Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Anita Ekenova: Bullgaria është atdheu i shpirtit tim, Franca – vendi ku jetoj

“Folklori më dha vetëbesim se mund të punoj për ruajtjen e shpirtit bullgar jashtë vendit”, thotë fituesja e re e çmimit “Bullgarja e Vitit” 2024

9
Anita Ekenova
Foto: BTA

Anita Ekenova nga Lioni u shpall “Bullgarja e Vitit – Shën Zllata Mëglenska” për vitin 2024 në një ceremoni të veçantë të organizuar në Sofje nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit. Para 10 vitesh, Anita së bashku me grupin folklorik që themeloi – “Ot Izvora” (“Nga Burimi”), organizuan për herë të parë festivalin folklorik “Në Sheshin e Bullgarisë tjetër”, ku në qytetin e Lionit, bullgarë nga vende të ndryshme që bashkohen në valle. Kjo nismë entuziazmoi shumë grupe folklorike bullgare në Evropë dhe sot zhvillohet çdo vit në sheshet kryesore të qyteteve të ndryshme evropiane. Në vitin 2025, festivali do të festojë 10-vjetorin e tij sërish në Lion, Francë. Përgatitjet për edicionin e ardhshëm tashmë kanë nisur, dhe popullariteti i jashtëzakonshëm i kësaj nisme i solli themelueses së saj çmimin nga Agjencia për Bullgarët Jashtë Vendit. Dhe jo vetëm kaq – familja e madhe e atyre që kërcejnë valle bullgare në mbarë botën, e zgjodhën atë edhe fituese në kategorinë tjetër të çmimit – “Bullgarja më e dashur për publikun”.

“Këto çmime nxjerrin në pah punën e të gjithëve ne – bullgarëve jashtë vendit, që kapemi për dore jo vetëm në valle, por edhe në përpjekjen për të ruajtur rrënjët tona, për t’ua trashëguar fëmijëve tanë këtë dashuri për vendlindjen”, është e bindur Anita Ekenova.

“Për mua, këto çmime janë një njohje e madhe për gjithçka që kam bërë, si dhe një falënderim nga njerëzit me të cilët punoj. Asnjë bullgare nuk bën asgjë vetëm – ne kemi fatin të kemi ekipe që na mbështesin dhe besojnë tek ne, që janë krahët dhe motivimi ynë”, – theksoi bashkatdhetarja jonë në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ajo shtoi se të dyja çmimet I dedikohen njerëzve me të cilët krijon – nga grupi folklorik “Ot Izvora”, anëtarët e festivalit udhëtues “Në Sheshin e Bullgarisë tjetër”, si dhe të gjithë miqtë dhe anëtarët e Shoqatës së Ansambleve Folklorike Bullgare jashtë vendit.

E lindur në Haskovo, Anita pranon se që e vogël i ka dashur shumë vallet folklorike dhe madje ka qenë pjesë e ansamblit të fëmijëve “Juzhnjaçe” në qytetin e saj. Më pas vijnë vitet studentore në Veliko Tërnovo dhe më vonë zhvendosja në Paris, ku vallet mbeten disi në plan të dytë – por jo për shumë kohë:

“Kur mbërrita në Lion si një nënë e re, ndjeva se më mungonte diçka – dhe kuptova se ishte folklori bullgar. Kisha nevojë të ndihesha bullgare në një det francezësh, dhe folklori më dha këtë identitet dhe vetëbesim se mund të punoj për Bullgarinë dhe shpirtin bullgar jashtë vendit, edhe pse jetoj në një shtet ku ndihem plotësisht e integruar. Mund të them se kam atdheu im është i përbërë nga dy vende. Njëri është ai i shpirtit dhe zemrës sime – atje ku janë prindërit, ku jam rritur dhe ku janë rrënjët e mia – Bullgaria, për të cilën jam shumë krenare! Dhe tjetri është ai që më ka pranuar dhe është bërë atdheu im i dytë – Franca, ku jetoj prej më shumë se 20 vitesh”, rrëfen me emocion Anita Ekenova.

