Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pianistja Rosica Banova: Besoj në të ardhmen e mrekullueshme të Bullgarisë

Foto: rossitzabanova.online

Pianiste e talentuar dhe pedagoge e njohur, për gati tre dekada Rosica Banova ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara dhe në Azi. Ajo ka dhënë koncerte në Austri, Hungari, Poloni, Çeki, Spanjë, Francë, Greqi, Rusi, Kinë, Vietnam dhe Tajlandë, ndërsa Carnegie Hall në Nju Jork është vetëm një nga dhjetëra sallat amerikane ku është pritur me duartrokitje. Ajo ka lindur në Sofje, në familjen e poetit, shkrimtarit, dramaturgut dhe përkthyesit të njohur Banço Banov dhe të primabalerinës Rosica Banova. Që në moshën 9-vjeçare ajo fiton çmimet e saj të para në konkurse. 
Rosica Banova - Las Vegas (2009)
Në Akademinë Kombëtare Muzikore “Prof. Panço Vlladigerov”, Rosica studion për dy vjet në klasën e pianistit dhe pedagogut të madh bullgar Anton Dikov. Në vitin 1997 ajo shkon në San Francisko, ku pranohet në Konservator me bursë të plotë dhe studion me profesor Paul Hersh, duke punuar gjithashtu me pianistin e njohur Mack McCray. Masteriin dhe Doktoraturën i mbaron në Shkollën e Muzikës “Jacobs” pranë Universitetit të Indianës, nën drejtimin e profesoreve Evelyne Brancart dhe Emill Naumov. “Indiana është ende një nga ndoshta dhjetë shkollat më të mëdha të muzikës në Amerikë” – thotë Rosica dhe vazhdon: – “Profesorja Evelyne Brancart është belge, fituese e çmimit ‘Mbretëresha Elizabeta’(Concours musical international Reine Élisabeth). Një pianiste dhe mësuese shumë e talentuar, e cila e përmirësoi plotësisht teknikën time. Pas saj punova me profesorin e mrekullueshëm Emill Naumov, të cilit i detyrohem jashtëzakonisht shumë. Ai është një profesionist i madh, por më e rëndësishmja është që mbështet shumë studentët e tij...”

Rosica Banova qëndron në Indiana si pedagoge e pianos në Shkollën e Muzikës “Jacobs”. Në vitin 2012 ajo shkon në Kinë për të dhënë mësim në Universitetin “Ludong” në Yantai. Më pas punon në Universitetin “Pelita Harapan” në Indonezi. Nga viti 2014 deri në 2023, Banova është drejtuese e departamentit të pianos në Universitetin “Sultan Qaboos” në Oman, dhe që nga vera e vitit 2023 e deri më sot ajo jep mësim në shkollën Wycombe Abbey International në qytetin Nanjing të Kinës. Për punën e saj pedagogjike jashtëzakonisht të suksesshme, Banova ndan me “Radio Bulgarinë” mendimet e saj:


“I kam dhënë mësim çdo moshe – nga fëmijë 4-vjeçarë deri te studentë që përfundojnë studimet baçelor. Aktualisht në Kinë punoj në një shkollë britanike, ku nxënësit janë nga klasa e parë deri në të 12-ën, dhe unë më së shumti jap mësim nga klasa e shtatë deri në të 12-ën. Përpiqem t’i mësoj nxënësit e mi të jenë individualë, të mendojnë pozitivisht dhe të zhvillojnë më të mirën e vetvetes. Ata që tani janë në klasën e 12-të, përpiqem t’i përgatis për pranimin në universitete ose kolegje në mbarë botën. Këtë vit kam katër nxënës që u pranuan në Evropë dhe në Amerikë. Por më e rëndësishmja – përpiqem të jem një mësuese e larmishme: të përmirësoj teknikën dhe muzikalitetin e tyre, të mësojnë një repertor të gjerë. Për mua mësimdhënia është pasion. E adhuroj të jap mësim!”

Si ia del me sistemin në Kinë – me mënyrën e jetesës, kërkesat strikte dhe respektimin e rregullave?

