Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Silvija Tomova dhe trupa e saj elitare shumëkombëshe e baletit nga Stara Zagora

Baleti i Operës së Stara Zagorës hap zyrtarisht sezonin e ri më 24 tetor me premierat e dy koreografëve me famë botërore

Foto: Facebook /Sylvia Tomova

Ylli i skenës bullgare, Silvija Tomova, ka përfunduar Akademinë Shtetërore të Baletit “A. J. Vaganova” në Shën Petersburg. Karriera e saj është e lidhur me Operën dhe Baletin Kombëtar, ku si primabalerinë ka interpretuar mbi 90 role në tituj klasikë dhe modernë. Ajo është laureate e konkurseve prestigjioze të baletit. Në vitet e fundit është një trajnere dhe koreografe e ftuar e preferuar, si dhe anëtare jurie në konkurse ndërkombëtare. Ka qenë drejtoreshë artistike e Baletit Kombëtar, e baletit të Operës së Plovdivit dhe e trupës së baletit të Operës Shtetërore – Ruse, dhe që nga nëntori i vitit 2016 mban të njëjtën pozitë në Operën Shtetërore – Stara Zagora. 

Silvija Tomova fiton çmimin

Në fillim të shtatorit 2025, Tomova mori një çmim nga “Festivali Ndërkombëtar i Vallëzimit dhe i Valleve” (Il Festival Internazionale della Danza e delle Danze), i cili zhvillohet çdo vjeshtë në qytetin sicilian Agrigento. Ansambli i saj është i njohur për numrin e madh të të huajve – bullgarët janë vetëm një e treta e trupës. Çfarë i tërheq dhe i mban ata në Stara Zagora? 

“Nuk mund të them që i mbaj unë” – thotë Silvija. – “Ka një bërthamë artistësh që janë me mua që nga viti i parë: Tomoki Ishigo, Haruka Suga, Fiordi Lloha, Anelija Dimitrova natyrisht, Romina Sllavova, Ivelina Dimitrova. Ka edhe lëvizje, gjë që është krejt normale – kudo në botë është kështu. Por ndaj kompanisë sonë ka shumë interes të madh. Pa ndërprerje vijnë kërkesa nga njerëz që duan të paraqiten në audicion në Stara Zagora dhe ndoshta në ndonjë moment të ftohen në trupë.” 


Por pse balerinë nga e gjithë bota duan të vijnë në Stara Zagora?

“Sepse kompania është shumë e mirë. Kjo tashmë dihet kudo, në gjithë Evropën, në botë. Ata e dinë që këtu kërcehet shumë. Që ka repertor klasik, gjë që është jashtëzakonisht tërheqëse, sidomos për më të rinjtë, por jo vetëm për ta. Trupa është shumë e re dhe mendoj se për një kohë shumë të shkurtër arritëm gjëra që njerëzit i ndërtojnë për dhjetëra, disa për qindra vjet.”


Tomova vë bast edhe mbi shfaqje moderne, sepse artisti i sotëm i baletit duhet të jetë i gjithanshëm. Ata kanë punuar me koreografin francez të jashtëzakonshëm Claude Brumachon, me Alessandra Scalambrino, Mario Piazza. Më 24 tetor, dy koreografë botërorë do të paraqesin premierat e tyre: “O, Superman” nga James Sutherland dhe “Nata” nga Arshak Ghalumyan. Ditën tjetër – më 25 tetor, në Operën Shtetërore – Stara Zagora fillon Konkursi Ndërkombëtar i Koreografisë LINKAGE, i cili do të zhvillohet për të gjashtën herë me shumë të ftuar: nga Amerika, Italia, Kina, Izraeli. 

Valltarët në trupën e saj janë: shqiptarë, spanjollë, italianë, japonezë, francezë, ukrainas, kolumbianë, një peruan, një malazeze, dhe sigurisht bullgarë – kompani që mund të krahasohet me Kullën e Babelit.


“Kjo është e mrekullueshme” – thotë Silvija. – “Unë punoj në të njëjtën mënyrë dhe kërkesat e mia janë të njëjta. Por ata vijnë nga vende të ndryshme dhe përzierja e kulturave të ndryshme, e temperamenteve dhe karaktereve të ndryshme është shumë e këndshme, shumë interesante. Për më tepër, të gjithë janë kaq të rinj! Është mrekulli t’i shohësh si jetojnë si një familje e madhe, sa shumë ndihmojnë njëri-tjetrin, sa shumë duhen dhe si rriten para syve të mi. Unë tashmë kam formuar artistë të mëdhenj, yje, të njohur tashmë në mbarë botën – si Anelija Dimitrova, Fiordi Lloha, Clara Ferrer, Alessia Bakin, Tomoki Ishigo. Të gjithë i duartrokasin – në Gjermani, në Hollandë, kudo që të shkojmë; i njohin në Bullgari, në Sofje.” Tomova e konsideron një arritje të jashtëzakonshme të saj meksikanin Marcelo Molina, i cili prej kohësh jeton dhe punon në Bullgari, por kohët e fundit shpesh ftohet jashtë vendit si koreograf.


Silvija dëshiron t’u përcjellë valltarëve të saj se “baleti është një art tepër i shkurtër dhe duhet, me shumë disiplinë, me shumë krijimtari, me dashuri të madhe dhe përkushtim, të ecësh drejt majës. Dhe kur të arrish lart, të mos pushosh, por të vazhdosh edhe më me përkushtim të punosh, sepse rënia nga lart është mjaft e dhimbshme.” Ajo dëshiron t’u përcjellë gjithçka që ka mësuar nga pedagogët e mrekullueshëm të Akademisë “Vaganova” – atë që ka ndërtuar karrierën e saj të ndritur dhe karakterin e fortë.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: operasz.bg, Facebook /Sylvia Tomova 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Riga prezantohet një ekspozitë me rastin e 140-vjetorit të Bashkimit të Bullgarisë

Në kryeqytetin e Letonisë, Riga, është paraqitur një ekspozitë e posaçme e dedikuar 140-vjetorit të Bashkimit të Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore. “Mënyra më fisnike” është motoja e Bashkimit të Bullgarisë në vitin 1885, i cili u..

botuar më 25-11-11 8.00.MD
Nikollaj Gjaurov /1929 - 2004/

Një pllakë përkujtimore në Modena të Italisë përkujton basin e famshëm Nikollaj Gjaurov

Pesë vjet më parë /11 nëntor 2020/ në Modena të Italisë u përurua një pllakë përkujtimore kushtuar basit të famshëm botëror bullgar Nikollaj Gjaurov /1929 - 2004/. Ishte në këtë qytet italian që këngëtari ynë i shquar i operës jetoi dhe punoi nga..

botuar më 25-11-11 5.05.PD

Në “Kaligrafikisht” Nikolla Buzov identifikon pikturat me artin e shkrimit të bukur

Në ekspozitën e tij të re, Nikollaj Buzov ndjek parimet e artit kaligrafik, duke paraqitur një harmoni simbolesh dhe shenjash abstrakte. Kanavacat piktoreske nxjerrin në pah lehtësinë dhe lirinë me të cilën artisti krijon strukturat e tij gjeometrike...

botuar më 25-11-09 9.00.PD