Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria dhe Shqipëria drejt një kapitulli të ri ekonomik

10
Foto: Ambasada e Shqipërisë në Sofje

Në Sofje, më 30 tetor 2025, u zhvillua Takimi Ekonomik për Investime Shqipëri–Bullgari, një iniciativë e përbashkët e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sofje dhe Dhomës Bullgaro-Shqiptare të Biznesit. Ngjarja, e mbajtur në ambientet e Hotel Crystal Palace, mblodhi përfaqësues nga Ministritë bullgare të Ekonomisë, Transportit dhe Punëve të Jashtme, drejtues të kompanive private, si dhe përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova.



Qëllimi kryesor i takimit ishte nxitja e partneriteteve të reja ekonomike dhe përgatitja për Forumin Ekonomik Shqipëri–Bullgari 2026, që pritet të ketë përmasa më të gjera dhe bashkëpunim sektorial më të thelluar.

Në fjalën e saj, Ambasadorja e Shqipërisë në Bullgari, znj. Inid Milo, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë ndërtuar mbi miqësi të qëndrueshme dhe vlera evropiane të përbashkëta, por dimensioni ekonomik ende nuk reflekton potencialin e plotë të këtij bashkëpunimi. Ajo vuri në dukje avantazhet konkurruese të Shqipërisë, përfshirë pozicionin gjeografik strategjik, fuqinë punëtore të re dhe reformat drejt tranzicionit të gjelbër. “Ky takim,” – tha Ambasadorja Milo – “nuk është vetëm një shkëmbim idesh, por një thirrje për veprim: për të parë me një këndvështrim të ri mundësitë që ofron bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.”



Në të njëjtën linjë, z. Ivan Anchev, kryetar i Dhomës Bullgaro-Shqiptare të Biznesit, e cilësoi këtë takim si një sinjal të qartë të përforcimit të partneritetit strategjik mes Sofjes dhe Tiranës. Ai përmendi rëndësinë e Korridorit VIII, i cili, sipas tij, “do të shndërrohet në arterien ekonomike që lidh prodhuesit e rajonit me tregjet evropiane, duke ulur kostot e transportit dhe duke nxitur zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit.”

Znj. Inid Milo dhe z. Ivan Ançev

Nga ana bullgare, Mila Neveva, Drejtoreshë e Agjencisë “Invest Bulgaria”, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një hapësire të përbashkët ekonomike në Ballkan, bazuar në transparencë, digjitalizim dhe partneritet publik–privat. Ajo ftoi biznesmenët të investojnë tek dy vendet dhe përfitojnë nga lehtësirat fiskale, duke theksuar se “suksesi i një vendi është fitore për gjithë rajonin”.



Gjatë takimit, u prezantua gjithashtu nga Këshilltarja e Ambasadës Shqiptare në Sofje, znj. Sonila Turshilla, puna e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit dhe Investimeve (AIDA), e cila ofroi një panoramë të qartë të klimës investuese shqiptare dhe reformave që po e shndërrojnë vendin në një destinacion tërheqës për biznesin bullgar.

Znj. Sonila Turshilla

U zhvillua një atmosferë bashkëpunuese dhe profesionale, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbenin ide konkrete për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe nxitjen e investimeve dypalëshe. Në sesionet e diskutimit u theksua rëndësia e forcimit të lidhjeve të biznesit përmes rrjeteve të qëndrueshme komunikimi dhe krijimit të një platforme të përhershme bashkëpunimi ekonomik. Aktiviteti u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të besimit ndërmjet sipërmarrjeve shqiptare dhe bullgare dhe si një model pozitiv për mënyrën se si diplomacia ekonomike mund të kontribuojë në zhvillimin rajonal.



Ky takim shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptaro–bullgare. Ai tregon se bashkëpunimi mes vendeve tona nuk kufizohet më vetëm në fushën kulturore apo arsimore, por po shtrihet me hapa të sigurt drejt ekonomisë reale – aty ku ndikimi është më konkret për qytetarët e të dy vendeve.



Bullgaria, me eksperiencën e saj të gjatë në menaxhimin e fondeve evropiane dhe zhvillimin e infrastrukturës, mund të jetë një partnere strategjike për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian dhe modernizimit ekonomik. Ndërsa Shqipëria, me potencialin e saj të madh në turizëm, energji dhe treg të ri në zhvillim, ofron një terren të hapur për bizneset bullgare që kërkojnë zgjerim në Ballkanin Perëndimor.

Ky takim në Sofje është një hap i vogël në dukje, por me domethënie të madhe për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Foto: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bullgari


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pas tensionit në "trekëndëshin e pushtetit" Buxheti i vitit 2026 u ngri

Pak minuta para se të fillonte leximi i dytë - përfundimtar - i buxhetit të shtetit për vitin 2026 në Asamblenë Kombëtare, kreu i forcës më të madhe parlamentare GERB-SDS, Bojko Borisov, ndaloi procedurën, duke e kthyer projektligjin për rishikim..

botuar më 25-11-27 3.22.MD

Një klub i ri i biznesit punon për të promovuar sipërmarrësit bullgarë në Berlin

Nën emrin BGBizHub, sipërmarrësit bullgarë në Berlin kanë bashkuar forcat për të promovuar dhe zhvilluar bizneset e tyre vendase në Gjermani. "Si çdo biznes tjetër - jo vetëm në Berlin dhe jo vetëm biznesi bullgar, aktualisht po përballemi me disa..

botuar më 25-11-27 7.05.PD

Komisioni Evropian ndezi dritën e kuqe për deficitin buxhetor në vitin 2026

Gjashtë shtete, mes tyre edhe Bullgaria, janë të ekspozuara ndaj rrezikut të mosrespektimit të kuadrit fiskal të BE-së në vitin 2026. Këtë e tregon paketa e vjeshtës e Semestrit Evropian, e miratuar nga Komisioni Evropian mbi buxhetet e vendeve..

botuar më 25-11-26 10.04.PD