Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Serbët në mbarë botën shënojnë 1 vjetorin e tragjedisë në Novi Sad

Më 1 nëntor, serbët që jetojnë jashtë vendit do t’i bashkohen thirrjes së studentëve në Serbi për të shënuar përvjetorin e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, që mori jetën e 16 personave, njoftoi televizioni rajonal En1. Në mbi 50 qytete në mbarë botën, serbët do ta nderojnë kujtimin e viktimave dhe do të shprehin solidaritet me familjet e tyre përmes tubimeve përkujtimore dhe një minute heshtjeje që do të zgjasë 16 minuta, raportoi agjencia BTA. “Kjo tragjedi nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një incident i izoluar. Ajo është simptomë e një sëmundjeje më të gjerë shoqërore: një krizë e thelluar e sundimit të ligjit dhe e shpërbërjes së demokracisë”, thuhet në deklaratën e “Parlamentit të Serbëve jashtë vendit” – një nismë joformale e serbëve jashtë shtetit, përmes së cilës ata shprehin qëndrimet e tyre mbi çështje shoqërore dhe politike në Serbi.

Në Rumani protestojnë kundër masave të rrepta shtrënguese

Më 29 tetor, mijëra njerëz protestuan në Bukuresht kundër masave të kursimit të qeverisë së kryeministrit Ilie Bollozhan, duke bllokuar qendrën e qytetit. Demonstrata u organizua nga katër sindikatat më të mëdha të vendit. Protestuesit kërkuan një shtet më social dhe ndalimin e shkurtimeve të vendeve të punës. Pakënaqësia është drejtuar kundër masave të ashpra fiskale të ndërmarra për të frenuar deficitin buxhetor, i cili në vitin 2024 arriti në 9.3% të PBB-së – niveli më i lartë në Bashkimin Evropian. Në përpjekje për ta ulur deficitin, qeveria ka vendosur ngrirjen e pagave dhe pensioneve, rritjen e TVSH-së dhe taksave, në një kohë kur inflacioni galopant ka përkeqësuar edhe më shumë standardin e jetesës së rumunëve, vëren Radio Romania International. Sipas protestuesve, masat e reja prekin kryesisht njerëzit e zakonshëm.

U identifikuan mbetjet e një francezi që ra për pavarësinë e Kroacisë në vitet 90-të të shekullit të kaluar

Mbetjet e një francezi që iu bashkua forcave kroate gjatë luftës për pavarësinë e Kroacisë në vitet 90-të të shekullit të kaluar u zbuluan dhe u identifikuan 34 vjet pas vrasjes së tij në Vukovar, njoftoi ministri kroat i veteranëve, Tomo Medved. Vullnetari francez Jean-Michel Nicolier iu bashkua forcave kroate në fillim të luftës, në korrik të vitit 1991, kur ishte 25 vjeç. Ai u plagos në frontin e Vukovarit më 9 nëntor të po atij viti dhe u shtrua në spitalin e qytetit. Kur Vukovari u pushtua nga ushtria jugosllave dhe formacionet paraushtarake serbe, të cilat kundërshtonin shkëputjen e Kroacisë nga Jugosllavia, paraushtarakët morën më shumë se 200 persona – mes tyre edhe Nicolier-in – dhe i dërguan në një fermë derrash aty pranë. Aty ata u pushkatuan. “Ai nuk lindi në Kroaci, por e la zemrën e tij këtu dhe dha jetën për të”, tha Medved, i cituar nga agjencia BTA.

Jean-Michel Nicolier

Nicolier u dekorua pas vdekjes në vitin 2011 nga presidenti i atëhershëm kroat Ivo Josipoviç për “trimëri dhe heroizëm të jashtëzakonshëm” gjatë mbrojtjes së Vukovarit. Ai ishte një nga rreth 480 vullnetarë të huaj nga 35 shtete, që iu bashkuan forcave kroate gjatë luftës për pavarësinë e Kroacisë (1991–1995).

Greqia do të vendosë shërbimin ushtarak vullnetar për gratë

Greqia do të vendosë shërbim ushtarak vullnetar për gratë duke filluar nga viti 2026, njoftoi ministri grek i mbrojtjes, Nikos Dendias, raporton agjencia BTA duke iu referuar gazetës “Kathimerini”. “Do të krijojmë një njësi prej 100 deri në 150 vullnetareve, me qëllim që të forcojmë më tej lidhjen midis grave dhe forcave tona të armatosura”, tha Dendias, duke theksuar se aktualisht gratë përbëjnë rreth 17% të ushtrisë greke. “Duhet të bëjmë edhe një hap më tej – të krijojmë infrastrukturën e nevojshme, mënyrën e të menduarit dhe kulturën që, nëse ndonjëherë lind nevoja, gratë të mund të shërbejnë krah për krah me burrat në forcat e armatosura greke”, shtoi ai.

Fshati shqiptar Lin u bë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s

Fshati piktoresk shqiptar Lin u shpallur “Ansambël Arkitektonik Urbane” dhe tashmë bën pjesë në Listën e Objekteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, njoftoi agjencia ATSH, e cituar nga BTA. Fshati ndodhet në brigjet e Liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra nga qyteti i Pogradecit. Lin konsiderohet një nga destinacionet më piktoreske të Shqipërisë, që pasqyron lidhjen e ngushtë midis njerëzve, traditave dhe natyrës përgjatë brigjeve të liqenit më të vjetër në Evropë. Pas zbulimeve të fundit arkeologjike, Lin konsiderohet gjithashtu si vendbanimi më i hershëm mbi shtylla i zbuluar ndonjëherë në kontinent.

Një nga thesaret më të çmuara të fshatit është bazilika e hershme e krishtere, rrënojat e së cilës ndodhen mbi një kodër me pamje nga fshati. Rrugicat me kalldrëm dhe arkitektura tradicionale, që përdor teknika vendase ndërtimi të përshtatura me klimën dhe materialet e zonës, i japin vendbanimit një hijeshi të veçantë e mikpritëse.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BТА, hotnews.ro, greekcitytimes.com, @FabienFieschi, abnase.com, dnevnik.hr


Më shumë nga rubrika

Ministri Georg Georgiev

Ministri i Jashtëm dëshiron prani më të madhe aleate në Detin e Zi

Federata Ruse nuk ka demonstruar në asnjë mënyrë gatishmërinë e saj për të arritur paqen. Deti i Zi është një zonë kufitare me luftën. Ai duhet të gëzojë vëmendjen absolute të aleatëve. Ne duam një prani më të madhe prej tyre në Detin e Zi. Kjo u..

botuar më 25-10-31 10.40.PD
Raja Nazarjan

Kryetari i Parlamentit do të ndërrohet çdo 10 muaj

Forcat qeverisëse nga GERB–SDS, BSP–Е majta e bashkuar dhe “Ka një popull të tillë” (ITN) nënshkruan një aneks ndaj marrëveshjes së tyre të koalicionit, me të cilin përcaktojnë rregullat për rotacionin e kryetarit të parlamentit. Mekanizmi i ri..

botuar më 25-10-29 5.08.MD
Natalija Kisellova u tërhoq nga posti i kryetares së Parlamentit

Kryetarja e Parlamentit nga BSP ia dorëzoi postin zëvendëskryetares nga GERB

Paraqita  një kërkesë me të cilën tërhiqem nga detyra e kryetares së Kuvendit Popullor, njoftoi kryetarja e parlamentit, Natalija Kisellova, pasi hapi seancën plenare më 29 tetor. “Sot tërhiqem dhe në këtë mënyrë tregoj se si duhet vepruar me ndjenjë..

botuar më 25-10-29 11.05.PD