Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dashuria dhe vëmendja janë çelësi i suksesit në shkollën bullgare të së dielës në Larnaka

Foto: Gergana Mançeva

Me gjallërinë, disponimin dhe ngjyrat rinore të tyre, nxënësit e shkollës bullgare të së dielës “Dr. Petër Beron” sollën frymë rinore gjatë vizitës së tyre në Radion Kombëtare Bullgare. Ata kishin ardhur nga Larnaka. Grupi nga Qiproja, i përbërë nga 16 fëmijë të moshës nga 14 deri në 19 vjeç, erdhën për të bërë një udhëtim njëjavor nëpër Bullgari. Udhëtimi është bërë i mundur përmes programit “Rrugë arsimore”, i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Bullgarisë.

Në shkollën në Larnaka mësojnë 82 fëmijë, ndërsa gjashtë mësues japin mësim në gjuhën dhe letërsinë bullgare, historinë dhe gjeografinë e Bullgarisë. Nxënësit nga Larnaka nuk vijnë për herë të parë në mënyrë të organizuar në Bullgari. Këtë vit ata kanë zgjedhur të vizitojnë jo vetëm Sofjen, por edhe atraksionet në Bansko, Rozhen, fshatin Dollno Draglishte dhe përgjithësisht të udhëtojnë në rajonin e Pirinit.

“Ne në shkollë kemi nota që na i vendosin mësuesit, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Ajo që marrim në fund është diploma dhe certifikata për zotërimin e gjuhës bullgare, pas provimeve të suksesshme. Më vonë mund t’i përdorim ato për të ardhur në Bullgari dhe për të vazhduar studimet në gjuhën bullgare,” – thotë Kristian Ivanov, nxënës i klasës së dhjetë në shkollën “Dr. Petër Beron” në Larnaka.

“Prej shkollës kam mësuar shumë gjëra – mësojmë histori, gjeografi, bullgarisht, kërcejmë valle popullore, shkojmë në ekskursione, dhe prej tyre mësoj shumë për Bullgarinë. Mua më pëlqejnë më shumë peizazhet, natyra e vendit, sepse në Qipro nuk ka një natyrë të tillë. Një vit më parë, kur erdhëm në Bullgari, vizituam Pamporovon” – thotë Kristijan.
Kristijan Ivanov
“Edhe vitin e kaluar, rreth të njëjtës kohë, vizituam Bullgarinë, ishim në Pamporovo dhe mësuam gjëra të reja për vendin. Kur isha më e vogël, ktheheshim në Bullgari pothuajse çdo vit, por tani për arsye ekonomike udhëtimet janë bërë më të vështira. Në shtëpi flasim bullgarisht. Ndoshta do të studioj në një universitet në Bullgari pas një viti, por dua ta di mirë gjuhën që një ditë, kur të kem fëmijët e mi, të mund t’ua mësoj edhe atyre,” – thotë nxënësja e klasës së njëmbëdhjetë, Nikoll Petkova.

“Kam qenë në këtë shkollë që nga klasa e parë, si edhe shumica e shokëve të mi. Jemi afruar shumë dhe nga kjo shkollë kam fituar shumë miq të rinj, për çka jam shumë mirënjohëse. Në shkollën bullgare mësojmë shumë gjëra, edhe pse është vetëm një herë në javë. Është një krenari të dish një gjuhë të tillë. Shikoj filma në bullgarisht dhe kjo më ndihmon. Prindërit e mi ndjekin vazhdimisht lajmet bullgare, shikojnë mediat bullgare dhe janë të interesuar për Bullgarinë.”

Për Georgi Dillov, lënda e tij e preferuar në shkollën e së dielës është historia. Ai thotë se prej saj ka fituar vetëbesim, krenari dhe madje historia e shtyn të ëndërrojë për më shumë sukses personal në të ardhmen.
Georgi Dillov
“Veçanërisht kur mësoj mësimet për mbretin Simeonin dhe për atë se si Bullgaria është shtrirë në tri dete, dhe për Kirillin dhe Metodin që kanë krijuar alfabetin, e kuptoj se nuk do të ekzistonim po të mos kishim pasur njerëz si ata. Dhe kjo më kujton sa e madhe, e pathyeshme dhe e frikshme ka qenë Bullgaria për armiqtë e saj,” – thotë Georgi Dillov, nxënës në Larnaka.
Alehandro Ivanov
Mirënjohje të madhe për mësuesit në shkollën e së dielës në Larnaka shpreh edhe Alehandro Ivanov, nxënës i klasës së dymbëdhjetë. Ai është më i madhi nga grupi i nxënësve që po udhëtojnë nëpër Bullgari. Duke u kthyer pas, ai kupton se sa shumë ka marrë nga prindërit dhe mësuesit e tij, të cilët i japin rëndësi arsimit dhe njohjes së historisë, gjeografisë, letërsisë dhe shkrimit bullgar. Ja se çfarë na tha djaloshi i ri, që është nga një familje bullgare dhe jeton në Larnaka për shkak të angazhimeve të prindërve të tij:

“Kam ndërmend të studioj në Bullgari, në Sofje, pasi të përfundoj shkollën. Falë znj. Angellova, kalova provimet e gjuhës bullgare me rezultate shumë të mira. Përveç kësaj, në Qipro kam gjetur shumë miq të mirë. Jeta ime shoqërore atje është shumë e mirë. Shkolla e së dielës më ka dhënë miq për gjithë jetën, por kam vendosur që vitin tjetër të aplikoj në universitete të ndryshme në Bullgari. Dua të studioj psikologji.”
Kryeredaktori i Radio Bullgarisë Krasimir Martinov dhe Eleonora Angellova
“Ne, mësuesit, na mban në shkollë dashuria për fëmijët dhe bindja se duhet t’u përcjellim diçka atyre,” – theksoi në fund të vizitës në Radio Bullgarinë Eleonora Angellova, drejtoresha e shkollës bullgare “Dr. Petër Beron” në Larnaka.
Fëmijët ishin në një prove në Studion e Parë të Radios Kombëtare Bullgare – studion më të madhe të incizimeve në Bullgari
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Foto: Elena Karkallanova, Gergana Mançeva, Facebook/ Dr. Petar Beron – Larnaca



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Klubi i grave dhe familjeve bullgare në Hamburg feston 20-vjetorin

Festa e familjes së krishterë çdo vit është arsye për takim të bashkatdhetarëve tanë në Hamburg. Viti 2025 nuk bën përjashtim dhe ftesa prej kohësh qarkullon në rrjetet sociale, sepse bashkatdhetarët tanë do të festojnë solemnisht 20 vjet nga krijimi i..

botuar më 25-11-22 9.00.PD

Kujdes, ari! Një ngjarje në Karllovo rinovoi debatin për bashkëjetesën me grabitqarin

Kamerat e sigurisë filmuan një ari në një lagje banimi të qytetit Karllovo para disa ditësh. Grabitqari zbriti deri te shtëpitë në pjesën veriore të qytetit dhe u shëtit pa u shqetësuar nëpër rrugë , derisa u tremb nga një makinë që kalonte. Pas..

botuar më 25-11-22 8.00.PD

"Tregu i Profesioneve" mbështet orientimin në karrierë të të rinjve

Më 21 dhe 22 nëntor 2025, në sallën "Xhon Atanasov" të Parkut Teknologjik të Sofjes do të mbahet edicioni i 11-të i "Tregut të Profesioneve". Forumi synon të mbështesë orientimin e hershëm në karrierë të të rinjve në vendin tonë...

botuar më 25-11-21 6.10.PD