Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Natyra apo pakujdesia njerëzore – kush është fajtor për përmbytjet në bregdetin bullgar?

Foto: BTA

Vitit 2025, që po i vjen fundi, nuk bëri përjashtim nga statistikat e errëta të fatkeqësive natyrore në Bullgari. Thatësira, zjarre dhe më pas — përmbytje. Dhe megjithëse pas çdo fatkeqësie flitet për masa, kontroll dhe parandalim, sërish jemi dëshmitarë të një déjà vu-je: të njëjtët pasoja dhe të njëjtat premtime.

Përmbytjet më të rënda këtë vjeshtë goditën bregdetin jugor të Detit të Zi, veçanërisht kompleksin turistik Elenite, ku shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit shkaktuan një përmbytje të vërtetë. Përroi që kalon nëpër kompleks rrëmbeu dhjetëra makina dhe objekte të tjera, duke përmbytur dhjetëra ndërtesa, shumica e të cilave, sipas autoriteteve shtetërore, janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Katër persona humbën jetën si pasojë e stuhisë, ndërsa i gjithë kompleksi u evakuua deri në përfundimin e pastrimit dhe vlerësimit të dëmeve.

Përveç Elenite, probleme pati edhe në qytete të tjera të bregdetit jugor — si Carevo, Llozenec e të tjerë — por edhe në pjesë të tjera të vendit. Në total, 51 vendbanime në Bullgari mbetën pa energji elektrike për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Pse çdo vit përjetojmë të njëjtën skenë dhe dëgjojmë të njëjtat premtime, por pa rezultat? Kush është faktori kryesor — pakujdesia e institucioneve, ndërtimi i pakontrolluar, apo thjesht ndryshimet klimatike, me të cilat autoritetet shtetërore gjithnjë e më shpesh justifikohen?

Sipas ekologut dhe ish-zëvendëskryeministrit bullgar Borisllav Sandov, faktorët klimatikë kanë ndikim në reshje, por jo në viktimat dhe dëmet materiale:

“Për dëmet dhe viktimat janë përgjegjëse pakujdesia ose korrupsioni — varet se cili prej të dyjave është shfaqur, për të shkelur ligjet dhe për të ndërtuar infrastrukturë mbi shtratet e lumenjve, ose për të mos menaxhuar në mënyrë të duhur elementët natyrorë si pyjet, lumenjtë dhe zonat urbane. Konkretisht për përmbytjet e fillimit të tetorit, mund të flasim qartësisht për një sërë shkeljesh ligjore që çuan në humbje jetësh dhe dëme të mëdha materiale në kompleksin 'Elenite’,” — deklaroi Sandov për Radio Bullgarinë.

Ai shtoi se e njëjta situatë është përsëritur edhe në qytetin e Carevos:

“Në Carevo ndodhi sërish e njëjta gjë, në të njëjtat vende. I vetmi 'ndryshim' ishte se dy vite më parë pati gjithashtu edhe viktima.”

Sipas Sandov, është fakt që përgjegjësia shpërndahet midis institucioneve, por në të njëjtën kohë ka persona dhe institucione konkrete që mbajnë përgjegjësi direkte dhe që duhet të përballen edhe me pasoja penale.

“Kur flasim për të gjitha këto shkelje — si heqja e lumenjve nga hartat që të mund të ndërtohet aty — ka një kryearkitekt të bashkisë, ka kryetar bashkie, ka këshilltarë. Kur flasim për kontrollin e këtyre punimeve ndërtimore — ekziston Drejtoria Rajonale për Kontrollin e Ndërtimit, Inspektorati Rajonal i Mjedisit dhe Ujërave, etj. Këto janë institucione konkrete — lokale dhe shtetërore — që mbajnë përgjegjësi. Dhe është koha që të kërkohet edhe përgjegjësi penale për to, sidomos për kryearkitektët që lejojnë shkelje të ligjit dhe lejojnë që në vendin e një lumi të ndërtohet, për shembull, aquapark ose hotel”, – u shpreh në mënyrë kategorike ekologu.

Kontroll të planeve urbane, veçanërisht në zonat me rrezik, dhe për një moratorium ndërtimi në zonat që mund të jenë të rrezikuara, kërkojnë nga Dhoma e Arkitektëve të Bullgarisë, e cila dje publikoi një deklaratë speciale. Në deklaratë organizata profesionale thekson se ndërtimet jashtë kontrollit, shpesh të paligjshme përgjatë bregdetit, shkatërrimi i hapësirave të gjelbra dhe i sistemeve natyrore po shndërrojnë çdo stuhi në një fatkeqësi.

Ne tashmë kemi ndryshime të qëndrueshme klimatike në territorin tonë dhe duhet të përshtatemi — përkujton Borisllav Sandov. Për rastet e përmbytjeve duhet të kemi kanale të lumenjve dhe të përrenjve më të qëndrueshme, që me reshjet e bollshme të kryejnë më mirë funksionet e tyre të mbajtjes së ujit dhe mbrojtjes së hapësirave përreth. Ndër zgjidhjet që ofron eksperti janë edhe menaxhimi më i mirë i pyjeve që thithin ujin, ndërtimi i vëllimeve që të ruajnë ujin në zonat e larta mbi banesa, pastrimi i shtretërve të lumenjve, informimi më i mirë i popullsisë dhe shpallja e hershme e paralajmërimeve etj. Duhet të kryhen edhe ndryshime strukturore, sepse dukshëm prefektët dhe kryetarët e bashkive nuk po arrijnë të përballojnë situatën, thekson Sandov.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, BGNES


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Shkolla Shën Kirill dhe Metodij në Athinë

Në Athinë po diskutohet lidhja midis inteligjencës artificiale dhe mësimdhënies

"Ne nuk mund të ikim nga teknologjitë bashkëkohore, por duhet të mendojmë si mund të përdorim inteligjencën artificiale në mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e arsimit pa humbur kontaktin njerëzor" – tha në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë..

botuar më 25-10-31 8.00.PD
Festa Monstruoze 2023

Festë "Monstruoze" në Kopshtin e Doktorit

Një "errësirë" dhe argëtim i pazakontë mbretëron në Kopshtin e Doktorit pas Bibliotekës Kombëtare "Shën Kirill dhe Metodij" në Sofje. Hapësira është transformuar në një vend urban të frikshëm, por tërheqës, kushtuar Halloween-it, dhe këtë vit festa zgjat..

botuar më 25-10-31 5.10.PD

U miratuan fondet për veprimtarinë e shoqatave bullgare jashtë vendit gjatë vitit 2025

Qeveria miratoi një program të ri për mbështetjen e organizatave të komuniteteve bullgare në Shqipëri, Serbi, Kosovë, Ukrainë dhe Moldavi, si dhe të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut me vetëdije bullgare, për periudhën 15 tetor 2025 – 31 dhjetor 2029,..

botuar më 25-10-30 8.28.PD