Ecjet me kalë janë një mënyrë jo e zakonshme për të njohur Bullgarinë. Itineraret shpesh kalojnë në vende të paarritshme për turistin masiv dhe janë të mbushura me aventura dhe përvoja kulturore.Një javë me kalë në Bullgari kushton nga 1200 deri në 1500 euro – me akomodim në shtëpi mikpritëse të ngrohta dhe të rehatshme. Për ata që kërkojnë më shumë luks, ka edhe variante me hotele, spa dhe pishina minerale, por çmimi natyrisht rritet, mësojmë nga Dimitër Popov, kryetar i Shoqatës Bullgare për Turizëm të Qëndrueshëm.

Ky lloj udhëtimi po tërheq gjithnjë e më shumë klientë nga Evropa Perëndimore. Nuk është modeli i zakonshëm i pushimeve verore masive, por një segment i specializuar i turizmit, ku Bullgaria ka avantazhe të konsiderueshme konkurruese. “Kuajt kanë një rol të rëndësishëm në historinë dhe traditat tona, të trashëguara që nga bullgarët e lashtë, dhe kali është i lidhur ngushtë me jetën dhe zakonet bullgare”, vë në dukje Popov në një intervistë për Radio Bullgaria, duke shtuar:

“Së fundmi vërehet një rritje e madhe e bazave për kuaj – po hapen gjithnjë e më shumë. Natyrisht, disa prej tyre janë për hipizëm sportiv, por një pjesë e madhe – sipas të dhënave të shoqatës sonë, të paktën njëqind baza në të gjithë vendin – ofrojnë turizëm me kalë, qoftë njëditor, dyditor apo treditor… Dhe kjo është një avantazh i madh. Ky është një turizëm i shtrenjtë. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se itineraret me kalë shpesh kombinohen me objekte kulturor-historike, degustime verë apo spa. Turistët që zgjedhin këtë lloj përvoje i përkasin segmentit të mesëm dhe të lartë – njerëz me mundësi. Disa prej tyre madje mbajnë kuaj në shtëpi. Ata kërkojnë cilësi, jo masivitet, dhe lënë shuma të konsiderueshme këtu – ndryshe nga turizmi detar.”

Itineraret kryesore ndodhen në zonat malore, ku kalëruesit e aftë mund të hipin trok ose galop për distanca të gjata. Baza për kuaj ka madje edhe pranë Sofjes. “Një orë e gjysmë larg kryeqytetit, ti hysh në një natyrë të paprekur. Mund të hasësh edhe një arushë që endet lirisht! Ku mund ta gjesh një gjë të tillë në Evropë?” – pyet retorikisht Popov. Ai shton se kushte të shkëlqyera për ecje me kalë ka jo vetëm në malet pranë Sofjes, por edhe në malet Stara Planina, Rilla dhe Pirin.

Veçanërisht të kërkuara janë ecjet në rajonin e malit Stara Pllanina pranë qytetit Elena, me vizita në manastire si ai i Gllozhenes, si dhe itineraret në Rodopet. Dimitër Popov përshkruan avantazhet konkurruese të turizmit bullgar me kalë:
“Shumë shpesh, në mjediset që merren me turizmin me kuaj, Bullgaria përshkruhet si “Mongolia e Evropës”. Këtu nuk kemi gardhe. Unë kam hipur në Itali, në Spanjë… Kudo prona private është e rrethuar dhe mjaft fort. Ndërsa këtu thjesht kalon përmes kopshtesh frutore, kalon përmes hapësirave të lira, në trok e në galop, pa pengesa artificiale. Kjo është shumë e rëndësishme për itineraret me kuaj.”

Profili ekonomik i këtij turizmi karakterizohet nga vlera e lartë e shtuar – përveç vetë hipjes me kuaj, turistët shpenzojnë shuma të konsiderueshme për akomodim në shtëpi mikpritëse, për degustime vere, për procedura spa etj. Shumica prej tyre janë evropianë të pasur nga Perëndimi, që vijnë në kërkim të aventurave dhe të një kulture krejtësisht të ndryshme.

“Tregjet kryesore për turizmin me kuaj në Bullgari janë Britania e Madhe, Gjermania, Austria dhe Franca. Interes vihet re edhe nga Polonia dhe Çekia. Por për këtë nevojitet reklamim dhe një politikë shtetërore më e synuar, në mënyrë që vendi ynë të bëhet i dukshëm si destinacion për turizmin me kuaj në tregjet botërore. Për shembull, ne mungojmë krejtësisht në panairet e mëdha të kuajve në Spanjë ose Itali, ku bazat me kuaj prezantojnë paketat e tyre para publikut të gjerë. Fatkeqësisht, turizmi me kuaj tek ne mungon si prioritet në strategjinë turistike të shtetit, si dhe në reklamën kombëtare” – tha në përfundim Dimitër Popov.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Penguin Travel
Historia e veprimtarisë muzeale në Pazarxhik fillon që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur me idenë e Stefan Zaharievit në bibliotekën popullore “Videlina” formohet një koleksion prej sendesh të vjetra, monedhash, dorëshkrimesh kishtare. Gjatë viteve..
Nuk ka njeri që ka thithur ajrin e Rodopëve dhe të mos ketë mbetur i mahnitur nga pamjet piktoreske dhe legjendat e malit. Ditët nga 4 deri më 10 gusht na japin shumë arsye për të zgjedhur Rodopët Perëndimore, dhe veçanërisht rajonin e qytetit Ardino..
Numër rekord plazhesh në bregdetin bullgar të Detit të Zi janë vlerësuar me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Flamuri Blu”, që dëshmon për ujërat detare të pastra dhe brezat bregdetarë. Ai jepet pas vlerësimit nga Agjencia Evropiane për Mjedisin, e cila..
Shtëpi druri të vendosura në rrugica plotë pluhur, një përrua që gurgullon lehtë dhe një kurorë pyjesh ahu dhe lisi në zonën përreth – fshati..