimin e tyre të mëtejshëm. Disa nga fëmijët thonë paraprakisht se do të kthehen në Bullgari dhe se kanë nevojë për një notë në histori dhe gjeografi” - thotë mësuesja.

A është më e vështirë puna e edukatorëve që punojnë me fëmijë bilingë?

“Nuk mendoj. Madje mund të them se është një avantazh. Ndonjëherë, kur flasim për diçka lidhur me Bullgarinë dhe në të njëjtën kohë bëhet fjalë për një vend tjetër ose një objekt gjeografik, ata tashmë e dinë. Ata e kanë mësuar tashmë në shkollën përkatëse – atë franceze ose flamande. Fëmijët madje më japin më shumë informacione” - tregon Ickova.

Si u mësohet historia dhe gjeografia bullgare fëmijëve që rriten larg vendit tonë?

“Në klasën e pestë kanë interes të madh për historinë e Bullgarisë. Dëshirojnë të mësojnë fakte tërheqëse për kanët e Bullgarisë. Ky kuriozitet vazhdon edhe në klasën e gjashtë. Ndërsa në klasat e shtatë dhe të tetë pak tërhiqen, thonë: “këtë nuk më duhet, por prindërit më detyrojnë”. Më pas këta fëmijë kuptojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të njohin historinë e Bullgarisë dhe të dinë rrënjët e tyre. Ndonjëherë historia u duket më interesante sesa gjeografia... Ka tema mbi të cilat diskutojmë, por ata shfaqin interes dhe kërkojnë informacion në internet. Kur arrijmë tek tema e Rilindjes Kombëtare Bullgare, u intereson shumë. Dua në njëfarë mënyre të krijoj atë atmosferë që ka pasur para disa qindra vitesh. Në vend që të shkruajmë mbi rërë, shkruajmë mbi kripë me një shkop. Fëmijët kanë provuar vitet e kaluara të shkruajnë me pendë dhe bojë, për të parë dhe për të ndjerë si kanë arritur dikur të shkruajnë dhe të mësojnë bullgarisht. Në fakt, shkollat e së dielës janë versioni modern i shkollave kishtare. Aktualisht ka shumë fëmijë bullgarë që janë lindur jashtë kufijve të Bullgarisë dhe falë shkollave të së dielës, ata vazhdojnë të mësojnë gjuhën bullgare, historinë dhe gjeografinë e Bullgarisë. Ushtrimet që bëjmë mbeten thellë në kujtesën e tyre dhe u pëlqen shumë, veçanërisht të shkruajnë me pendë dhe bojë” - ndan përshtypjet e saj Neli Ickova.

Mësuesja e re është e lumtur me atë që ka arritur deri tani – vazhdon të fitojë përvojë profesionale dhe, përveç në Shkollën Bullgare të së Dielës, prej kohësh punon edhe si ndihmëse mësuese në një shkollë belge.

“Ngadalë po më shfaqen mundësi. Akoma kam shumë për të mësuar, por jam e kënaqur me atë që kam arritur gjatë viteve të fundit. Sigurisht, ka edhe shumë për të mësuar, sepse jam në fillim të rrugës” - thotë në fund të bisedës mësuesja bullgare në Bruksel.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: arkiv personal, Shkolla Bullgare "Pejo Javorov" në Bruksel



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pianistja Rosica Banova: Besoj në të ardhmen e mrekullueshme të Bullgarisë

Pianiste e talentuar dhe pedagoge e njohur, për gati tre dekada Rosica Banova ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara dhe në Azi. Ajo ka dhënë koncerte në Austri, Hungari, Poloni, Çeki, Spanjë, Francë, Greqi, Rusi, Kinë, Vietnam dhe Tajlandë, ndërsa..

botuar më 25-10-27 7.30.PD
Foto: arkiva personale e Eva Popnedeleva

Arkitektja Eva Popnedeleva dhe projektet e saj të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendin tonë

“Nuk kam pasur kurrë dëshirë të emigroj, por pak pas martesës sonë e shoqërova bashkëshortin tim në Mançester, ku ishte dërguar për specializim” – kujton fillimin e historisë së saj jetësore jashtëzakonisht interesante arkitektja Eva Popnedeleva. Pas një..

botuar më 25-10-22 7.30.PD

Piktori i ri Nikollas Stoiçkov: E mira është gjithashtu një lloj arti

Nikollas është 15 vjeç. Ai është piktor i vetmësuar, por pjekuria në krijimtarinë e tij dhe forca e shpirtit të tij ngjallin admirim te çdo person që prek talentin e tij. Ai është një njeri që zhvillon beteja të brendshme dhe vazhdon përpara edhe në..

botuar më 25-10-18 10.05.PD