Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Sanksionet amerikane ndaj kompanisë serbe të naftës hyjnë në fuqi

Që nga 9 tetori, kanë hyrë në fuqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj kompanisë serbe të naftës NIS – "Industria e Naftës së Serbisë", raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS). Sipas medias, kompania ka deklaruar se prioriteti i saj mbetet furnizimi i rregullt i tregut të brendshëm.

Nga NIS kanë siguruar se disponojnë sasi të mjaftueshme të naftës së papërpunuar për përpunim dhe se pikat e karburantit po furnizohen në mënyrë normale.

Sanksionet janë vendosur për shkak të “rrezikut dytësor”, për shkak të dominimit nga pala ruse në kompani – ku shteti serb zotëron 29.9%, ndërsa 56.2% janë në pronësi të degëve të kompanisë ruse "Gazprom".
Presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se Beogradi nuk ka më çfarë të diskutojë me SHBA-në dhe se do të kërkojë zgjidhje me Moskën. “Evropa do t’i mbështesë sanksionet amerikane,” – theksoi ai.

Pothuajse gjysmën e të ardhurave, shqiptarët i shpenzojnë për ushqim

Në Shqipëri, çdo familje shpenzon mesatarisht 40% të buxhetit të saj vetëm për ushqim, shkruan Euronews Albania. Për nevoja të tjera – si arsimimi, argëtimi apo kursimet – mbeten shumë pak të ardhura. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, shporta e konsumatorit mbetet zëri më i rëndësishëm në shpenzimet e familjeve shqiptare.

Çmimet e produkteve bazë si buka, vaji, qumështi dhe perimet janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Shqiptarët i thanë medias se me pagat që marrin mezi përballojnë shpenzimet, dhe se blejnë vetëm gjërat më të domosdoshme. Ata shprehen të habitur që çmimet në Shqipëri janë më të larta se në disa vende të Evropës Perëndimore. Në kryeqytetin Tiranë, që është edhe qyteti më i shtrenjtë në vend, kostoja mujore e jetesës arrin mbi 108,000 lekë (rreth 1118 euro).

Në qendrën më të vjetër arsimore greke në Stamboll nuk ka nxënës të rinj
Shkolla e Madhe Popullore Greke
Shkolla më e vjetër greke në Stamboll – "Shkolla e Madhe Popullore" – ka njoftuar se për vitin shkollor 2025/26 nuk do të pranojë nxënës të rinj, raportoi BTA.

Për televizionin shtetëror grek EPT, drejtori i gjimnazit, Dimitris Zotos, deklaroi se për herë të parë në 571 vjet, kjo qendër simbolike e komunitetit grek ortodoks në Turqi do të ketë zero nxënës të rinj. Në të gjitha shkollat greke në Turqi janë të regjistruar vetëm rreth 300 nxënës.

Gjatë 140 viteve të fundit, numri i nxënësve në Shkollën e Madhe Popullore ka rënë nga 730 në vetëm 30. Sot, numri i grekëve që jetojnë në Stamboll vlerësohet të jetë rreth 2000–2500, ndonëse gjatë periudhës osmane ata ishin qindra mijëra. Shkolla e Madhe Popullore Greke në Stamboll u themelua në vitin 1454, vetëm një vit pas pushtimit osman të Kostandinopojës. Në këtë shkollë kanë studiuar edhe shumë figura të shquara bullgare.

Në Turqi u prezantua libri i parë i botuar në alfabetin e përbashkët turk

Një botim i veçantë i një vepre letrare, i përgatitur për herë të parë në alfabetin e përbashkët të shteteve turqishtfolëse, u prezantua në Ankara, në Klubin Qendror të Partisë së Veprimit Nacionalist.

Hapi i parë konkret në këtë drejtim u ndërmor me shtypjen e alfabetit të një vepre kushtuar shkrimtarit të famshëm kirgiz Çingiz Ajmatov (1928–2008), një prej figurave më të shquara të letërsisë turke, bëhet fjalë për veprën "Jamila". Veprat e Çingiz Ajmatov janë botuar në rreth 176 vende të botës, sipas Agjencisë Anadollu (Anadolu Ajansı).

Turqia ka punuar sistematikisht për të vendosur një alfabet të përbashkët. Ankaraja është nismëtare kryesore për krijimin e këtij alfabeti të përbashkët, bazuar në alfabetin latin. Në vetë Turqinë, alfabeti latin është pranuar që në vitin 1928. Procesi për hartimin e alfabetit të përbashkët turk filloi në vitin 1991, dhe që atëherë janë shtuar pesë shkronja të reja në alfabet.

Deri në Ditën e Shën Petkës do të vazhdojë pelegrinazhi para eshtrave të shenjtores në Jash

Në katedralen e qytetit rumun Jash, ka nisur pelegrinazhi më i madh ortodoks në Rumani – për të nderuar eshtrat e Shën Parashqevisë. Autoritetet paralajmëruan se koha e pritjes për t’u përulur para eshtrave të shenjtores mund të zgjasë deri në 20 orë, ndërsa radha e besimtarëve mund të shtrihet mbi 3 kilometra, raporton AGERPRES.

Kjo ngjarje kulmon më 14 tetor, kur kremtohet edhe festa e Shën Parashqevisë, e njohur gjithashtu në traditën bullgare si Shën Petka e Bullgarisë.

Shën Parashqevia (Petka) është një shenjtore e kishës ortodokse lindore, e nderuar nga kishat greke, rumune, bullgare, ruse dhe serbe. Në vitin 1238, mbreti bullgar Car Ivan Aseni II solli eshtrat e saj në Tërnovo. Pas një sërë zhvendosjesh nëpër shekuj, më në fund, në vitin 1641, reliket e saj u vendosën në Jash. Çdo vit, në këtë pelegrinazh marrin pjesë qindra mijëra besimtarë nga Rumania dhe jashtë saj – si ortodoksë, ashtu edhe katolikë.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: reuters.com, apnews.com, bulevardnews.com, agos.com.tr, dha.com.tr, aa.com.tr, digi24.ro

Më shumë nga rubrika

Presidenti Rumen Radev

Presidenti dhe diplomacia bullgare mirëpresin armëpushimin në Gaza

Detyra më e rëndësishme është të gjejmë një zgjidhje për luftën në kontinentin tonë përmes diplomacisë dhe është e domosdoshme të vendosim paqe të qëndrueshme. Kjo u deklarua nga Presidenti Rumen Radev në kryeqytetin estonez Talin, ku mori pjesë në një..

botuar më 25-10-10 12.36.MD
Monumenti i Mirënjohjes në Burgas

Ministria e Jashtme dënon sulmet ndaj një sinagoge dhe një monumenti hebre

Ministria e Jashtme dënoi ashpër vandalizmin kundër sinagogës në Varna dhe Monumentit të Mirënjohjes në Burgas, i cili është një shprehje falënderimi për shpëtimin e hebrenjve bullgarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ministria e bëri të ditur këtë..

botuar më 25-10-09 12.24.MD
Bojko Borisov

Ish-Kryeminisri dhe lideri i GERB Bojko Borisov mbi takimin e tij me Trump Jr.: "Një drekë informale nga e cila nuk doli asgjë"

Kreu i partisë më të madhe parlamentare GERB dhe ish-Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov komentoi mbi takimin e tij me Donald Trump Jr., i cili shkaktoi një reagim të gjerë mediatik në vendin tonë: "Takime private me fëmijët e miqve të mi, në një..

botuar më 25-10-08 12.17.MD