Për të 13-ën herë, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit organizoi ceremoninë solemne për dhënien e çmimit prestigjioz “Bullgarja e Vitit – Shën Zllata Mëglenska”, ndërsa drejtuesja e Agjencisë na ktheu në fillimet e këtij çmimi, në vitin 2009:
Rajna Manxhukova
“Ata prej jush që janë miqtë tanë dhe ndjekin aktivitetin tonë, e dinë se këtë çmim e shpikëm së bashku me profesor Pllamen Pavllov, për të nderuar trimërinë e dy bashkatdhetareve tona – Spaska Mitrova nga Maqedonia e Veriut dhe Kostadinka Kuneva nga Greqia. Ky çmim nisi me mesazhin se ne, në Bullgari, mundemi, dimë, kujtojmë dhe nderojmë atë që bëjnë bashkatdhetarët tanë jashtë vendit.

Secila nga 20 gratë e nominuara këtë vit për çmimin "Bullgarja e Vitit – Shën Zllata Mëglenska" tashmë është fituese, sepse është vlerësuar nga komuniteti bullgar atje ku ajo jep gjithë energjinë, kohën e lirë dhe profesionalizmin e saj – për të bashkuar bashkatdhetarët, për të ndihmuar në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës, kulturës, historisë dhe traditave bullgare përtej kufijve të atdheut. Kështu mendojnë edhe shumica e konkurrenteve, shumë prej të cilave – nga Amerika dhe Europa – morën pjesë në ceremoninë solemne në Sofje. Ndër to ishte edhe Nina Vasileva-Zaneshev, e cila prej 29 vitesh jeton në Austri dhe këtë vit ishte e nominuar për herë të pestë:
Nina Vasileva-Zaneshev
"Nuk ndjej asnjë barrë në shpirtin apo zemrën time që nuk e mora çmimin e madh. Ndiej dashuri dhe mirënjohje që pata mundësinë të njihja kaq shumë gra nga e gjithë bota që janë nominuar. Shpresoj të krijojmë një rrjet për të njohur edhe më shumë bullgare aktive dhe me zemër të madhe, pa pasur rëndësi nëse do të nominohen apo fitojnë ndonjë çmim në të ardhmen." – thotë me bindje bashkatdhetarja jonë nga Vjena.

Radio Bullgaria do të vazhdojë të tregojë histori për përkushtimin, frymëzimin, talentin dhe dashurinë pa kufi, ku rolin kryesor e luajnë bullgaret në mbarë botën.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, Facebook/ Anita Ekenova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ekip mjekësor bullgar do të kryejë kontrolle riprodhuese në Korçë

Për herë të parë, mjekë bullgarë të specializuar në riprodhimin e asistuar në Shqipëri, do të ofrojnë ndihmë mjekësore pa pagesë për çiftet me vështirësi riprodhuese. Iniciativa quhet:  “Bullgaria dhe Shqipëria së bashku për një fëmijë më shumë të..

botuar më 25-11-07 1.46.MD

Në një hakaton në Sofje do të zhvillohen inovacione në kuadër të programit evropian hapësinor

Nga data 7 deri më 9 nëntor, “Sofia Tech Park” është mikpritës i edicionit të dhjetë të CASSINI Hackathons & Mentoring, i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Programin Hapësinor (EUSPA). Parku shkencor-teknologjik..

botuar më 25-11-07 10.10.PD

"Bullgaria dhe Shqipëria – së bashku për edhe një tjetër fëmijë të lindur!"

Fertility Europe, rrjeti panevropian i shoqatave të pacientëve me probleme riprodhuese, shpalli fillimin e Javës së nëntë Evropiane të Fertilitetit 2025 , e cila zgjat deri më 9 nëntor. Fushata zhvillohet në të gjithë Evropën dhe do të kalojë nën moton..

botuar më 25-11-05 2.30.MD