Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Denica Petrova dhe jeta e saj në Edinburg, e përkushtuar ndaj dijes

Denica Petrova
Foto: arkiva personale e Denica Petrovës

Universiteti i Edinburgut është i katërti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, i hapur që në vitin 1583. Për 57 vite me radhë, rektor i tij ishte Shkëlqesia e Tij, Princi Filip, ndërsa që nga viti 2011, këtë rol e mban vajza e tij, Princesha Ana. Një rol të rëndësishëm si pedagoge në këtë institucion prestigjioz e ka prej një dekade bullgarja Denica Petrova.

Para disa vitesh, kryeqyteti i Skocisë i rrëmbeu zemrën me bukurinë veriore magjepsëse, historinë dhe traditat universitare. Ajo zgjodhi të vazhdojë aty arsimin e saj akademik dhe më pas vendosi të qëndrojë si pjesë e stafit të Universitetit të Edinburgut. Sot, Denica Petrova jep leksione në dizajn dixhital në një program të veçantë masteri në format fizik dhe online, ku çdo vit pranohen nga 70 deri në 80 studentë të rinj:

“Dizajni dixhital është një koncept i gjerë, por kurset tona përfshijnë dizajn grafik dhe ueb dizajn, dizajn për aplikacione telefoni, modelim 3D, animacion, si dhe dizajn lojërash dhe realitet virtual,” – rrëfen Denica Petrova për Radio Bullgarinë dhe shton se vlerësimi i studentëve bazohet në projekte që ata zhvillojnë mbi tema të ndryshme të lidhura me dizajnin. Përveç projekteve praktike, ata dorëzojnë edhe punime të shkruara me gjatësi nga 6 000 deri në 8 000 fjalë:

“Ato duhet të përmbajnë citime dhe analizë të projekteve të ngjashme nëpër botë. Nëse studenti punon mbi një modernizim muzeu, ai duhet të na tregojë çfarë i ka pëlqyer dhe çfarë jo nga projektet që ka analizuar. Studentët tanë nuk jetojnë në një vakum – pjesë e detyrës sonë është që ata të kuptojnë çfarë ndodh rreth tyre, të njohin ambientin. Në këtë mënyrë ata zhvillohen dhe fitojnë dije të reja,” – shprehet me bindje bashkatdhetarja jonë.
Universiteti i Edinburgut
Denica Petrova ka edhe një tjetër rol tejet të rëndësishëm: ajo është pjesë e një komisioni të veçantë që merret me çështjet e plagjiaturës në institucionin arsimor.

Në çdo universitet ekzistojnë komisione që trajtojnë rastet e kopjimeve nga studentët apo përdorimin e inteligjencës artificiale. Këto komisione shqyrtojnë rastet që u parashtrohen dhe vendosin nëse ka vërtet një shkelje, deri në çfarë mase ndikon në punimin e dorëzuar dhe nëse duhet të ketë ndonjë ndëshkim. Puna është interesante, por edhe me shumë përgjegjësi.

Një nga përgjegjësitë e pedagogëve në universitetet skoceze është të marrin pjesë në komisione të tilla, dhe kolegët e Denica Petrovës kanë vendosur se ajo do ta përballojë mjaft mirë këtë rol të rëndësishëm:

"Kam pasur interes për inteligjencën artificiale dhe mënyrën si po ndryshon – dhe tashmë ka filluar të ndryshojë peizazhin për njerëzit kreativë. Ne kemi edhe një komision tjetër, i cili ka për detyrë të hartojë dhe zbatojë politika për përdorimin e inteligjencës artificiale nga studentët dhe pedagogët. Kjo është diçka që tashmë po ndodh në industrinë e dizajnit, dhe ne nuk mund ta ndalojmë."

Për shkak të përditshmërisë së saj shumë dinamike dhe të mbushur me detyra të ndryshme, Denica nuk ka mundësi të marrë pjesë aktive në jetën e komunitetit bullgar në Edinburg.

Ajo tregon se megjithëse më pak në krahasim me vitet para Brexit-it, në qytet ka bullgarë që kanë hapur biznese dhe kanë krijuar familjet e tyre. 

“Para COVID-it, mbaj mend që kishte më shumë aktivitete bullgare. Kishim një grup për valle popullore që e ndiqja me shumë kënaqësi – ishte një përvojë shumë energjike për mua. Kishte edhe koncerte. Komuniteti që njoh më shumë është ai që lidhet me universitetin, ku ka disa shoqata studentore të vogla, përfshirë edhe një bullgare – por nuk jam gjithmonë në dijeni çfarë ndodh me ta.”

Denica është gjithashtu bashkautore e një libri të ri me kolegun e saj Doug Speck nga Universiteti Westminster në Londër, i titulluar: "The Student Guide to Creative Studio in a Digital Age".

“Ende nuk kam plane për përkthim në gjuhën bullgare, por nuk kam asgjë kundër që të përkthehet. Libri është fryt i punës sime në 10 vitet e fundit, ku kam punuar në një mjedis hibrid. Ka shumë shembuj nga studentë aktualë dhe ish-studentë që tregojnë si punojnë në këtë realitet të ri,” – rrëfen bashkatdhetarja jonë.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: arkiva personale e Denica Petrovës, Facebook/ The University of Edinburgh, ed.ac.uk



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kirill Kutin – konsulli i parë nderi i Bullgarisë në Norvegji

Më 24 tetor, me një ceremoni zyrtare dhe koncert festiv në qytetin norvegjez Stavanger, u hap Konsullata e Nderit e Bullgarisë në Norvegji. Konsulli i parë i nderit është pianisti Kirill Kutin, i cili gjatë dy dekadave të fundit është afirmuar si një..

botuar më 25-11-04 7.00.PD

Atë Genadij nga Arcizi: “Bullgaria është rrënja e zemrës sime, e gjakut tim”

Atë Genadij Martinov është bullgar besarabian, me origjinë nga fshati Devetlij, rajoni i Odesës (Ukrainë). Dy shekuj më parë, fisi i tij jetonte në Trakinë Lindore, pranë Edrenesë, por pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke (1828–1829), gjatë valës së..

botuar më 25-10-29 6.55.PD

Pianistja Rosica Banova: Besoj në të ardhmen e mrekullueshme të Bullgarisë

Pianiste e talentuar dhe pedagoge e njohur, për gati tre dekada Rosica Banova ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara dhe në Azi. Ajo ka dhënë koncerte në Austri, Hungari, Poloni, Çeki, Spanjë, Francë, Greqi, Rusi, Kinë, Vietnam dhe Tajlandë, ndërsa..

botuar më 25-10-27 7.30.PD