“Kjo është e vetmja gjë që është e vështirë për mua dhe që më bën të dua të kthehem ose në botën arabe, ose në Amerikë. Kërkesat në Kinë janë shumë serioze. Shkolla ku punoj tani është britanike, megjithatë ka drejtor kinez. Duhet të jesh në punë nga ora tetë e mëngjesit deri në gjashtë të mbrëmjes. Nëse, për shembull, mbërrin në orën tetë e gjysmë për disa ditë me radhë, të pushojnë nga puna pa asnjë paralajmërim. Shumë nga kolegët e mi janë pushuar nga sot për nesër. Ose nëse nuk e kryen punën siç duhet – sepse çdo klasë ka kamera dhe drejtorët (pa e ditur ti kur po të shikojnë) e ndjekin atë kamerë dhe shohin nëse po jep mësim apo, për shembull, po lexon diçka në telefon. Sapo ta vërejnë këtë, ndoshta të japin një paralajmërim, nuk jam e sigurt... Situata është shumë strikte.”


Rosica tregon se në Kinë jetohet jashtëzakonisht qetë, sepse ka masa shumë të ashpra kundër kriminalitetit. Vjedhja, për shembull, është një dukuri plotësisht e panjohur atje. Megjithatë, ajo nuk do të donte të qëndronte në Azi – do të preferonte të kthehej në Amerikë, ku është shtëpia e saj. Në Bullgari kthehet çdo verë. E sheh vendin shumë të ndryshuar – “në një kuptim shumë të mirë, por edhe jo aq të mirë”. Megjithatë, ky është atdheu, ku do të dëshironte të jetonte, dhe vajza e saj e vogël e do shumë Bullgarinë. Koncerti i saj i ardhshëm do të mbahet në janar 2026 në Tajlandë. Ajo shpreson që së shpejti të performojë edhe në skenën bullgare. Ëndërron vetëm për shëndet dhe beson se dashuria e vërtetë ekziston:

“Dashuria nuk është gjithmonë ndaj një personi. Është dashuria ndaj artit, dashuria ndaj jetës, dashuria ndaj asaj që të ndodh. Besoj në dashuri dhe besoj se gjëra të bukura mund të ndodhin.” Por çfarë mendon ajo për Bullgarinë?

“Vetëm gjëra të mira. Dëshiroj që të gjithë të jenë të jenë mire shëndosh e mirë, të jenë njerëz më të mirë. Sepse ndonjëherë takoj njerëz që janë shumë të nervozuar, të acaruar në rrugë. Kjo është diçka që më largon nga Bullgaria. Pavarësisht kësaj, talenti i të gjithë bullgarëve… shumica e njerëzve janë të mirë, por thjesht do të doja që njerëzit të ishin më të qetë, gjë që e di se është e vështirë me situatën aktuale në Bullgari. Por sa më shumë kalon koha aq më shumë besoj unë në një të ardhme të mrekullueshme për Bullgarinë. Dhe shpresoj që një ditë të kthehem këtu…”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: rossitzabanova.online, YouTube /Rossitza Banova 


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Penka Kuneva

Penka Kuneva: Dua të kompozoj muzikë të bukur – artistike, mjeshtërore, magjepsëse

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, 1 tetor, një përshëndetje të veçantë për auditorin e Radio Bullgarisë dërgon kompozitorja më e suksesshme bullgare, fituese e çmimit Grammy , Penka Kuneva, e cila prej më shumë se një çerek shekulli krijon..

botuar më 25-10-01 8.05.MD
Emmanuel Delhoume (në mes)

Si francezi Emmanuel Delhoume nga Parisi zbuloi vendin tonë dhe Radio Bullgarinë

U takuam me francezin Emmanuel Delhoume në kishën ortodokse bullgare “Shën Patriarku Evtimij i Tërnovos” në Paris. Ai është i martuar, ka pesë fëmijë dhe familja e tij është e besimit ortodoks. Bullgarinë e zbuloi në një moment të vështirë, në vitin 2018,..

botuar më 25-09-25 8.05.MD
Ervis Taluri

Një jetë mes dy kulturave: Intervistë me z. Ervis Taluri, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Biznesit Shqipëri–Bullgari

Historia e Ervis Talurit është një udhëtim mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, mes dy kulturave që sot ai i ndjen si pjesë të pandashme të vetes. Rrugëtimi i tij filloi në një periudhë të trazuar për Shqipërinë. Pas vitit 1997, kur vendi..

botuar më 25-09-14 9.00.PD