Historia e fshatit Gostilja është njëkohësisht një udhëtim nëpër kohë dhe një takim me një komunitet të vogël katolik që arriti, pavarësisht ndryshimeve të historisë, të ruajë identitetin dhe besimin e tij. Fshati ndodhet në Bullgarinë Veriperëndimore dhe është një nga ishujt e fundit të bullgarëve të Banatit. Këta janë pasardhës të katolikëve që, në shekujt 17 dhe 18, lanë atdheun e tyre, të dëbuar nga pushtuesi osman, për t'u vendosur në Austro-Hungari. Në fund të shekullit të 19-të, ata u kthyen dhe themeluan shtëpinë e tyre këtu.

Sot, Gostilja duket si një vend ku koha është ngadalësuar. Rrugët janë të qeta, shtëpitë janë të rregulluara dhe modeste, dhe mbi të gjitha këto ngrihet kisha e vjetër katolike "Zemra e Papërlyer e Marisë" - qendra shpirtërore e fshatit. Dikur, Gostilja ishte shtëpia e dhjetëra familjeve, kishte një jetë të zhurmshme, festa të gëzueshme... Sot, fshati po shpopullohet, por banorët e tij të paktë ende e mbajnë gjallë traditën, mësojmë nga kryetarja e bashkisë Milena Bançeva - vetë pasardhëse e bullgarëve të Banatit dhe kryetare e qendrës lokale kulturore:
"Ajo që është specifike për fshatin tonë është se ne jemi katolikë dhe kemi tradita më të ndryshme. Por mënyra jonë e jetesës ka ndryshuar me kalimin e viteve dhe tashmë ka shumë gjëra bullgare që kanë hyrë në mënyrën tonë të jetesës. Kemi edhe gjuhën tonë banate - quhet Pallkenski. Ky është një dialekt i vjetër bullgar që është ruajtur në vitet kur paraardhësit tanë ishin në Banat. Mund ta dëgjoni nga të moshuarit, edhe pse gjithnjë e më rrallë, sepse edhe ata tani po zhduken. Sot, Gostilja ka vetëm 90-100 banorë."
Në shtëpinë famullitare pranë kishës, vendasit kanë rregulluar një dhomë të vogël Banati – një lloj muzeu etnografik në miniaturë. Atje mund të shihni objekte nga jeta e përditshme, mbulesa tavoline dhe dantella të endura me dorë, si dhe shtratin tipik të Banatit dhe një komodinë të bukur prej druri, në të cilën familjet dikur mbanin sendet e tyre më të vlefshme. Dhe jo vetëm kaq:
"Kemi një kostum specifik që është shumë i ndryshëm nga ai bullgar. Vishemi me një fund të palosur prej mëndafshi, dhe sipër kemi një “dreshçe”, ose të ashtuquajturën rrobë. Mund të shihet edhe “llupka” jonë tradicionale – një tigan prej gize. Më parë në të gatuhej. Gjyshja ime më ka bërë petulla shumë të mira në llupka,” – rrëfen Milena Bançeva.
Por një nga karakteristikat më të shquara të bullgarëve të Banatit janë gatimet e tyre jashtëzakonisht të shijshme, të cilat janë të ndryshme nga kuzhina tradicionale bullgare:
"Nga traditat tona e kemi ruajtur kuzhinën tonë ", thotë Milena Bançeva. "Si kryetare e qendrës kulturore, përpiqem t'ua kaloj atë të rinjve, ashtu siç më mësoi gjyshja ime, sepse e shoh të zhduket. Ne kemi “mekici” ose “treskiçeta” (një lloj petullash). Petullat “banashki” i quajmë "bërkan pitçeta". Kemi disa gatime specifike. Therjen e derrit e quajmë "obivanie". Nga mishi i përzier nga qafa bëjmë paprikash – shtohet shumë qepë, hidhet ujë dhe shtohen patate që të thithin yndyrën nga gjella, por gjithashtu shtojmë edhe veshkat brenda.Bëhet shumë e shijshme. Tjetra që bëjmë kur therim derrin janë “këlbasi” – ato janë salsiçet tona tradicionale."
Kohët e fundit, Gostilja, së bashku me fshatra të tjerë të Banatit, ka filluar të afirmohet si një destinacion kulinar. Fshati tashmë mirëpret turistë gourme që vijnë posaçërisht për të shijuar specialitetet vendase dhe për të mësuar disa receta tradicionale të Banatit. Mikpritëset e tyre janë gratë nga qendra kulturore "G.S. Rakovski":

"I presim me pite dhe kripë të përzier dhe gjithmonë ka supë - kjo është shenja jonë dalluese. Bullgarët e Banatit e duan shumë supën dhe ajo është gjithmonë e pranishme në meny - thotë Milena Bançeva. - Nëse është dimër dhe kemi bërë “këlbasi”, i presim me “majushka” - kur therim derrin, i mbushim zorrët e trasha me kocka, i ziejmë me mishin dhe erëzat dhe shtojmë hudhër. Kur vijnë turistët, mund të shohin edhe kishën, e cila është katolike."
Kisha "Zemra e Papërlyer e Marisë" është ndërtuar në vitin 1904. Dyert e kishës janë të hapura gjatë gjithë kohës për vizitorët dhe turistët. Çdo vit në fund të qershorit, fshati kremton festën e tij - një ditë kur vendasit dhe vizitorët nga larg mblidhen për të mbajtur gjallë traditat e komunitetit të vogël katolik.
Lexoni më shumë për bullgarët e Banatit nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Qendra kulturore “G. S. Rakovski - 1927”
“Folklori është një nevojë për njeriun dhe kjo nevojë ndoshta nuk do të zhduket kaq lehtë”, është e bindur doc. dr. Natalija Rashkova – etnologe dhe folkloriste, pedagoge universitare dhe studiuese me kontribut të dalluar në kërkimin e folklorit..
Ambasada e Bullgarisë në Japoni ftoi bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Tokio dhe zonën përreth të marrin pjesë në një seminar krijues për qëndismat bullgare më 19 tetor 2025. "Jemi të kënaqur t'ju ftojmë në një seminar qëndisjeje të organizuar..
Një enë balte dhe një kovë druri nga fshati Momçillovci janë pjesë e ekspozitës në Muzeun e Kosit, i cili u hap së fundmi në Shangai, bëri të ditur për BTA kryetarja e fshatit të malit Rodopa , Sijka Surkova. Në qytetin kinës përfaqësues të fshatit..