Nga frika dhe dyshimet deri te gëzimi dhe mbështetja – bullgarët reagojnë ndryshe ndaj aplikimit të ardhshme të euros më 1 janar 2026. Për disa kjo është një hap logjik drejt integrimit tonë në BE, me premtime për stabilitet dhe një biznes më të lehtë, por çmimet e larta dhe inflacioni shkaktojnë shqetësim. Dhe ndërsa institucionet, së bashku me një pjesë të biznesit, e mbështesin kalimin drejt monedhës së përbashkët, bullgarët pyesin veten nëse kjo nuk do të sjellë edhe një përkeqësim të mëtejshëm të fuqisë blerëse dhe rreziqe për kriza të reja ekonomike.
Hristo Marinov është ekonomist për nga arsimi dhe llogaritar për nga profesioni. Firma e tij kontabël prej shumë vitesh punon kryesisht me shtetas të huaj, të cilët jetojnë ose zhvillojnë biznesin e tyre në vendin tonë.

“Shumë nga klientët e mi i drejtohen me pyetje lidhur me kalimin në euro. Shqetësimet kryesore janë në dy drejtime. Njëra lidhet me çështjet aktuale kontabël, si për shembull si do të paguhen taksat ose çfarë do të ndryshojë në kontabilitet. Tjetra është më e përgjithshme, e tipit nëse do të ndryshojnë çmimet e pronave të paluajtshme dhe çmimet e jetesës në përgjithësi në Bullgari, sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre jeton këtu pikërisht për shkak të shpenzimeve më të ulëta të jetesës” – ndan ekonomisti vëzhgimet e tij para Radio Bullgarisë.
Sipas Marinovit, anëtarësimi ynë në Shengen që nga fillimi i vitit 2025 dhe aplikimi i ardhshëm i euros kontribuojnë në tërheqjen e të huajve, megjithëse interesimi i shtuar filloi që nga fundi i vitit 2023. Klientët e tij janë kryesisht nomadë digjitalë dhe sipërmarrës që zgjedhin Bullgarinë për të jetuar, punuar dhe për të paguar taksat. Firma e tij kontabël tashmë shërben qytetarë nga pothuajse të gjitha shtetet evropiane. “Ka një interes të shtuar, kjo tendencë është e qëndrueshme dhe pa shenja që të ndryshojë” – është kategorik Hristo Marinov.

“Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të vitit 2025, klientët e mi të rinj – mbi njëqind veta – do të sjellin në buxhetin bullgar rreth 3 milionë leva në vit. Këto janë taksa dhe kontribute – të ardhura të reja, biznese të reja. Përveç këtyre 3 milionë levave në bazë vjetore, këta njerëz kanë sjellë gjithashtu shuma shtesë rreth 50 milionë leva, të cilat kanë hyrë në territorin e Bullgarisë në formë të të ardhurave – këto para përdoren për shpenzime jetese, për blerje pronash, për gjëra të ndryshme. Pra, ky është konsum që bëhet në Bullgari.”
Megjithë shqetësimet se kalimi në monedhën e re do të çojë në rritje shtesë të çmimeve, Marinov thekson se proceset inflacioniste janë një fenomen global.

“Unë besoj se rritja e çmimeve nuk ka lidhje me pranimin tonë në Eurozonë. Ky proces filloi pas vitit 2020, pas Covid-it, kur shumica e shteteve evropiane derdhën shuma të mëdha në ekonomitë e tyre. Që aty menjëherë filluan procese të forta inflacioniste në të gjithë Evropën. Çmimet janë shumë më të larta atje – për shembull, një qira prej 500 eurosh në një qytet bullgar barazohet me rreth 2000 euro në Holandë. Po, në Bullgari aktualisht ka rritje të çmimeve, por kjo nuk ka të bëjë me pranimin e euros, por me pasojat e pandemisë Covid dhe luftës në Ukrainë. Anëtarësimi në Eurozonë do të sjellë shpenzime më të ulëta për transaksionet, më shumë investitorë dhe financim më të lehtë të bankave bullgare nga bankat evropiane, gjë që përmirëson klimën e biznesit dhe, në fund, cilësinë e jetës, pasi biznesi është ai që gjeneron taksat dhe kontributet që shteti shpërndan” – tha në përfundim Hristo Marinov.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Facebook /Hristo Marinov, Pexels
Bankomatet do të mbushen me euro natën e 1 janarit 2026. Në mëngjes, të gjithë do të jenë në gjendje të tërheqin kartëmonedha euro. Kjo u njoftua për Radion Kombëtare Bullgare nga Nikolla Bakallov, Drejtor Ekzekutiv i një prej bankave kryesore në..
Përfitimet e papunësisë në Sofje vazhdojnë të jenë mbi pagën minimale, sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore. Ato janë më të lartat në vend dhe mesatarisht janë 1,145 leva (585.43 euro). Përfitimi më i ulët merret nga..
Shitjet e seteve fillestare me monedha euro me anën kombëtare bullgare do të fillojnë më 1 dhjetor 2025, njoftoi Banka Kombëtare Bullgare /BNB/. Ato do të jenë në qarkullim nga 1 janari 2026. BNB dhe Postat Bullgare do t’u shesin sete fillestare vetëm..